Zenit editions botim i ri, për herë të parë në shqip: F.M DOSTOJEVSKI

15 Maj 2025, 14:33Kulturë TEMA
Zenit editions botim i ri, për herë të parë në shqip:

Titulli: E URTA- Rrëfim fantastik
Përktheu nga origjinali: Myzejen Shapllo

Nga autori

U kërkoj ndjesë lexuesve të mi, që kësaj here në vend të «Ditarit» në formën e tij të zakonshme [në revistë], po u jap në dorë vetëm një rrëfim. Dhe vërtet, këtë muaj kam qenë i zënë me të, e më hëngri pjesën më të madhe të kohës. Sidoqoftë, u lutem lexuesve të tregojnë zemërbutësi.
E tani le të vijmë te vetë tregimi.

E kam titulluar “fantastik”, ndërkohë që vetë unë e konsideroj një tregim tërësisht realist në shkallën më të lartë. Por këtu fantastike ka vërtet dhe e gjejmë të shfaqet në vet formën e tregimit, që dhe e ndiej të nevojshme të bëj disa sqarime paraprake.

Puna është se këtu nuk kemi të bëjmë as me tregim e as me kujtime. Përfytyroni një burrë që ka përpara gruan e vetëvrarë, shtrirë mbi tryezë. Që vetëm para pak orësh është hedhur nga dritarja. Ai, aq i tronditur, nuk pat kohë as të mbledhë mendjen e të kthjellojë idetë. Vetevjen nga dhoma në dhomë dhe mundohet të kuptojë atë që ka ndodhur, “t’i përmbledhë mendimet e veta në një pikë”. Përveçse dhe një maniak i rrënjosur hipokondrik, që dyshon për çdo gjë edhe ku s’ka rrezik, nga ata që flasin vetiu.

Ja, tek flet me vete, riprodhon ngjarjen, t’ia sqarojë vetes. Megjithëse shfaqet në unitet vijimësie, kaq e kaq herë bie në kundërshti me veten, si në logjikë dhe në ndjesi. Shfajëson veten dhe bën me faj atë, e ia nis me sqarime që s’kanë të bëjnë me çështjen: këtu ka dhe vrazhdësi të mendimit dhe zemrës, por edhe një ndjenjë të thellë. Pak e nga pak ai arrin dhe të sqarohet vetes e t’i «përmbledhë mendimet në një pikë”. Vargu i kujtimeve që i ngjallen e s’mund të hidhen poshtë, e shpien më në fund tek e vërteta, e vërteta pa kundërshtim. Doemos, kjo ia ia kthjellon mendjen dhe ia lartëson zemrën. Gjersa nga fundi dhe toni i rrëfimit ndryshon në krahasim me fillimin e turbullt, e ia le vendin arsyetimit me mendje të kthjellët. E vërteta i zbulohet fatkeqit mjaft qartë dhe krejt e përcaktuar, të paktën për atë vetë.

Ja, kjo dhe është tema. Natyrisht shtjellimi i ngjarjes në vepër vijon për disa orë, me ndërprerje e pauza, i përkëmbyer e në formë të ngatërruar: herë ai i flet vetes, herë sikur i drejtohet një dëgjuesi të padukshëm, në rolin e gjykatësit. Kështu dhe ngjet përherë në realitet. Nëse një stenograf do mund ta dëgjonte fshehurazi e ta shënonte gjithë ç’thoshte, rrëfimi do kish dalë pakëz më i ashpër, më pak i përpunuar sesa e kam paraqitur unë, por besoj se mbase rendi psikologjik do mund të mbetej po ai.

Ja pikërisht kjo hamendje e tëpaqenës së stenografit që do ta regjistronte të tërën (mbas të cilit unë do kisha përpunuar shënimet), kjo mënyrë parashtrimi që zgjodha, është ajo pse e quajta “fantastike”. Por arti e ka parë më se një herë një gjë të tillë të ngjashme: Viktor Hygoja, për shembull, te kryevepra e tij “Dita e fundit e një të dënuari me vdekje”, pat përdorur gati-gati të njëjtën metodë dhe ndonëse nuk pruri stenograf për atë çështje, i lejoi vetes një mundësi që s’kish bërë vaki, duke parashtruar se i dënuari me vdekje mund (dhe ka kohë) të bëjë shënime jo vetëm në ditën e fundit të jetës, por dhe në orën e fundit madje, dhe sak mu në minutën e fundit. Po nëse nuk do ta kish lejuar këtë fantazi, s’do të qe as vetë vepra, që është më realistja dhe më e vërteta e të gjithave që kanë dalë nga pena e tij.

 



Të gjitha reagimet:
37Ti, Rudi Erebara dhe 35 të tjerë

1 Komente

  1. a
    andi

    Do sto jevski eshte nje antishqiptar dhe si i tille nuk dunet promovuar

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje