Festivali Ndërkombëtar “Skampa Extension 2025” u mbyll mbrëmjen e djeshme me komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, e vënë skenë nga regjisori Kiço Londo dhe interpretuar nga trupa e teatrit “Skampa” e Elbasanit.
Vepra e njohur e dramaturgut britanik Joe Orton solli në skenë një botë plot humor, ironi dhe situata të papritura, ku përzihen pasionet, pritshmëritë romantike, fotot rozë dhe shpërdorimi i pushtetit, në një realitet absurd e argëtues.
Kjo premierë e trupës elbasanase shënoi një mbyllje dinjitoze të edicionit të 27-të të festivalit, që për gjashtë ditë me radhë e ktheu Elbasanin në një qendër të gjallë të artit skenik.
Në skenën e teatrit “Skampa”, por edhe në hapësira të tjera kulturore të qytetit, performuan 11 trupa teatrore nga vende të ndryshme duke sjellë një atmosferë të veçantë artistike dhe bashkëkohore.
Në mbyllje të festivalit, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shprehu mirënjohjen për pjesëmarrësit dhe publikun elbasanas.
“Falënderim të veçantë për të gjitha trupat që zgjodhën Elbasanin për të ndarë artin e tyre me ne. Për gjashtë ditë, qyteti ynë u mbush me energji, me art dhe me bashkëpunim ndërkombëtar. Ky festival është tashmë një traditë që e bën Elbasanin pjesë të kalendarit kulturor ndërkombëtar”, tha Llatja.
Me “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, trupa e Teatrit “Skampa” dhe i gjithë festivali mbyllën jo vetëm një javë plot emocione artistike, por edhe një tjetër kapitull të suksesit kulturor të Elbasanit, që tashmë pret me entuziazëm edicionin e ardhshëm.
/atsh/
Lini një Përgjigje