Vdekja e autorit

1 Korrik 2024, 12:40Kulturë Ardian Vehbiu

Një lajm i hidhur, që një ditë do të vinte – dhe që i rriteshin gjasat me çdo ditë që kalonte; e megjithatë, që nuk ka kuptim dhe që nuk do të ketë shumë kuptim: I shquari Ismail Kadare u nda prej kësaj bote. Librat e tij i kemi dhe i lexojmë dhe do t’i lexojmë; fjala e tij gjithnjë na përhihet para syve dhe në mendje; bota e ndjellë prej fiksionit të tij letrar, sado fantastike, fiton dora-dorës një realitet të vetin, që qëllon edhe t’i mbivendoset këtij tonit, të përbashkëtit.
Si të pajtohet njeriu me ikjen e shkrimtarit? Më të lehtë e kam të përfytyroj dhimbjen e Helenës, të Gresës dhe të Besianës, por edhe të miqve që i kam pasur të përbashkët me të; kujtoj si do ta qante nëna ime, që e kish pasur shok të afërt, në universitet – por u nda nga kjo botë para tij, dhe duke lexuar një libër-intervistë me të, që ato ditë Covid-i sapo kish dalë. Siç arrij të përfytyroj dhimbjen e të gjithë atyre që e duan fjalën shqipe dhe janë identifikuar me frymën e veprës së tij, në trojet e shqipes dhe gjetiu në botë; dhe janë mësuar me praninë e tij herë në qendër, herë në periferi të vetëdijes së tyre. Njerëz të apasionuar pas dinjitetit, vlerës letrare, estetikës së fjalës; njerëz që te Kadareja kishin investuar shpresën e tyre, përballë mediokritetit kulturor që i rrethonte dhe që i rrethon ende. Dhimbjen e tyre e përfytyroj dhe bëhem pjesë e saj.
Njëlloj e mendoj edhe fundin e fenomenit Kadare si epilogun e asaj Shqipërie kulturore që, për shkak të një kombinimi unik rrethanash, arriti të materializohej në vitet politikisht më të errëta për qytetarët e saj, të cilët – pavarësisht nga frika, ankthi, dhuna totalitare dhe kalbëzimi moral – nuk i braktisën ambiciet e tyre. Brenda asaj Shqipërie kulturore Kadareja ishte barkëtari që tentoi ta zhvendoste vendin e vet nga Lindja në Perëndim, siç e zhvendosi veten; një orvatje njëherazi e dëshpëruar dhe e dënuar jo aq të dështonte, sa të pillte, në analizë të fundit, një lloj të ri izolimi në mediokritet. Por këtij tragetimi me barkë, si aventurë, nuk i munguan momentet herë rrëqethëse herë entuziaste; sikurse nuk i mungoi vullneti për gjeste të mëdha, dhe aq më tepër të mëdha, në krahasim me peshën e Shqipërisë në balancat globale.
Mjaft të kujtoj këtu rolin që luajti Kadareja – dhe sidomos, rolin që publiku në Shqipëri kujtoi se luajti Kadareja – në kalimin nga totalitarizmi në post-totalitarizëm; identifikimin e tij, në sytë e shumicës, me Disidentin me D të madhe, që nuk ishte; por që megjithatë veproi si i tillë, të paktën në fantazitë tona; dhe ashtu e patëm edhe ne një shkrimtar të madh, disident dhe “europian”, i cili u largua pastaj nga fushëbeteja, duke kërkuar strehë në Francë, njëlloj si Skënderbeu dikur, që pat zgjedhur të luftonte kundër ushtrive osmane rrethuese të Krujës duke u larguar nga kështjella.
Natyrisht, unë i përkas brezit që ende e mendon si të mbyllur, krijimtarinë e Kadaresë, në fund të vitit 1990; ndryshe nga një brez tjetër, mjaft më i ri, që atë autor e ka njohur me vepra të tjera, të ndryshme, të botuara më pas; dhe aq më keq, me angazhimin e tij si intelektual publik. Ai vit u tregua moment kthese jo vetëm për fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në Europën e pas-Luftës së Ftohtë, por edhe për fatin e shkrimtarit, në përpjekjet e tij për të ruajtur atë relevancë që, në analizë të fundit, do të rezultonte triviale – në krahasim me radhët e librave që kishim në biblioteka. Dhe, në çdo rast, brezi im e njohu Kadarenë dhe u apasionua pas tij, duke e parë si shkrimtarin shqip, që shkruante për ne dhe që na ushqente me ato iluzione, për të cilat kishim nevojë; çfarë është edhe detyra edhe morale, edhe sociale, e letërsisë. Mbase edhe brezat që erdhën më pas, e lexuan krijimtarinë e tij të mëpasme sipas të njëjtave kode; çfarë më bën të përsërit se viti 1990 jo vetëm e ndau historinë e Shqipërisë dhe të Kadaresë vetë më dysh, por njëlloj i ndau edhe lexuesit e tij, ata që e patën zgjedhur për kapiten të tragetit, dhe që pastaj qëlloi që u gdhinë, një ditë pranvere të fillimviteve 1990, në një anije refugjatësh drejt brigjeve të Perëndimit, pa kapiten.
Tani është momenti i koreve të përshpirtshme dhe i klisheve të zhvarrosura dhe i fytyrave të vrerosura të të gjithë atyre që prej Kadaresë nuk kanë lexuar asgjë ose, më keq akoma, kanë lexuar por vetëm për t’u armatosur në betejat e tyre banale; momenti që prisnin të gjithë ata që eksitohen vetëm nga vdekja – sepse vdekja i lejon t’i nxjerrin në publik mendimet dhe qëndrimet e tyre të hekurosura. Do të thuhet, siç pritet, se njerëz si Kadareja “nuk vdesin kurrë”, paçka se kjo është çuditërisht e vërtetë, për çdo shkrimtar aq të dashur dhe aq të lexuar sa ai. Si për shumë të tjerë, edhe për mua shkrimtari i madh mbetet i gjallë dhe pishtar i ndezur, për sa kohë mbetet gjallë tek unë jehona e veprës së tij letrare dhe dëshira për t’iu kthyer e rikthyer.
Dhe ende nuk po flas këtu për atë Kadare – kategori tekstologjike dhe narratologjike, përemër të parë të gramatikës letrare e kulturore kombëtare – që e kemi bërë tonin dhe që na ka folur dhe na flet, madje edhe kur flasim për të, e përmendim, e diskutojmë dhe e kujtojmë. Tashmë i gramatikalizuar, ai e ka arritur pavdekësinë ndryshe nga ç’pretendojnë dhe ç’do të pretendojnë t’ia japin pushtetarët, burokratët dhe përfituesit që edhe këtë herë do të jenë të shumtë; dhe fati i tij nuk do të ndahet dot më, nga fati i kulturës shqipe në shekullin XXI e më tej; dhe të gjuhës shqipe, si gjuhë e denjë për ambiciet më guximtare.
I qoftë dheu i lehtë,

