“Ju falënderoj për punë të devotshme dhe sakrifica që keni treguar në luftë për zbulimin e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse"/ Autoriteti i Dosjeve nxjerr në dritë dokumentin

24 Mars 2026, 14:49Kulturë TEMA
“Ju falënderoj për punë të devotshme dhe sakrifica

Në kërkim të 2,202 bashkëpunëtorëve: mes “patriotizmit”, përfitimit dhe shtrëngimit
“Ju falënderoj për punë të devotshme dhe sakrifica që keni treguar në luftë për zbulimin e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse, për mbrojtjen e interesave të popullit, Partisë dhe Atdheut tonë socialist.”

Kjo fletë lavdërimi u gjet gjatë studimit të dosjes personale të bashkëpunëtorit me pseudonimin “Xhami”. Ky bashkëpunëtor, i cilësuar si “bashkëpunëtor birucash”, ishte një "i dënuar" për “agjitacion dhe propagandë”. Ai u përdor nga ish-Sigurimi i Shtetit në repartet e riedukimit në: Ballsh, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Dibër dhe Librazhd, Dokumenti gjendet në një nga dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe mban firmën e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi.

Procedura ishte e tillë që bashkëpunëtori dërgohej në dhomat e hetuesisë për të kontaktuar me personat nën hetim. Atij i jepej një identitet i ndryshuar në çdo burg ku vendosej dhe paraqitej si i dënuar, njësoj si personat për të cilët do të përpilonte raportet. Si “bashkëvuajtës”, ai fitonte besimin e tyre dhe më pas raportonte informacionin tek organet e Sigurimit.

Ky mekanizëm përfaqëson një nga format më të ndërlikuara që përdorte Sigurimi për të rritur ngarkesën e fajit dhe, më pas, për të siguruar ridënimin e të burgosurve.

Sipas analizës së Drejtorisë së Informacionit, gjatë periudhës 2017–2025 janë trajtuar 179 kërkesa për zbardhje bashkëpunëtorësh, duke çuar në kërkimin e 2,202 bashkëpunëtorëve në dokumentet arkivore.

Nga shqyrtimi i mbi 78,930 faqeve, janë identifikuar 702 prej tyre, ndërsa procesi vijon, duke reflektuar kompleksitetin e kërkimit dhe përpjekjen e vazhdueshme për të zbardhur çdo rast. Këto të dhëna tregojnë një proces kompleks dhe shpesh të vështirë.

“Ka raste kur një pseudonim ndiqet për muaj të tërë pa arritur të lidhet me një identitet të plotë. Dokumentet janë të fragmentuara dhe jo çdo gjurmë është e verifikueshme,” shpjegojnë specialistët e kësaj drejtorie.

Megjithatë, progresi është i dukshëm. Nga vetëm 11 kërkesa në vitin 2017 (një kërkesë mund të përfshijë mbi 10 pseudonime për kërkim), procesi ka arritur në 30 kërkesa në vitin 2025, duke reflektuar një rritje të interesit publik dhe të besimit në procesin e zbardhjes.

Si lexohet një dosje bashkëpunëtori? Kërkimi për gjetjen e një bashkëpunëtori lëviz nga një dosje tek tjetra. Një rrëfim i plotë ndërtohet nga lidhja e disa fragmenteve: pseudonime, raporte operative, shënime të punëtorëve operativë dhe të dhëna mbi vendin, kohën dhe personat e survejuar.

“Kërkimi nis nga një detaj i vogël: një pseudonim i përmendur në një dokument. Mbi këtë bazë ndërtohet një ‘hartë kërkimi’, e cila përfshin pseudonimin, punëtorin operativ, vendndodhjen dhe datat e raportimeve. Kjo skedë bëhet çelësi për të hyrë në arkiv dhe për të lidhur fragmentet dokumentare,” shpjegon specialistja.

Si krijohej një bashkëpunëtor? Dokumentet tregojnë se bashkëpunimi nuk ishte gjithmonë rezultat i një zgjedhjeje të lirë. Ai ndërtohej mbi presionin, shtrëngimin, premtimet për lehtësim dënimi apo mbijetesën. Më pas, sistemi e shoqëronte këtë proces edhe me forma të tjera legjitimimi, siç është edhe “Fleta e Lavdërimit”, duke e paraqitur bashkëpunimin si një akt në shërbim të interesave të shtetit. Ky ishte rasti ku rekrutimi bëhej me bindje ideologjike (patriotike) dhe përfitim material. Por ajo që del më fort nga dokumentet e studiuar deri tani është përdorimi i materialit komprometues.

