Të dëshirosh në këmbë

15 Prill 2025, 17:21Kulturë Ardian Vehbiu

Sido që ta përkufizosh qendrën e Tiranës në vitet e gjata totalitare, vështirë t’i shpëtosh makthit të një hapësire të rrethuar me mure – reale dhe imagjinare, diçka si manège për qytetarët. Me përjashtim ndoshta të Pallatit të Kulturës, qytetari nuk hynte dot lehtë në ndërtesat mbyllëse të qendrës dhe as i përdorte dot lirisht: nga Banka e Shtetit te Hotel Dajti, nga Ministritë te Komiteti Qendror, përfshi këtu edhe Bllokun. Mënyra si e “konsumonim” ne qendrën e Tiranës ishte duke shkuar atje dhe duke shëtitur sipas një intinerari që zakonisht fillonte nga sheshi Skënderbej dhe mbaronte te korpusi universitar – e mirënjohura “xhiro e mbrëmjes”, që merrte përmasa të frikshme në verë. Kjo lëvizje sa spontane, aq edhe masive, e turmave të ngeshme, vinte edhe si kontrapunkt i përdorimit të bulevardit nga regjimi, për parada të ndryshme, civile dhe ushtarake, si ato të 1 majit dhe të 29 nëntorit – i vetmi përdorim logjik i një hapësire aq absurde, se Bulevardi i Madh, i cili përndryshe nuk çonte asgjëkund.

Në një tekst ku merr spunto nga Tokioja e Japonisë, Roland Barthes-i vëren se qendra e qytetit – e çdo qyteti – nuk është veçse vatra e imazhit që kolektiviteti krijon për qendrën: kontenitori i atij përfytyrimi kolektiv. Edhe për Tiranën, sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi si vazhdim i natyrshëm i sheshit nuk ishin veçse zona të socialitetit, atij socialiteti që i njëjti Barthes preferon ta quajë erotizëm të qendrës së qytetit, sa kohë që këtë të fundit e mendojmë si vend të takimit me Tjetrin. Më mirë akoma, “qendra e qytetit gjithnjë përjetohet si hapësira ku ndeshen mes tyre forcat subversive, të rupture-s, veprojnë dhe ndeshen me forcat ludike.” E gjitha kjo për t’u vënë në perspektivën e duhur: qendra e Tiranës qëndron ndaj Tiranës, siç qëndron Tirana ndaj periferive dhe krejt pjesës tjetër të vendit. Dhe meqë në atë kohë të vetmit që zhvendoseshin lirisht nga periferia në qendër ishin studentët (duke qenë të tjerët të gozhduar nga ligjet e “pasaportizimit”), qendra e Tiranës ishte, njëfarësoj, edhe pasqyra e erotizmit (në kuptimin Barthes-ian) mbarëkombëtar. Sërish me Barthes-in: “qendra është vendi i privilegjiuar, ku gjendet Tjetri.”

Tani që e risjell në mendje sjelljen tonë në qendër, si kombinim ritual të shëtitjes në bulevard me të qëndruarit në shesh, në grupe të mëdha dhe të zhurmshme, e kuptoj edhe më mirë se qendra e Tiranës – si hapësirë për t’u përdorur e konsumuar, jo thjesht për t’u kaluar përmes – ishte edhe vendi ku rrinim zakonisht në këmbë, ndryshe nga shtëpia dhe shkolla, ku rrinim zakonisht ulur. Brezi i sotëm ndoshta e ka të vështirë ta përfytyrojë këtë, i mësuar siç është me kafetë, baret dhe lokale të tjera ku e kalon kohën e lirë ulur. Gjithsesi, për ne të qëndruarit në këmbë ishte kusht i qëndrimit në hapësirën publike. Më të moshuarit uleshin te “guri”, rreth e rrotull parkut prapa statujës së Skënderbeut a në struktura të ngjashme (disa i quanin edhe bordura) gjatë parkut Rinia në bulevard – turmat e ulura te “guri” gjithnjë më kujtojnë tani pëllumbat e mbledhur te ndonjë parvaz çatie, pasditeve të verës.

