"Ishte i ftuar në takimin e sotëm përkthyesi i romanit “Sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançës” nga Servantesi, Bajram Karabolli. Një përkthim i ri në shqip pas atij 100 - vjeçar të Nolit, me një shqipe më të pasur, fragmente dhe faqe të tëra të përkthyera për herë të parë nga Karabolli . Ripërkthimi i këtij romani ofron një qasje dhe mundësi të re leximi dhe interpretimi për lexuesin e sotshëm. Gjatë takimit me gjimnazistët e “Luan Hajdaragës”, Karabolli foli mbi procesin e përkthimit të romanit, njohjen e jetës dhe veprimtarisë së Servantesit, njohjen me veprën në gjuhën origjinale, përkthimet në gjuhë të tjera si dhe me përkthimet në gjuhën shqipe (Noli dhe Zheji).
Fragment nga romani:
Vëllimi i parë, Kapitulli XXX, fq. 402
“Dije se nuk u takon kalorësve endacakë të zbulojnë nëse të brengosurit që hasen në rrugë, të lidhur me zinxhirë dhe të shtypur, qenkan në atë gjendje dhe u torturuakan për shkak të gabimeve të tyre apo të meritave të tyre. Detyra e kalorësit në ato çaste është që t’i ndihmojë dhe t’i shpëtojë ata fatkëqij, sepse shikon mjerimin e tyre dhe jo gabimin e tyre. Unë takova një vargan me njerëz të ligështuar e të poshtëruar dhe bëra atë që Urdhri i Kalorësit më detyronte të bëja, pjesa tjetër nuk më intereson.”
Përktheu: Bajram Karabolli" - shkruan QKLL. A.K./TemA
Lini një Përgjigje