Premiera e shfaqjes “Pesë fytyrat e heshtjes”, me regji nga Ilir Bokshi, në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, riktheu formatin e veçantë skenik, ku publiku ishte i vendosur në të njëjtën platformë me aktorët.
Drama rrëfen historinë e një familjeje që jeton nën kontrollin dhe dhunën e Billit, një figurë dominuese që abuzon me bashkëshorten e tij, Merin dhe dy vajzat e tyre. Në thelb të saj, shfaqja trajton ndikimin afatgjatë të abuzimit, duke treguar se si ai vazhdon të ndikojë jetën e viktimave edhe kur abuzuesi nuk është fizikisht i pranishëm. Pas përfundimit të shfaqjes, aktorët u ndalën te mesazhi i fortë që përcjell kjo vepër.
“Është një temë shumë e rëndë dhe kërkon përqendrim, forcë dhe kurajë për të trajtuar këtë material. Kemi krijuar një shfaqje e cila i flet shoqërisë shqiptare”, u shpreh aktori Adrian Morina.
“Vet si shfaqje është një ngjarje e trishtë, është dhuna në familje, dhuna psikologjike, dhuna seksuale dhe këto ngjarje i dëgjojmë në Shqipëri dhe në nëpër botë”, tha aktori Nikolin Fërka.
Kjo shfaqje shënoi gjithashtu debutimin e aktores Ina Morinaj si pjesë e trupës së Teatrit “Migjeni”.
“Ishte kënaqësi dhe jam shumë e lumtur që shfaqja është pritur shumë mirë”, tha aktorja Ina Morinaj.
“Pesë fytyrat e heshtjes” do të vijojë të shfaqet edhe më 22 mars, në orën 19:00, duke ftuar publikun të përjetojë nga afër një dramë të fortë psikologjike dhe sociale. A.K./TemA
Lini një Përgjigje