Ekziston një lloj mizorie e pazakontë tek mënyra se si industria moderne e argëtimit e trajton njeriun e thjeshtë. Ai vendoset në ekran pa asnjë lloj përgatitjeje artistike, në mungesë të një busulle intelektuale dhe duke mos qenë në gjendje të kuptojnë koston e famës, duke e gjetur veten brenda një laboratori emocionesh të ndërtuar për konsum masiv. Gjithçka – nga dëshira tek turpi, konfuzioni, vetmia dhe përbuzja – amplifikohet nën dritat e studios, duke e shndërruar njeriun në material bruto për të mbajtur gjallë spektaklin.
Në romanin “Imun” të autorit Tobias Xhaxhiu, ky element frymëzon intermezzo-n tragjike të librit. Një i ri, i ardhur nga një realitet rural, befas merr pjesë në një dating shoë, duke shpresuar se më në fund do të marrë vëmendjen, njohjen dhe ndoshta edhe dashurinë që i ka munguar gjatë jetës. Por, në vend të kësaj, ai kthehet në subjekt të një eksperimenti më të madh, duke u manipuluar dhe ekspozuar ndaj një audience të uritur për spektakël. Identiteti i tij shpërbëhet, jo nga ndonjë dashakeqësi, por për shkak të indiferencës së një sistemi që ushqehet përmes brishtësisë së njeriut. Në universin e romanit, ky shfrytëzim emocional ndërthuret me virusin që shkakton haluçinacione, duke shkrirë kufirin mes presionit psikologjik dhe infektimit nga virusi.
Rezultat i gjithë kësaj është një shoqëri që synon të prodhojë histori me një ritëm që pamundëson aftësinë për të kuptuar njerëzit brenda këtyre historive… Një botë, ku argëtimi më shumë se sa reflekton realitetin, e deformon atë.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Virusi brenda nesh: Tobias Xhaxhiu për “Imun”, turpin dhe "shtëpinë" e xhamtë në të cilën jetojmë