Universi poetik i pranverave te humbura

23 Shkurt 2026, 17:45Kulturë Nga Feti ZENELI

 
 
- Shënime për poezinë e Arjana Fetahu Gaba -
 

Universi poetik i pranverave te humbura
 
Libri poetik “Pranverat që humbëm” i poetes Arjana Fetahu Gaba vjen si një dëshmi e fuqishme e një zëri lirik të konsoliduar, që ndër vite ka arritur të krijojë një identitet të qartë dhe të dallueshëm në poezinë shqiptare bashkëkohore. Lindur në Fier në vitin 1977 dhe prej vitit 1996 e vendosur në Garfield, New Jersey, SHBA, autorja përfaqëson një tipologji krijuese që bashkon përvojën e brendshme të gruas shqiptare me sfidat e ekzistencës së mërgimtarit modern. Vitet në diasporë, bashkëpunimet me media të ndryshme shqiptare, pjesëmarrja në antologji letrare dhe botimi i librave të saj të mëparshëm poetikë - “Më zgjo në shpirtin tim një flutur” (2019), “Sa do të doja” (2021), dhe “Sytë e gruas”(2025) - kanë formuar një profil të qartë: poetja flet me zë të sinqertë, me shpirt të ndjeshëm e me një talent që i jep fjalës dimension të dyfishtë: emocional dhe simbolik.
 
Melankolia e pranverave të humbura - një koncept poetik
 
“Pranverat që humbëm” është më shumë se një libër poetik; është një gjurmë e thellë në kujtesën e kohës, një depozitë emocionesh dhe idesh që shpalosen natyrshëm, me qartësi të brendshme dhe thjeshtësi të përpunuar. Poezia e Arjanës nuk kërkon të imponojë mendimin, por të ngjallë ndjeshmëri. Ajo nuk e vesh veten me pretendime filozofike, por i rikthen poezisë rolin e saj të parë: rolin e rrëfimtares së shpirtit njerëzor.
Titulli i librit - “Pranverat që humbëm” - qysh në leximin e parë krijon një imagjinatë të ngarkuar me simbolikë. Pranvera përfaqëson ringjalljen, rikthimin, fillimin e ri, gjelbërimin e shpirtit, ndërsa humbja e saj shndërrohet në një metaforë të dhimbjes, të kohëve të shkuara, të mundësive që nuk u jetuan. Ky motiv përshkon të gjithë librin si një damar i heshtur që mban gjallë poezitë: te secili varg ndihet një dritë e dalë prej errësirës, një brengë e kthyer në mësim, një kujtim që përkundet në fjalë. Në poezinë “Në isha për ty pak dashuri” lexojmë: “Sytë m’janë zbehur edhe pjekur,/ Nga kripë e lotëve të mia.”
Këtu drita e syve të zbehur merr formën e pranverës së djegur. Lotët - simbole të një dhimbjeje të duruar - janë edhe shenjë e qëndresës. Poetja s’kërkon ta dramatizojë përjetimin; ajo e sjell thjesht, në një fjalor të ngjashëm me një rrëfim të brendshëm, që i flet vetes, por bashkë me të flet edhe lexuesi.
Ajo ndërthur një ndjeshmëri të thellë emocionale me reflektimin e mprehtë mbi jetën dhe shoqërinë, duke krijuar një univers poetik ku përjetimet intime bashkëjetojnë me temat universale të ekzistencës, të vendlindjes dhe të dashurisë. Fryma e përgjithshme e krijimtarisë së saj është intensive, introspektive dhe e ngarkuar me melankoli, shpesh e përshkuar nga meditimi mbi humbjen, largimin dhe kujtesën.
 
Tematika e vendlindjes dhe patriotizmit
 
Një nga shtyllat më të spikatura të poezisë së saj është dashuria për vendlindjen dhe atdheun - një motiv që ajo e trajton me një ngrohtësi të brendshme dhe një sens thellësisht emocional. Poetja nuk ndalet vetëm te përshkrimi i vendeve, peizazheve apo hapësirave, por zbërthen ndjenjat që shoqërojnë humbjen, emigrimin dhe kohën që rrëshqet pa u ndjerë. Poezitë e kësaj teme nuk janë vetëm rrëfim për një vend konkret, por simbol i identitetit personal dhe kolektiv, i kujtesës dhe i rrënjëve të saj.
Nostalgjia e fortë që i shoqëron këto vargje krijon një atmosferë të ngrohtë e të dhimbshme njëkohësisht, ku mallin nuk e dëgjon drejtpërdrejt, por e ndjen në imazhet, metaforat dhe simbolet që poetja zgjedh me kujdes. Kjo frymë mishërohet qartazi edhe në vargjet më poshtëme: “O flamur, të kam në gjak,/ Je betimi që marr hak,/Për Atdhe hidhem në flakë!/ ...Të valavitesh mot më mot,/ Në tokë të babës të jem zot,/ Të mos shoh të nënës lot!”
 
