VIDEO/ “Tirana, një qytet që po jeton në përshpejtim të plotë,” Elvin Nuri për kaosin dhe mundësitë që lindin prej tij

12 Dhjetor 2025, 18:58Kulturë TEMA
VIDEO/ “Tirana, një qytet që po jeton në përshpejtim

Në vëllimin e tij debutues me poezi, “Kaos Zherminal”, Elvin Nuri shkruan për një gjeneratë mjaft specifike – Millenials – dhe përjetimet e tyre mes transformimit kaotik të Tiranës, një qytet që, siç Nuri i referohet edhe gjatë bisedës në episodin e radhës të Apostrof Podcast, po jeton në përshpejtim të plotë.

Pyetjes se si arrin të mbijetojë një qytet që mbart në shpinë katër kohë të ndryshme emocionale – nga brezi i heshtur i paradiktaturës, te prindër të rritur dhe formësuar gjatë komunizmit, e deri tek millenials dhe gjenerata ‘Z’, Nuri i përgjigjet duke shmangur nostalgjinë dhe tendencën për të fajësuar. Përshpejtimi, thotë ai ka krijuar shtresëzime deri në atë pikë, as shpesh edhe kuptimësia ka filluar të zbehet, duke krijuar mjaft konfuzion. Megjithatë, ai shton se ky konfuzion jo domosdoshmërisht paralizon gjithçka tjetër, por krijon edhe mundësi. E njëjta mbivendosje që na çorienton, krijon edhe hapësirë për të eksperimentuar, dështuar, apo për të provuar gjëra të reja që deri vonë mund të kenë qenë të paimagjinueshme. “Shqiptarët po debatojnë kudo”, thotë Nuri, “në familje, në kafene, në taksi,” dhe i gjithë ky fërkim mund të shihet si shenjë e sinqertë e një shoqërie që vazhdon të jetë e gjallë.

“Nëse mund të shkojnë gjërat për dreq, ai është bast që e kemi humbur me kohë,” thotë Nuri, ndërsa sugjeron se pyetja e vërtetë është me thjeshtë, por njëkohësisht edhe më e vështirë: A mund ta shfrytëzojmë këtë kaos – këtë mbivendosje dhe përshpejtim – për të reflektuar më në fund në lidhje me gjëra që janë vërtet të rëndësishme?