Kjo e detyrimit për të ndenjur në këmbë më kujton një pasazh nga travelogu Imperium, ku publicisti polak Ryszard Kapuscinski[1] rrëfen një vizitë të tijën në në Moskën e vitit 1989, mu në prag të përmbysjes së madhe. Vihet në kërkim të Moskës së vjetër, praktikisht e fshirë nga faqja e dheut, ca për faj të zjarreve (ai i vitit 1812, para se të hynte atje Napoleoni, është një nga të shumtit); edhe pse, sipas tij, dëmin më të madh “Romës së tretë” ia bëri Stalini vetë, duke frymëzuar dhe pastaj kuratuar në hollësi një plan për rindërtimin e kryeqytetit sovjetik, të tillë që të shprehte “triumfalizmin, forcën, monumentalitetin, sovranitetin, seriozitetin, masën, pamposhtshmërinë”. Ashtu u shkatërruan lagje të tëra, por edhe u hodhën në erë kisha dhe pallate, për t’ua lënë vendin blloqeve të apartamenteve, të rënda dhe monotone, simbole të pushtetit të ri.

E megjithatë, shkruan Kapuscinski, diçka ka mbetur nga shtëpitë e vjetra dhe pallatet e dikurshme; dhe me pak imagjinatë mund të mendohet se Moska e vjetër ishte qytet relativisht mikpritës. Ku mund të uleshe nën një portik, të rregulloje frymën në një stol mes pemëve, të hyje në një restorant a në një bar për t’u çlodhur, për t’u ngrohur, për të pirë një gotë çaj a një konjak. Në Moskën e sotme, vazhdon autori, nuk gjen asgjë nga këto. Me shoqen e vet, vjen rrotull me orë, për të gjetur një vend ku të futë kokën. Ato pak restorante, ose janë të mbyllur, ose kanë te porta ndonjë ish agjent të KGB-së, që duket sikur pret atje vetëm e vetëm që të të kapë pas jakës të palltos e të të flakë në rrugë, poshtë makinave. Sikur kjo të mos mjaftonte, shfryn Kapuscinski, i janë mbledhur edhe çorapet poshtë shputave të këmbëve, aq sa nuk ecën dot. Duhet të ulem diku dhe t’i rregulloj, thotë; po ku të ulem, ku të ulem vallë në Moskë, në mes të vjeshtës, në shi e në borë, në mes të rrugës, pa shtëpi e pa hotel siç jam (të dyja i kam larg) dhe i vetmi vend ku mund ta bëj këtë është një pellg me baltë të ngrirë. Kështu Kapuscinski.

Në fakt, hapësira e përjetuar në këmbë ndryshon nga e njëjta hapësirë, e përjetuar ulur; qëndrimin në këmbë nuk e ndan dot nga kalimtarja, e përkohshmja, ose nga statusi prej mysafiri. Por Tirana, e tëra si qytet, ende nuk ishte mësuar me të qëndruarit ulur: shumë qytetarë shkonin në punë në këmbë, ose me urban ku njëlloj rrinin zakonisht në këmbë; pastaj rrinin radhave, sërish në këmbë dhe shëtisnin në mbrëmje; madje edhe çiftet që shkonin natën në park, sidomos nga liqeni, bënin dashuri në këmbë. Shpesh alternativa e në këmbë nuk ishte aq ulur, sa në tokë (përdhe, në bar). Kjo e afron disi Tiranën me fshatin, ku njëlloj ka qenë e vështirë të gjeje vend për t’u ulur, përveçse në kafenë e kooperativës; por ku gjithnjë mund të uleshe a të shtriheshe përdhé, në ndonjë hije ose në ndonjë gur a shkëmb. Tek e fundit, edhe parapetet ku uleshin të ngeshmit në Tiranë ashtu i quanim, “guri”.

Një kulturë që e vlerëson tregun dhe pret që qytetarët të shpenzojnë para në kohën e lirë, do ta kish rrethuar Bulevardin e Madh me dyqane, kioska, kafe, restorante dhe atraksione të tjera, për të tërhequr atje shëtitësit; kjo nuk ndodhte në Tiranën e viteve totalitare, sepse askujt nuk i bëhej vonë për paratë e atyre që rrinin në rrugë. Madje sipas një morali urban gati folklorik, i riu dhe përgjithësisht qytetari nuk kish punë të rrinte në rrugë: rruga ishte territor i pakontrolluar, ku i ekspozoheshe deri edhe rrezikut për t’u bërë rrugaç. Nënat do t'i qortonin vajzat kështu: mbete rrugëve!; dhe ndoshta është akoma. Kjo na sjell prapë tek erotizmi i Barthes-it, me rrugën si vend i kontaktit me Tjetrin – tërheqës, intrigues por edhe gjithnjë me rrezik.

Sërish citoj nga Kapuscinski, tek Imperium. Duke u sorollatur në rrugëzat e Moskës së vjetër, thotë ai, m’u duk sikur, për një moment, e kapa kuptimin e Revolucionit të Tetorit, asaj ngjarjeje madhore të shekullit XX që, siç e dimë të gjithë, ia ndryshoi kursin historisë njerëzore. Dua të them, vazhdon, se katet përdhese të këtyre shtëpive dhe ndërtesave që përsëriten kilometër pas kilometri shërbenin (dikur!) për të strehuar dyqane, punishte, restorante dhe kafe të vogla. Këtë e kupton nga dritaret-vitrina, nga lloji i shkallëve, nga portat me dy kanate dhe nga hapësirat e brendshme plot ajër. Këtu pulsonte zemra e Moskës së vjetër merkantile, plot gjallëri dhe sipërmarrje. Në këto rrugë çapiteshin turma njerëzish. Kishte ngjyra, rrëmujë, dinamizëm, ekzotizëm. Duke i përshkuar të njëjtat rrugë, sot të vdekura dhe të shkreta, i kthej sytë instinktivisht për të parë mes vitrinave. Nuk shoh gjë tjetër, veç skrivanive. Më kot do të kërkoja banakë dhe rafte, artikuj kinkalerie dhe stofra. Asgjë tjetër, veç skrivanive, të prodhuara pa shije. Të vendosura përbri njëra-tjetrës, ngjeshur, të shtyra me gjunj, gati të stivuara si shtretërit e një kaserme. Kushedi sa diskutime, sa mbledhje, sa studime do të jenë bërë për këtë temë me rëndësi jetike: si të futim edhe një skrivani tjetër? Mbi shkrivanitë, mund të shohësh pirgje materialesh të daktilografuara, formularësh e pyetësorësh. Dhe (një element tjetër i gjithëpranishëm) gotash çaji.

Shpesh, shkruan Kapuscinski, dinakëria shfaqet në gjërat më të thjeshta. Rrugëzat ku eci ma konfirmojnë këtë të vërtetë: manovra që u siguroi fitoren bolshevikëve ishte dëbimi dhe shpronësimi i tregtarëve (njerëz të pavarur, që udhëhiqen nga ligjet e tregut) dhe transferimi, në dyqanet e tyre, i funksionarëve, që janë një vegël e bindur dhe kokulur e pushtetit. Njeriu prapa banakut u zëvendësua nga njeriu prapa skrivanisë, dhe kështu triumfoi revolucioni.