Dashuria si përjetim shpirtëror
 
Një tjetër shtresë qenësore e poezisë së Arjanës është tema e dashurisë, e trajtuar jo vetëm si ndjenjë romantike, por si gjendje shpirtërore, si pulsim i jetës, si dialog i brendshëm i njeriut me vetveten dhe të tjerët. Këto poezi kanë një intimitet të veçantë, një frymë të ngrohtë që shpalos mall, zjarr, pasion e përjetime të brishta njerëzore.
Në poezinë e saj, dashuria është një akt i shenjtë, një lutje e brendshme, një dridhje që nuk kërkon fjalë të mëdha për t’u ndier. Ajo lëviz nga intimja drejt universalja, nga përjetimi i gruas tek përjetimi i njeriut. Nuk është dashuria e metaforave të fishekzjarreve, por e plagëve të heshtura, e mungesave, e pritjeve të gjata.
Figuracioni i natyrshëm, ritmi i butë i vargut dhe imazhet e ndërlikuara poetike krijojnë një klimë emocionale ku fjala merr peshë shpirtërore dhe i drejtohet lexuesit në mënyrë të ndjeshme, shpesh të nënkuptuar. Këtë ndjesi e përforcojnë edhe vargjet e mëposhtme: “I dashur gjysma ime më e mirë,/ Çerek shekulli mbushëm sot me kalendar./ Dy të panjohur në të njëjtin stacion,/ Dy bashkudhëtarë”
Një kënvdështrim tjertër sjellin vargjet: “Takova të zhveshur nga dashuria,/ Shpirtvegjël, me sy të mëdhenj./ Shumë të tjerëve ua pashë fytyrat,/ Shterur si lumenj...” Këtu kemi një kontrast të goditur: “shpirtvegjël” - njerëz me horizont të ngushtë, me mendësi primitive, me shpirt të shterur. Por “me sy të mëdhenj” sugjeron diçka tjetër: ose kureshti të zbrazët, ose një lloj etjeje të pashpjeguar; sy që shohin shumë por nuk kuptojnë aq shumë. Sytë e mëdhenj shpesh lidhen me frikë, habitje, pritje - gjithçka që shfaqet kur mungon thelbi i brendshëm. Poetja vëren një masë njerëzish, një përkim të gjendjes së tyre. Nuk është një rast i izoluar - kjo boshësi është diçka që ajo e sheh te shumë fytyra. Krahasimi është i fortë dhe shumë vizual. Lumenjtë janë simbol i jetës, rrjedhës, vazhdimësisë. T'i shterësh do të thotë t’u humbasësh gjallërinë, lëvizjen, ujin - domethënë energjinë dhe shpirtin. Njerëzit e përshkruar janë lumenj të tharë, të mbetur pa forcën e tyre natyrore të brendshme. Vargjet krijojnë një pikturë poetike për njerëzit e cekët, të boshatisur emocionalisht, që ecin në botë pa dashuri, pa thellësi, pa rrjedhë të brendshme. Poetja duket si një vëzhguese e ndjeshme, që sheh atë që të tjerët shpesh e injorojnë: gjendjet e brendshme të njerëzve përreth.
 