Ardian Vehbiu

16 Komente

  1. G
    GINO STRABLIGIO

    Leni mo keto lloj hartimesh qesharake . Vebi ti je nje nder ata plot mllef ndaj qepe dhe ti lenia te huajve ta vleresojne se jane realist, tipat si ti e ata per te cilet flet jeni ca dinseze dhe kaq

    Përgjigjjuni
    1. N
      Nje shok

      Shume bukur e ke thene Gino! Nje pyetje kisha une: e lexove shkrimin e Ardian Vehbiut, apo nuk denjove fare, nga lartesia e budallallekut ku qendron?

      Përgjigjjuni
      1. P
        PURITANI

        Më vjen mirë që ky Vehbiu dhe të tjerë mjekërcjepër shpëtuan nga " koha pa moral " ( siç thotë vetë Vehbiu ) e para 1990 dhe tani jetojnë në një kohë plot moral. Eh, si është kjo qënia njerëzore ! Secili quan moral dhe të moralshme kohët, sjelljet dhe veprimet që iu përshtaten interesave dhe shijeve të veta. Ja, për shembull, unë budallai e konsideroj krejt kohë pa moral kohën e sotme ideale të vehbinjve, ku horri, gangsteri dhe krimineli bëhet pasanik, fiton pushtet drejtpërdrejt ose nëpërmjet influencës tek pushtetarët, pra bën ligjin, kohën kur dhjetëra mijëra vajza shqiptare fshijnë trotuaret e Perëndimit ( dhe të Tiranës ) me bythë si prostituta, kur dhjetëra qytetarë të pashpresë vrasin njëri-tjetrin për shkak të bixhozit dhe borxheve, kur qindra mijëra shqiptarë e shqiptare janë bërë gjysëm njerëz nga përdorimi apo tregtimi i drogës, kur shqiptari rropatet me vite nëpër zyrat e gangsterëve të administratës publike dhe nuk fiton të drejtën, kur drejtësia dhe mjekësia janë shndërruar në salla të ankandit ku e drejta dhe shërbimi fitohen vetëm me para etj.et.etj.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Ana

          Ku eshte lidhja me Kadaren ketu o Puri?

          Përgjigjjuni
      2. N
        Ndjeste paste KADAREA I MADH !

        Ku njohin gazetaret Kadarene kur nuk shkruajne Shqipen e rregullt.

        Përgjigjjuni
        1. v
          vehbi rropsi i qelbet

          meshele gojen o derr i psit

          Përgjigjjuni
          1. E
            Erdogan

            E dinte dhe ju ka share pradhenje. Me nje fjale ta ka fut i pari. Ti je i vonum ose gjysmak.

