Galeria e Arteve e Shkodrës ka nisur muajin shtator me ekspozitën personale “On Art” të artistes nga Kosova, Liridona Gjuka Bogu, e cila sjell një qasje bashkëkohore mbi marrëdhënien mes njeriut, artit dhe natyrës.
Drejtori i Galerisë, Fatmir Juka, shprehet se ky muaj do të jetë i pasur me aktivitete kulturore. Në kuadër të 10-vjetorit të “Art House”, galeria do të jetë pjesë e një ekspozite të veçantë, duke krijuar një hapësirë të dedikuar për artin bashkëkohor.
“Në datën 14 shtator kemi një bashkëpunim me “House of Art” e cila nënkupton bashkimin e të gjithë artistëve bashkëkohorë që kanë punuar prej vitesh”, u shpreh Fatmir Juka, drejtor në Galerinë e Arteve Shkodër.
Ai shtoi gjithashtu se shtatori e muajt në vazhdim do të sjellin një kalendar të ngjeshur me ngjarje të tjera kulturore e artistike, që do të mbajnë të gjallë jetën kulturore të qytetit.
“Do të kemi të ftuar Edi Pojani, një artist nga Vlora, piktor i traditës shqiptare dhe më pas do të kemi çmimin “Hidromeno” dhe përfundojmë me sallonin e vjeshtës”, tha Juka.
Me këtë program, Galeria e Arteve e Shkodrës vijon të mbetet një prej qendrave më të rëndësishme të promovimit të artit dhe kulturës në qytet.
- RTSH-
Lini një Përgjigje