Emigracioni dhe largimi: nostalgji dhe reflektim
 
Tema e emigracionit, po aq e pranishme dhe e fuqishme, sjell në poezi një tjetër dimension emocional. Largimi shfaqet si një plagë e hapur, si një dhimbje që nuk shuhet me kohën, por shndërrohet në një përvojë që shënon shpirtin e njeriut. Poetesha e portretizon emigracionin me metafora të gjetura - rrënjë të prera, udhë pa kthim, horizonte të zbehta - duke i dhënë kësaj teme një thellësi njerëzore, shpesh të pikëlluar, por edhe reflektuese.
Emigracioni shfaqet në libra të tërë në letërsinë shqipe, por tek Arjana merr një trajtë të veçantë: nuk është tragjedi epike, por dhimbje e heshtur, e përditshme, e pambyllur. Mërgimtari i saj është një hije që endet mes dy botëve, një figurë e përhershme e pasigurisë dhe e mungesës, mbushur me mall: “Ne më s’u pamë, as u këmbyem,/Si të mërguarit në shtegtim./ I vetmi vend ku ti jeton;/ Liman i qetë i shpirtit tim.”
Në poezinë e saj, mërgimi është: një shteg i pafund, një plagë që s’ mbyllet, një ankth i butë, një mall i lindur për t’u përjetuar, jo për t’u shëruar. Kjo e bën vargun e saj thellësisht njerëzor dhe universal. Ky dimension ndjehet fort sidomos në poezitë që përshkruajnë fshatrat e braktisur, qytetet e zbrazura, mallin e papërmbajtur që e bën njeriun të ndihet edhe banor i botës, edhe i askundit. Në vargjet e poezisë: “Ç’ti bëj tokës” jepet qartë kjo situatë: “Ç’t’i bëj tokës që rri pa mua,/ Më pret nëna atje, s’duron dot më./ Zotit i lutet t’i marrë ditë hua,/ As mua malli, nënë nuk më “nxë”. Ose tek vargjet: “S’ po më zë gjumi, nëna ime,/ S’kuptoj vërtet si mund të fle./ Trupin kam këtu, në shtratin,/  Po mendjen larg, tek ty, atje...”
Poezi të tilla kanë një ngarkesë të thellë emocionale dhe përshkruajnë një dhimbje të qetë, të përmbajtur, por shumë të fortë. Poetja nuk gjen qetësi, sepse mendimet e tij janë të pushtuara nga shqetësimi për nënën. Këtu gjumi simbolizon paqen, stabilitetin, sigurinë. Kontrasti trup - mendje shpreh një ndarje të dhimbshme. Trupi është i pranishëm fizikisht, por mendja endet larg, aty ku është nëna, zemra, kujtesa, detyrimi moral dhe dashuria. Ky është imazhi tipik i mërgimtarit, njeriut që është i copëzuar në dy vende njëherësh, aq sa vetëm thënia e thënia e Senekës mund të të vij në ndihmë për të kuptuar gjëndjen që përjeton: “E di pse nuk gjen paqe kur ndërron vend? Sepse vërtet ndërron vend, por veten tënde e merr me vete...” S’ka vend në botë që mund të na shpëtojë nga vetja, nga mendimet, frikat apo plagët që mbajmë brenda. Ndërrimi i vendeve mund të na japë një iluzion lëvizjeje, por qetësia vjen vetëm kur njeriu përballet me veten, kur e kupton dhe e pajton shpirtin me botën e tij të brendshme. Ndaj vargjet për emigracionin flasin për mall, faj të pamerituar, përgjegjësi familjare, brengë, dashuri të pakushtëzuar - tema universale. Imazhet janë të thjeshta, por goditëse; nuk ka dekorime të panevojshme, vetëm emocione të pastërta: “Mërgimin kush e njohu/ Atdhenë deshi më shumë./ E kemi qarë me lot,/ Në sy nuk vumë gjumë.”
Shumë poezi trajtojnë jetën si një grotesk të dhimbshëm, si një sprovë të vazhdueshme që e gjen njeriun të pambrojtur: “Hajde, ndize një cigare/ Të të heq atë mërzi,/ Hallet janë varg, vëlla/ Sikur gurët në tespih..”
Këto vargje, me thjeshtësinë e tyre, mbajnë një filozofi të tërë brenda. Jeta është një udhë e lodhshme, por gjithmonë e vlefshme për t’u jetuar, sepse brenda saj vijnë edhe pranverat - sado të humbura të jenë ato: “Ngrije kokën, atje tej/ Mes dy reve shkrep një zjarr,/ Mërzitur zoti me ne,/ Ndaj hiqemi bythësh zvarrë”.
 
Stili dhe mjetet artistike
 
Stili i Arjana Fetahu Gabës është i pasur figurativisht dhe i larmishëm në qasje. Ajo ndërton imazhe të forta vizuale, përdor metafora të guximshme dhe ndërton një botë poetike ku mendimi dhe emocioni krijojnë një tërësi harmonike. Personifikimi, aliteracioni, krahasimi dhe antiteza janë ndër mjetet që ajo përdor me delikatesë për të krijuar ritmin e brendshëm të poezive.
Pavarësisht se trajton shpesh tema të mëdha shoqërore, historike apo ilustron fate njerëzore, poetja ruan gjithmonë një intonacion personal, të brendshëm, duke e bërë zërin e saj lehtësisht të dallueshëm.
Këtë vështrim stilistik e mishërojnë edhe vargjet e fuqishme të mëposhtme nga poezia “Duhet të jetojë”: “Një qiell gri si hi cigaresh/ Shpirtin ma trazuan sot./ Stuhi që detesh më vërvit/ E nuk shpëtoj, që s’shpëtoj dot.”
Stili i Arjana Fetahu Gaba është: emocional, por i përmbajtur, figurativ, por jo i rënduar, muzikor, por jo i sforcuar, popullor, por i përpunuar letrarisht.
Vargu i saj është i lirë, i ngjeshur me ritëm të brendshëm. Poezia e saj shpesh i ngjan një bisede me shpirtin, një letërshkëmbimi me kohën, një lutjeje të fshehtë nën zë.
 
Fryma e përgjithshme
 
Në tërësinë e saj, poezia e Arjana Fetahu Gaba është e mbushur me energji shpirtërore, me intensitet emocional dhe me reflektime ekzistenciale. Nostalgjia, melankolia dhe pasioni ndërthuren natyrshëm me motivet e jetës, dashurisë, vendlindjes dhe largimit. Krijimtaria e saj prek zemrën e lexuesit jo vetëm me mesazhin, por me dridhjen e brendshme që mbart fjala e saj poetike. Sepse poezitë janë pasqyrë e shpirtit njerëzor, e dhimbjes dhe e bukurisë së përditshme, e asaj që humbet dhe asaj që mbetet në kohë.
 
Veçoritë e gjuhës dhe të ligjërimit poetik
 
Një tjetër element që e veçon poeten është zgjedhja e kujdesshme e gjuhës dhe e ligjërimit. Gjuha e saj është e pasur me nuanca, e ngarkuar me ngrohtësi emocionale, por ruan thjeshtësinë kur duhet të flasë drejt e të prek shpirtin e lexuesit. Në poezitë me frymë popullore - ato që evokojnë kujtime fëmijërie, dashuri të përditshme, peizazhe natyrore - ligjërimi merr një tonalitet të afërt me traditën e këngëve dhe të rrëfimeve të kësaj natyre.
Ajo përdor imazhe të natyrës, elemente të jetës së përditshme, objekte të thjeshta që marrin kuptim emocional - si lulja, dielli, bora, uji, shtegu - dhe i transformon në simbole të përjetimit të brendshëm. Forma e vargut mbetet fleksible, duke ndjekur ritmin e ndjesisë më shumë se rregullin e metrikës, çka e bën ligjërimin të afërt, të besueshëm dhe të prekshëm.
Sado të thjeshta të duken vargjet, ato mbartin gjithmonë një ngarkesë të fortë ndjesore, duke e krijuar një komunikim të drejtpërdrejtë e njerëzor me lexuesin: “Kur ditën e zgjoi/ trokitja e diellit,/ kur vesa mbi trëndafil u tret,/ kur në asfalt të lagur/ pasqyrohej ende qielli,/ u ngazëllye thellë/ i ndjeshmi poet.”
Një nga arritjet kryesore të poetes është aftësia për të ruajtur ekuilibrin mes gjuhës së përpunuar poetike dhe ligjërimit të afërt, popullor, të butë. Në poezitë intime, gjuha është e brishtë, metaforike, e ngrohtë. Në poezitë e dashurisë apo të mallit, ajo është e thjeshtë si bisedë, e butë si ninullë, e natyrshme si këngë popullore.
Metaforat e saj burojnë nga natyra, nga jeta e zakonshme, nga elementet e jetës së përditshme: mollët, stinët, shtegu, loti, syri, drita, rrënjët...
Kjo thjeshtësi e bukur i jep poezisë një dimension folklorik, duke e lidhur autoren me traditën e grave-poete shqiptare që kanë ditur të kthejnë dhimbjen në art.
Duhet përmendur kontributi i Arben Bllacit, gazetar, poet, tregimtar, eseist, përkthyes i njohur, që i jep materialit poetik një rregull të brendshëm, një ekuilibër që e bën librin të tingëllojë si i tëri - i plotë, i përmbushur, i hapur ndaj leximit të thellë.
Në “Pranverat që humbëm”, arti i autores dhe mjeshtëria redaktuese bashkohen natyrshëm, duke krijuar një libër që jo vetëm lexohet, por edhe përjetohet.
 

 
 

Lini një Përgjigje