“Individët survejoheshin paraprakisht. Mblidheshin të dhëna që mund t’i çonin në arrest. Dhe më pas u ofrohej një “zgjedhje”: bashkëpunim ose ndëshkim.”- tregojnë juristët.
Sot, këto dokumente janë dëshmi e mënyrës se si ndërtohej dhe funksiononte rrjeti i bashkëpunëtorëve. Ato ndihmojnë për të kuptuar mekanizmat e kontrollit shoqëror, kufirin mes detyrimit dhe zgjedhjes, si dhe kompleksitetin e rolit të individit në një sistem represiv. /autoriteti/

4 Komente

  1. s
    salveremi

    Ci keni keto"skupe".Tani i nxirrni keto qyfra ju o komisioni?Te gjithe ata qe gjoja do ti nxirrni emrat ose kane ikur nga kjo bote ose jane gati.Ajo qe duhet thene pa frike zoterinj te Temes eshte jo spiunet,por armata e tere e komunisteve,ata qe benin artin.kulturen,mesuesit,oficera,police e ku ta di une.Me nje fjale sistemin nuk e perbenin ca spiune dhe E.H. Ishin te gjithe ata qe leviznin makinerine e sistemit.Nuk ka Bote,sistem apo demokraci pa spiune!Te mire apo te kqij ata jane te nevojshem per te qendruar ne kembe nje shtet.Hajt ta gezoni zbulimin.

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bregu Hambarit.

      Po kjo eshte nje metod klasike e thjeshte behet dhe sote ,bile sot survejohen 100 peqinnde e popullsis ,

      Përgjigjjuni
      1. k
        komunistët- e keqja më e madhe

        Mirë e ka thënë salveremi. Spiunët shpesh ishin njerëz pa karakter dhe ndonjëherë edhe vetë viktima. Por e keqja më e madhe vinte nga komunistët. Ata e mbanin në këmbë atë regjim të mallkuar.

        Përgjigjjuni
        1. G
          Gjergj Fishta I riu

          Qenja spiun asht diçka personale. Mjere ata te mjere qe kane rene ne kete gracke e sidomos kur kane qene te persekutuar. Ndaj me fitoren e pare te PD duhet te kerkohej pikerisht purifikimi i kesaj kategorie ku perpiqet sot te fshihet Kupola e PD, gjoja se jame e tradhetuar nga kjo klase se ishte vegel e sigurimit dhe per te justiufikuar mos angazhimin e te persekutuarve ne forumet e larta te PD-se. Veç dokumenteve ( te cilat pjesa me e madhe u fshehen nga policia sekrete komuniste, per t'i perdorur ne funksion te rruges se saje per te mbajtur MONOPOLIN e qeverisjes ne ILEGALITET. U perhap(!) gjoja, gjoja se u dogjen nga UDB-ja Jugosllave per te fshehur gjurmet e veprimtarise armiqsore te saj ne Shqiperi). Aty ne ato arshiva jane spiunet qe kane survejuar shqiptaret por jane dhe shqiptaret e dhene si spiun te UDB-se, pa dijenin e tyre e ndiqeshin si te tille sepse ishin te dhene emrat e tyre ne Beograde nga servisi sekret shqiptare qe e realizonte dhe luante me lojen e dyfisht. Ndaj nje dite bash atyre qe ju kishin luftuar gjysherit kundra Serbise, do ju dale se babai tash i vdekur paska qene agjent i UDB-se. Me fitoren e demokracise reale dhe jo te kesaj te inicuar nga Ramiz Alia, duhet te lajmerohej e tere popullata te veteshtrohej (vetedeklarohej, kush operative e ka regjistruar dhe ne çkushte shterngimi fizike apo psikologjik) e ku kishte mundesi te mbeshtetej dhe ne dokumente qe egzistonin. Pasi te rrefeheshin, duhet tu jepej nje ndihme e vogel ekonomike( demshperblim njelloi si te burgosurit politike) çdo spiuni dhe duhet te trajnoheshin ne kurse edukimi e reabilitimi e pas nje periudhe 10 vjeçare do te vinin stabil e te lire te zgjidheshin ne krejt funksionet e hierarkise te shtetit demokratik. Ndaj, nje perkulje per te persekutuarit spiun qe kane patur fatin e keq te bien dy here viktime e diktatures komuniste. Njehere te perskutuar dhe se dyti te ndiqnin te persekutuarit e tjere qe ishin babai, nena, djali, motra, vellai, kushriri e me tej. Kjo ishte pika nje e dekomunistizimit qe thithte e nxirrte ne dukje te tere armaten e rrezikshem represive qe kishte vepruar rreth diktatorit, avandgardet e hapur te tij qe duhej te vendosej nje ligje tjeter per t'i dekomunistizuar ( konfiskimin e prones se lene femijve per te paguar te burgosurit politik dhe sheruar spiunet e persekutuar qe duan tju lene njollen, e turpit ne shpine e vete te fshihen)!!!???

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje