Derviciani u rikthye në qendër të vëmendjes se trashëgimisë së pasur të veshjeve tradicionale të Dropullit dhe Pogonit, si një dëshmi e gjallë e historisë, kulturës dhe identitetit të komunitetit.
Studiuesit dhe njohësit e folklorit, si Mihal Kiçaqi nga Dropulli dhe Kristo Çeliqi nga Pogoni, theksojnë se ruajtja e këtyre veshjeve nuk është thjesht çështje muzeale, por një akt identiteti dhe vetëdijeje kulturore.
“Kjo është një iniciativë e mirë në fakt që mund të frenojë shumë gjëra por dhe mund të përmirësojmë shumë gjëra”, tha studiuesi i folklorit, Mihal Kiçaqi.
“Unë këtë aktivitet e shikoj si diçka të veçantë dhe aq më shumë për krahinën e Pogonit e cila është një krahinë e mënjanuar. Megjithatë ne mundohemi të mbajmë traditat tona të cilat kanë kaluar nga shekulli në shekull”, studiuesi Çeliqi.
Në të njëjtën frymë, Kostandina Bezhani, kryetare e Komitetit të Pakicave Kombëtare, vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes së nismave që ndihmojnë në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore të pakicave, si pjesë e pasurisë së përbashkët kombëtare.
“Ne, si Komitet i Pakicave na jepet mundësia që të promovojmë veshjet e të 9 minoriteteve që ekzistojnë në Shqipëri”, tha Bezhani.
Dropulli dhe Pogoni mbeten shembuj të gjallë të ruajtjes së identitetit përmes kulturës, ku kënga, vallja dhe kostumi tradicional janë pjesë e pandashme e jetës dhe krenarisë lokale. - RTSH-
Lini një Përgjigje