Në emisionin “Shqiptarët pa kufij” në RTSH 2, e ftuar ishte Mimoza Hysa, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, e cila ndau detaje mbi punën që po bëhet për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë intervistës, Hysa theksoi se diaspora shqiptare tashmë përbën një realitet të gjerë, me breza të tërë të lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë, Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare, ndaj ruajtja e gjuhës dhe kulturës mbetet një nga prioritetet kryesore të politikave kombëtare.
Ajo u ndal te puna shtatëvjeçare e Qendrës së Botimeve për Diasporën, duke nënvizuar se një nga arritjet më të rëndësishme ka qenë unifikimi i teksteve të përbashkëta Shqipëri–Kosovë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Sipas saj, ky ka qenë një proces i gjatë dhe sfidues, por i domosdoshëm për të ndërtuar një qasje të përbashkët ndaj mësimdhënies së shqipes jashtë vendit.
Në bisedë u theksua edhe rëndësia e botimeve dygjuhëshe, që u vijnë në ndihmë fëmijëve të diasporës, të cilët rriten mes dy ose më shumë gjuhëve. Përmes fjalorëve, përrallave klasike dhe teksteve plotësuese, synohet që fëmijët shqiptarë të kenë një qasje më të lehtë dhe më të afërt me gjuhën shqipe.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte shkolla verore për fëmijët e diasporës, e cila, sipas Hysës, ka sjellë emocione të veçanta, pasi u jep mundësi të rinjve shqiptarë të njohin nga afër Shqipërinë, historinë, kulturën dhe gjuhën e vendit të origjinës së tyre.
Hysa foli edhe për sfidat që mbeten përpara, duke theksuar nevojën për një platformë dixhitale ndërvepruese për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe për një fazë të re cilësore në mbështetjen e diasporës.
Në këtë kuadër, ajo njoftoi se po punohet për ristrukturimin e Qendrës së Botimeve në një Agjenci Kombëtare për Gjuhën Shqipe në Diasporë, me një funksion thelbësor: certifikimin ndërkombëtar të gjuhës shqipe. Ky zhvillim, sipas saj, do të ishte një hap i madh për njohjen zyrtare të shqipes dhe për rritjen e vlerës së saj në tregun e punës dhe në sistemet arsimore ndërkombëtare.
Në prag të Samitit të Diasporës, Mimoza Hysa e cilësoi diasporën si një mbështetje të jashtëzakonshme për zhvillimin e Shqipërisë, duke e vlerësuar si një urë të fortë bashkëpunimi, identiteti dhe investimi për të ardhmen.
Në përfundim, intervista solli një mesazh të qartë: ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm çështje arsimi, por edhe çështje identiteti, kulture dhe lidhjeje të përhershme me atdheun.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje