Një nga temat në qendër të diskutimit të kësaj jave në emisionin televiziv “ADN” (Art, Demokraci, Natyrë), drejtuar nga Ilir Yzeiri, ishte spektakolarizimi që shpesh media tradicionale i bën ngjarjeve tragjike, duke e lidhur këtë me trajtimin sipërfaqësor dhe të pamjaftueshëm të tyre. Në fokus të bisedës ishte tragjedia e një adoleshenti që humbi jetën pranë një shkolle në Tiranë, një ngjarje që tronditi komunitetin dhe solli një reagim masiv nga media dhe rrjetet sociale.
Në vend që të përqendroheshin në analizimin e shkaqeve të thella që çojnë në dhunë dhe tragjedi të tilla, mediat e shndërruan ngjarjen në një spektakël grotesk. Ajo që duhet të kishte qenë një mundësi për të trajtuar problemet sociale, ekonomike dhe strukturore që shtyjnë të rinjtë drejt dhunës, u kthye në një shfaqje sensacionaliste, me prindër të përlotur dhe dëshmitarë të tronditur në qendër të vëmendjes. Mediat i dhanë më shumë rëndësi emocioneve të forta dhe ngjarjeve të shkurtër dhe të intensifikuara, sesa analizës së thelluar të shkaqeve sistemike të dhunës dhe pasojave të saj për shoqërinë.
Bjorn Runa, një profesionist i ri në fushën e medias dhe i ftuar në këtë episod, komentoi mbi këtë fenomen, duke thënë se mediat shpesh luajnë një rol negativ në trajtimin e këtyre tragjedive. “Në vend që të thelloheshin tek shkaqet reale që çojnë në këto ngjarje, mediat u përqendruan në mënyrën se si ta bënin ngjarjen më sensacionale,” shpjegoi ai. Sipas tij, kjo është një formë komodifikimi e vdekjes, ku ngjarjet tragjike trajtohen si produkte televizive që duhet të shiten dhe të përfitohet prej tyre, në vend që të shërbejnë për të hapur një debat të thellë dhe të përgjegjshëm mbi shkaqet sociale, ekonomike dhe psikologjike të dhunës.
Ky fenomen është pasqyrë e një mënyre të gabuar dhe të pamjaftueshme të trajtimit të ngjarjeve tragjike nga ana e mediave, ku vëmendja është shpesh më shumë për të prodhuar spektakël dhe jo për të ofruar një vështrim të thelluar dhe të përgjegjshëm mbi pasojat dhe shkaqet që qëndrojnë pas tyre.
Lini një Përgjigje