            Përgjigjjuni
          2. M
            Moni

            U prehsh ne paqe dhe ngushellime familjes! Por ke qene i perkedheluri i gjithe regjimeve. Ish zv/sekretar i frontit, deputet ne kuvendin popullor, shtepia tek pallati pas 15-katshit i ndertuar me porosi enkas per personalitetet besnike te kohes, vuajtjet qe i shkaktove familjes se Renatos etj., etj.... tere privilegjet gezuat familjarisht me ose pa merite (per Gresen dhe Besianen e kam fjalen). Personalisht kam vite pa lexuar veprat e tua, riperseritje e se njejtes teme 100 here, ora tek komunizmi te kishte ngelur. Si nuk shkruajte njehere per problemet aktuale te vendit, nuk besoj se nje shkrimtar i mire e ka te veshtire me aq halle dhe veshtiresi qe kaloi Shqiperia keto 33 vitet e fundit te gjente subjekte nga me te ndryshmet. Bukur e shite veten dhe ne perendim, "i persekutuari", "i rrezikuari", "kerkuesi i azilit politik", ... ne vitin '90 kur kishte marre fund gjithcka. Kam pershtypjen qe dhe komisioni i cmimit Nobel dic dinte mire per ty, sa mbete tere jeten kandidat i perhershem......

            Përgjigjjuni
            1. L
              Lip Gjanica

              Disident?! Dhe luftonte nga Franca si Skenderbeu ne rrethinat e Krujes?!! Sa per te qeshur keto epitete dhe krahasime. Himni flamurit thote:”..prej lufte veca ai largohet,qe Eshte lindur tredhetar,kush Eshte burre nuk frikesohet,por vdes si nje hero..” Keto vargje tradhetoj “disidenti “ Kadare Kur ja mbathi ne France per te ruajt bythen e vet dhe la studentet rrugeve ne proteste.

              Përgjigjjuni
              1. N
                Noci

                Si vazhdojmë te jemi ne shqiptaret.Dikur kishte shume njerez bile edhe jo komuniste qe mbanin shenime ne bllok dhe kur i vinte dita i villte para masës vetem per te demtuar dhe ti numeronin te Tea ata qe sipas tyre prishte vihen e partisë.Po pa kujtojmë ne se do vendosnin ne ato kryesi organizmash mbushur me injorante ,Kadarenë,Agollin,Kristaq Ramen,sportiste me reputacion ne popull per te balancuar hunjte e gardhit qe qeverisnin .Kushdo shkrimtar qe do shkruante ,Pashallarët do te hynte ne burg,apo Dimrin e vetmisë se madhe qe e detyruan te beje ndryshime,por Kadareja nuk mund te futej ne burg,as Xhuvani qe beri Tunelin,as Agolli me Shokun Zylo se kishin arritur te njiheshin jashte kufijve dhe regjimi nuk donte te kishte kritika per shkelje kunder ketyre figurave,qe populli me poshte hynte ne burg edhe po te shante buken.Te pakten diten e vdekjes t'a nderojme kete figurë qe beri per Shqiperine dhe Kosoven edhe ne ekzil

                Përgjigjjuni
                1. S
                  Saliu dora vetë

                  Po mire po te dashurit te vajzes se tij Kadarea i vuri sigurimin e sjtetit deri sa vdiq,ai ishte njeri i pa skrupull i lig ne shpirt,perendia ymer zoti te shtymen.

                  Përgjigjjuni
                  1. D
                    D.Kallajxhiu

                    Histeri kolektive vajtimi për një njeri që kurrë nuk u lartësua,dhe kjo për shake te shpirtit të tij "katran". Në fakt pati ca momente krenarie edhe Malua ynë,dhe pikërishtë kur shtrengonte e permallej gati me lot me diktatorin the jo vetem kaq. U Munda ta lartësonte nje eksponent i ish sigurimit,nje gjakpires gjaku kosovarësh nje Xhevit Shala,që çuditërishtë Malua u gjend në një vil së bashku me të tek "Mali i Robit,mbase kujtuan vitet e bashkpunimit? Por edhe propaganda ne televizione e ish shefit te hetuesisë shqipëtare nuk e lartësuan Malon,po e lanë në gjyrizin e historisë që vete e shkroji! Dhjetra u vranë u persekutuan nën marshin e vjershes bajate "Komunizmi' ku dielli I partise nuk deportonte vetëm nëpër guva se aty zvariteshin armiqtë e kllasës që kushedi se ku e shkroi mbase në hale.vdiq e lau borxhin si gjithë të tjerët,asgjë më shumë.

                    Përgjigjjuni
                    1. D
                      Deda...

                      Z.Vehbiu, Socializmi shqiptar dhe ekonomia liberale janë dy anët e së njëjtës monedhë... Vrap se të ikën gaveta...

                      Përgjigjjuni
                      1. K
                        Kronikani

                        U mblodhen pisat arnaute, u bashkuan si taborre otomane, me heshta te ndryshkura, minj gjirizesh, per te pushtuar kalane shqiptare te letersise.

                        Përgjigjjuni
                        1. I
                          Iliri

                          I lumi ai që vdes në këmbë.

                          Përgjigjjuni
                          1. D
                            Disident me D të madhe.

                            Mund të them vetëm e ke qarë këtë shkrim, ashtu siç ti gjuhëtar di të shkruash. Për mua Ismail Kadare do të jetë: “ Kadareja ishte barkëtari që tentoi ta zhvendoste vendin e vet nga Lindja në Perëndim” Shumë e bukur????????????????????????????????

                            Përgjigjjuni

                            Lini një Përgjigje