Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuara katër vajza nga Kina, të cilat kishin studiuar gjuhën shqipe.
Temë e episodit ishte “Vajzat e Kinës së Re”. Njëra prej tyre, Etleva, pas përfundimit të studimeve, ishte rikthyer në Shqipëri si diplomate pranë Ambasadës së Republikës së Kinës në Tiranë.
Rama i cilësoi vajzat si përfaqësuese te gjeneratës së re të një popullit të madh që, siç u shpreh ai, “ne kemi qenë shumë të lidhur dhe vijnë nga një vend që është në rrugën e një progresi marramendës”.
Por, theksoi ai, pavarësisht se janë të katerta nga Republika Popullore e Kinës, kanë emra shqiptarë.
Gjatë bisedës, vajzat, dy prej të cilave studente të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, folën gjuhën shqipe në mënyrë të saktë, duke impresionuar kryeministrin Rama.
Ai theksoi se për disa vite stafi i tij kishte lexuar me vëmendje shkresat e ardhura nga ambasada e Kinës dhe nuk ishte konstatuar asnjë gabim drejtshkrimor.
Vajzat shprehën kënaqësinë për përvojën e tyre në Shqipëri, duke vlerësuar mundësinë për të mësuar gjuhën shqipe dhe për të njohur jetën e përditshme në vend.
Ato gjithashtu vlerësuan atraksionet turistike, kafenetë dhe agroturizmin, duke e konsideruar eksperiencën të pasur dhe të vlefshme për njohjen e kulturës shqiptare.
Kryeministri Rama tha se ishte kurioz të vizitonte Kinën rurale, për të njohur historinë dhe kulturën e vendit, larg qyteteve të mëdha si Pekini, Shangai apo Shen Zheni.
Sepse, theksoi ai, historia e Kinës është e jashtëzakonshme. Ai po ashtu tha se do të donte të vizitonte Tibetin.
“Marrëdhënia jonë me Kinën ka qenë dikur e afërt. Pastaj gjërat ndryshuan dhe jemi shumë më larg sesa ç’mund të jetë Kina me shumë vende të tjera edhe këtu në rajon. Por marrëdhënia është miqësore”, tha Rama.
Nga ana tjetër, tha Rama, progresi i Kinës është i jashtëzakonshëm.
“Unë jam duke ndjekur një përkthim te një libri që më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë, një libër i shkruar nga një ekonomiste kineze që ka studiuar në SHBA dhe që jeton midis Kinës dhe Britanisë së Madhe. Është profesore në LSE dhe ka shkruar një libër që titullohet “The new China playbook”. Po diskutoja me botuesen si ta përkthejmë në shqip playbook. Por mund të përkthehet “Manuali i ri i Kinës”. Do ta nxjerrim në shqip. Libri është shkruar për të ndihmuar njerëzit që ta lexojnë, shohin, Kinën pa paragjykime dhe jashtë stereotipeve që janë krijuar në botën perëndimore. Ajo quhet Keyu Jin. Historia mes nesh ka qenë shumë bardhezi. Por unë do doja shumë të kishim më shumë turistë dhe një gjë tjetër që është e vlefshme, të mësojmë më shumë dije të akumuluara në Kinë në shumë drejtime”, tha mes të tjerash Rama.
Rama gjithashtu nënvizoi rëndësinë e gjuhës mandarin për të ardhmen.
“Mandarin do të jetë një gjuhë që do t’u duhet njerëzve pas 20 vitesh. Numri i evropianëve dhe amerikanëve që mësojnë gjuhën mandarin është rritur, duke reflektuar nevojën për të komunikuar me një vend me zhvillim të madh ekonomik dhe teknologjik, si dhe për të kuptuar kulturën e tij”, u shpreh Rama.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje