Sonte gjysmëfinalja e dytë e Festivalit të Këngës Eurovision 2025, ja çfarë duhet të dini

15 Maj 2025, 21:28Kulturë TEMA

Sonte zhvillohet gjysmëfinalja e dytë e Eurovision 2025, nga ku do të kualifikohen edhe 10 këngët e fundit për Finalen e Madhe të së shtunës.

Do të jenë 16 artistë që do të konkurrojnë sonte në shfaqen që do të transmetohet drejtpërdrejti nga St. Jakobshalle në Bazel.

16 këngët e para janë kualifikuar tashmë për në Finalen e Madhe të së shtunës. Kënga “Zjerm” e Shkodra Elektronike, e cila ndezi skenën e St. Jakobshalle në Bazel, është kualifikuar tashmë për në Finalen e Madhe.

Sonte, gjysmëfinalja e dytë do të vendosë për 10 këngët e fundit kualifikuese. Në këtë natë do të interpretohen 16 këngë, por vetëm 10 prej tyre do të kualifikohen për Finalen e Madhe të së shtunës.

Shfaqja fillon në orën 21:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht live nga RTSH-1 HD. Edhe në këtë natë të dytë prezantuese do të jenë Hazel Brugger dhe Sandra Studer. Michelle Hunziker do t’u bashkohet atyre të shtunën në natën finale.

Si do të zhvillohet nata e dytë?

Gjysmëfinalja e dytë e Eurovisionit të këtij viti do të jetë në thelb, një homazh për fansat e saj. Nisur nga kjo nata e dytë do të hapet me një klip, kushtuar një personazhi me emrin Filip, i cili prej 50 vitesh është fans i Eurovisionit. Ai është nga Bazeli, qyteti ku po zhvillohet Eurovision 2025.

Ai pritet të ndajë disa kuriozitete, dhe pak çaste më pas do të jetë publiku në arenë që do ta shohë drejtpërdrejt, ndërsa mban me vete një zemër të Eurovisionit me flamurin zviceran brenda. Ai e vendos atë në qendër të skenës dhe kjo do të ndriçojë të gjithë skenën.

Përpara secilës prej 16 këngëve do të shohim një “kartolinë” të vogël, ndërsa skena përgatitet për këngën. Secila prej 16 kartolinave përmban të njëjtën ide: “Përjetoni Zvicrën përmes syve të artistëve”.

Çdo artist hap atë që duket si një kuti postare për të marrë një kartolinë që bëhet realitet dhe i çon diku në vend. 

10 KËNGËT E KUALIFIKUARA PËR FINALEN E MADHE…

Këtë vit prezantohet një mënyrë e re për të shpallur 10 këngët e kualifikuara për në Finalen e Madhe. Për nëntë kualifikuesit e parë, tre artistë do të shfaqen në ekran të ndarë, nga të cilët njëri do të shpallet si kualifikues. Dy artistët e tjerë nuk eliminohen, por mbeten në garë. Mund të ndodhë që i njëjti artist të shfaqet dy ose tre herë në ekranin e ndarë.

Për vendin e dhjetë në Finale, nuk do të përdoret ekran i ndarë.

Procedura e votimit ndjek të njëjtën metodë si vitin e kaluar. Në gjysmëfinale nuk do të ketë juri. Shikuesit në disa nga vendet jo-pjesëmarrëse, do të jenë në gjendje të votojnë në internet. Këto vota në internet do të kenë të njëjtën peshë, si një vend pjesëmarrës, në të dyja gjysmëfinalet, si dhe në Finalen e Madhe. Çdo vend, dhe nga vendet e tjera jo- pjesëmarrëse, do të kenë nga një grup pikësh nga 1 deri te 12 për të dhënë për këngë që pëlqejnë.

Votimi do të hapet pasi të jetë interpretuar kënga e fundit dhe do të qëndrojë i hapur për afërsisht 20 minuta. 10 këngët me më shumë pikë do të kualifikohen për në Finalen e Madhe. Secili prej 16 vendeve pjesëmarrëse në gjysmëfinalen e dytë do të votojë. Vendet e parakualifikuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, do të transmetojnë spektaklin dhe do të votojnë në gjysmëfinalen e dytë. Çdo vend do të ketë televotim, i cili rezulton në një grup nga 1- 12 pikë. Vendet e tjera jo-pjesëmarrëse mund të votojë në internet, gjë që rezulton në një grup nga 1- 12 pikë. Rezultatet e votimit nuk do të zbulohen para se të përfundojë Finalja e Madhe e të shtunës. Vetëm për 10 këngët e kualifikuara do të zbulohen pikët.

/ RTSH/

Lini një Përgjigje