Ali Podrimja ka qenë shkrimtar shqiptar nga Kosova. Autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Ali Podrimja është një nga poetët më të shquar shqiptarë, i njohur për thellësinë dhe fuqinë e shprehjes së tij poetike. Veprat e tij, të mbushura me emocione, reflektime filozofike dhe një lidhje të thellë me identitetin dhe historinë shqiptare, janë një pasuri e çmuar për letërsinë shqiptare dhe botërore. Në bibliografinë e tij, Ali Podrimja, numëron më tepër se dhjetë vëllime me poezi, ndërsa kritikët letrarë e kanë cilësuar atë si – “përfaqësuesin më tipik të poezisë shqiptare”.
Stili i tij i shkrimit përfshinte botën e vet poetike të cilën e artikulonte përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij janë epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore.
Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë ku edhe kaloi rininë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi deri në fund të jetës. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqind mijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe.
Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Diellin tënd verbuar e kanë tytat.
E vatrat shkimbur deri më një…
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik “Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkroi në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore “Lum, Lumi”, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare. Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjës, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.
Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz, gjë që e intrigoi përkrahësin e talenteve të reja, Esad Mekulin, të merrej me të dhe të ndihmonte formimin e tij si poet. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, “Lum Lumi”. Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja.
Vargu i Podrimes karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Ali Podrimja ishte Anëtar i Qendrës Europiane të Artit (EUARCE) të Greqisë. Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit.
Ali Podrimja vdiq në rrethana të pasqaruara. Ali Podrimja, ishte gjetur pa shenja jete në qytetin Lodve të Francës me datë 21 korrik të vitit 2012. Atë kohe, Podrimja, kishte udhëtuar drejt shtetit francez për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Francë – “Voix de la Mediterranee”.
Por, vizita e tij e vitit 2012 rezultoi të ishte fatale pasi që Aliu ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij, të cilët thanë se kontaktet me poetin i kishin humbur që nga data 18 korrik. Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar, “fakt” ky që nuk u besua plotësisht nga familjarët e poetit.
Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar.
Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar. Mes veprash më personale të autorit është “Lumi Lum”, të cilën ia kushtoi birit të tij që u nda nga jeta në moshë të re, Lumit. Vepra të tjera të njohura nga Ali Podrimja janë edhe; “Thirrje”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”, “Torzo” , “Folja”, “Credo”, ”Fundi i Gëzuar” dhe “Pikë e zezë në blu”. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.
Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Kosova është gjaku im që nuk falet!
Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur, pishë…
Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
– Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar..
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.
NJË NATË NGA NETËT PA GJUMË
Zgjohu Kosovë! Zgjohu nëna ime e dashur,
zgjohu, oj! A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
si t‘i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
Ç‘janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
në derë të oborrit askush s‘po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.
ëndrrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
se nuk do të harrojmë vendlindjen.
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.
Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;
Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarë jemi…
Plepi im qiellin do ta shpojë,
Qiellin e humbur majë një shpate.
/panorama/
Lini një Përgjigje