Regjimit të Hoxhës, në Tiranë, si çdo regjimi totalitar që e merr veten seriozisht, i interesonte edhe një etikë tjetër e përjetimit të hapësirës publike – qortimi ndaj gjithçkaje që lidhej me foljen rri (ndonjëherë edhe brenda togfjalëshit rri kot). Kush e përdorte hapësirën publike për të ndenjur, tundohej njëlloj nga dy të këqia sociale dhe mund të përfundonte në rrugaç ose në parazit: të dyja të dënueshme, deri edhe penalisht. Kjo etikë i jepte shëtitjes së mbrëmjes disa atribute prej “orës së lirisë” të të burgosurve, ku “të rrije kot” tolerohej prej autoriteteve; dhe e kthente qendrën e Tiranës në oborr burgu, ku liria dhe robëria vinin dhe i përkisnin të njëjtës hapësire. Në një kuptim, “xhiroja” në bulevard nuk ishte veçse manifestimi ritual i mijëra e mijëra vetëve, që nuk kërkonin asgjë por vetëm sa riprodhoheshin si masë apolitike. E megjithatë, në atë masë që kërcënimi politik ekzistonte, duket ironike që kjo “xhiro”, me masën qytetare që kalonte përnatë poshtë dritareve të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe fare pranë “bllokut”, mund të lexohej edhe si protestë e shkallës zero, madje edhe po të mos lexohej si formë karnevaleske e paradave politike të regjimit.

Nëse “xhiros” së mbrëmjes i lejoheshin valëzime, pauza, batica dhe zbatica, rrallime dhe dendësime, kjo nuk mund të ndodhte me modelin e saj origjinal, që induktonte bulevardi: parakalimin a paradën. Edhe kur u lihet ta bëjnë civilëve, parakalimi nuk i shkëputet thelbit ushtarak, i cili i referohet marshimit – dhe që e dallon parakalimin nga korteu (kortezhi), procesioni dhe ecje të tjera ceremoniale. Marshimi i bindet një ritmi specifik, me të cilin sinkronizohen hapat e të gjithë atyre që ecin dhe që zakonisht amplifikohet nga një instrument (daullja) ose një orkestër (banda) – dhe ashtu përmban elemente edhe të rreshtores, edhe të ceremonialit, edhe të sportit (gjimnastikës). Paradën e 1 majit gjithnjë e shoqëronte ritmi i bandës, edhe pse disiplina e ecjes masive, madje edhe para tribunës, nuk i afrohej koordinimit të përsosur të paradës ushtarake. Edhe simbolikisht, marshimi i masave popullore në bulevard përfaqësonte marshimin përpara të “Shqipërisë socialiste”, progresin e planëzuar dhe të disiplinuar, me udhëheqjen e Partisë në komandë; në një kohë që masa e shëtitësve në xhiron e mbrëmjes mund edhe të ndalej ose të ndryshonte kahun e ecjes – pa sjellë kjo ndonjë katastrofë. Dhe Bulevardi i Madh, në të gjitha rastet, dhe ashtu i zbrazur nga trafiku siç ishte, i shërbente Tiranës si treadmill, që të paktën ruante iluzionin e një qyteti që ecën.

Ditët e shënuara të parakalimeve a paradave i lajmëronte atmosfera e nginjur me muzikë ushtarake, që përftonin bandat. Ndryshe nga orkestra të tjera, banda ushtarake detyrohet të luajë në këmbë, me instrumentistët në gjendje edhe ata të marshojnë si ushtarët, ose të ecin me të tjerët. Kjo mbase përcakton edhe llojin e instrumenteve që luan banda dhe natyrën (timbrin) e muzikës që ajo përfton – sepse e ka të vështirë njeriu të përfytyrojë që bandës t’i shtohet një violoncelist, pa folur pastaj për pianistin. Lexoj tani se Europa Perëndimore e mësoi muzikën ushtarake nga Perandoria Osmane, dhe pikërisht nga jeniçerët, që e kishin zakon ta përdornin atë lloj muzike në ceremonitë e tyre: siç e provon edhe muzika alla turca që shfaqet tek-tuk në repertorin muzikor europian, në shekujt XVIII dhe sidomos XIX (“marshi turk” i Mozartit, si koha e fundit e Sonatës për Piano in A Major, K 331 është nga këto ndoshta më i famshmi); kjo lloj muzike, kur e performuar në skenë, shpresohej të evokonte njëfarësoj jo aq eficiencën e ushtrisë osmane, sa spektaklin e saj.

