Nata e dytë e Korça Serenights, e titulluar “Me këngë e kitarë, dashuri kërkonim”, është zhvilluar në një prej lagjeve historike të qytetit, pranë Liceut. Publiku ka pasur mundësi të shijojë performancat e mrekullueshme të Mimoza Paravelit, Ëndërr Serenatë Band dhe Vaske Niço, Jorgjeta Lalazit dhe bandit “Hani i Pazarit”, si dhe tingujt e Cofiel Band.
Këngëtarja korçare Mimoza Paraveli tha se është gjithmonë kënaqësi të rikthehet në Korçë e madje të këndojë këngët e preferuara, siç janë serenatat.
“Jemi rritur me këto këngë dhe më pas i kënduam vetë. Mendoj që brezi ynë është me fat që u rrit në atë kohë kur serenatistët ishin mes nesh. Ne i morëm të pastra serenatat, të pa deformuara, qoftë në vijë melodike, qoftë në tekste që ishin aq të bukura. Më vjen keq kur i dëgjoj, qoftë dhe një ndryshim i vogël të tekstit, por po i mbijetojnë kohës.” – u shpreh këngëtarja Mimoza Paraveli.
Ky festival vjen si një vlerë e shtuar e qytetit të Korçës, pasi synon të ruajë dhe të përcjellë ndër breza këngët e bukura të serenatës.
Instrumentisti Kostika Zdruli u shpreh se, “Është një kënaqësi për ne Cofiel Band që ruajmë traditën. Ky festival është një vlerë e shtuar e qytetit dhe në këtë edicion të dytë nxjerr në pah repertorin e pafund të serenatës.”
Nata e dytë e Korça Serenights ishte si një rrëfim dashurie me zëra që prekën zemrat e publikut. Tingujt e serenatave u shtrinë mbi qytet si një kujtim i gjallë, duke u kthyer në poezi dhe nostalgji nën dritat e mbrëmjes. - RTSH-
Lini një Përgjigje