Libri gjithmonë ka qenë më shumë se një objekt. Në ditë tona, ai trajtohet shpesh si trend, një objekt që duket bukur në Instagram ose në duar, por jo gjithmonë si përvojë e vërtetë leximi. Ndaj, pyetja që lind është: sa lexojmë vërtet dhe sa bëjmë sikur lexojmë?
Në episodin e ri të Apostrof Podcast, botuesja Arlinda Dudaj ndalet tek mënyra se si shoqëria shqiptare e sheh librin. Nga njëra anë, ai trajtohet shpesh si luks, sepse çmimi i tij nuk është i arritshëm për të gjithë. Nga ana tjetër, libri përdoret edhe si performancë, një objekt që duket bukur në rrjete sociale, apo një shenjë se “lexojmë” edhe kur kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Megjithatë, për Dudajn kjo nuk është domosdoshmërisht diçka vetëm negative. Fakti që libri ende shfaqet si trend do të thotë se nuk ka humbur vlerën e tij simbolike dhe mbetet i pranishëm në nënvetëdijen tonë.
Biseda prek edhe 'inflacionin' e shkrimtarëve dhe poetëve në Shqipëri, ku shpesh duket se ka më shumë autorë se lexues, si dhe dilemën e botuesve mes tregut dhe përgjegjësisë kulturore.
Arlinda Dudaj ndalet edhe tek librat më të shitur. Sipas saj, vazhdojnë të dominojnë titujt e tipit “Si të bëhesh i pasur”, “Si të jetosh i qetë”, “Si të arrish suksesin”. Ky trend, thotë ajo, është pasqyrë e një gare të pafund kapitaliste, ku lexuesi kërkon formula të shpejta dhe gjysmë të gatshme për lumturinë dhe mirëqenien, në vend që të reflektojë mbi nevojat reale për kuptim dhe përmbushje. Në këtë kuptim, tregu i librit shpesh nuk flet për atë që kemi më shumë nevojë, por për iluzionet që sistemi na shet si nevoja.
Në bisedë, Dudaj prek edhe idenë se e shkuara nuk përsëritet kurrë njësoj, por gjithmonë shfaqet në forma të tjera dhe pikërisht për këtë arsye, kultura dhe leximi janë të rëndësishme si mjete për të dalluar kur logjika e së keqes rishfaqet nën emra të rinj.