Ashtu si në mjegull, më kujtohet që banda e paradës së 1 majit dhe e parakalimeve të tjera luante një repertor specifik marshesh – të tillë që pjesët e shkëputura të shkriheshin mes tyre, në një kolonë zanore të vetme, sfilitëse, për masën që ecte në bulevard, një farë krimb-gjarpri i majmur dhe gjigant, të cilit i rrihte zemra kavernoze me ritmin e mbytur të daulles herë reale, herë alegorike. Edhe udhëheqja e Partisë dhe e Shtetit, shfaqur në tribunën e selitur dikur para Hotel Dajtit, pastaj përballë Komitetit Qendror, rrinte në këmbë, ndonjëherë me orë, duke përshëndetur me dorë parakaluesit. Edhe publiku i paradave, i ardhur aty me ftesa të veçanta, rrinte në këmbë në të dy anët e bulevardit, duke brohoritur, duartrokitur dhe tundur lulet prej letre. Në këmbë rrinin edhe rojet, që ruanin udhëheqjen nga ndonjë e papritur, siç rrinte në këmbë edhe paralelopipedi i Rektoratit në fund të bulevardit, shenjë pikësimi totemike e një fjalie njerëzish që nuk mund të pranonte pikësim tjetër.

Në esenë e tij kushtuar semiologjisë urbane, Barthes-i përmend edhe dallimin – sipas tij thelbësor – mes qyteteve me ujë dhe qyteteve pa ujë, duke i quajtur të parat si më të jetueshme dhe më të lexueshme – me ujin që mund të jetë një buzë deti, një liqen ose, më mirë akoma, një lumë që i bie qytetit mes për mes. Në mungesë të ujit, thotë ai, bulevardi kryesor i qytetit – course në frëngjisht, concourse në anglishte, corso në italishte – mund të shërbejë si surrogato e kësaj mase ujore, ose hapësira ku rrjedh qyteti. Tirana edhe e dëshmon të paktën dëshirën, sado të mekur, për lumë: Lana, që të paktën e ka shtratin e vet dinjitoz, siç ka edhe urat e shumta mbi të, pavarësisht nga rryma mjerane e ujit dhe pisllëku që përcjell. Por Bulevardin e Madh vështirë ta përfytyrosh pa kryqëzimin me Lanën, dhe urën – që më tepër do të kujtohet si një lloj ballkoni, sehiri a belvedereje, për të gjithë ata që e merrnin në sy të kundronin peizazhin pingul me bërrylat mbështetur te parmaku prej betoni. Përndryshe, Bulevardi vetë, qoftë në momentet e paradave të mëdha civile dhe ushtarake, qoftë i përdorur nga rituali i xhiros së mbrëmjes dhe i protestës zero, e rridhte qytetin pika-pika deri te diga përmbyllëse e hiçit – hapësira para korpusit universitar, ku lumi njerëzor vinte e mpakej e shterej për t’u katandisur në kënetë të plogët.

(c) 2025 Ardian Vehbiu & 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhet ilustruese janë përfyturuar me Flux dhe Midjourney. Botohet me leje te TemA.

Tekstin e Barthes-it, Sémiologie et urbanisme, në fakt leksion i mbajtur prej tij në 16 maj 1967 në Institutin e Historisë së Arkitekturës, së Universitetit të Napolit, mund ta lexoni këtu.

[1] Këtu e më poshtë, citoj nga botimi italisht i Universale Economica Feltrinelli, i vitit 1995.

Lini një Përgjigje