Në Teatrin Metropol u vu në skenë fundjavën e shkuar shfaqja interaktive për fëmijë, “Krishtlindjet e humbura”.
Fëmijët ndoqën aventurën magjike të Anës dhe Kristës, dy vajzave që zbulojnë se atmosfera e Krishtlindjes në qytetin e tyre është zhdukur papritur: dritat janë fikur, këngët kanë heshtur dhe gëzimi është tretur sikur nuk ka ekzistuar kurrë.
Udhëtimi i dy vajzave nis mes pyjeve të humbura, personazheve të çuditshëm dhe takimeve plot dritë, ku çdo hap u mëson se magjia fshihet në zemrat e njerëzve. Një zë misterioz i zbulon Anës dhe Kristës se, festën mund ta rikthejnë vetëm duke gjetur tre elemente: dashurinë, mirësinë dhe besimin.
Shfaqja në Metropol ndërthur dialogun, muzikën dhe ndërveprimin me publikun, duke ftuar fëmijët të bëhen pjesë e aventurës. Në përfundim misteri i Krishtlindjeve zgjidhet me ndihmën e dikujt që askush nuk e pret.
Shfaqja do të rikthehet për vogëlushët edhe në fundjavën e ardhshme, më 20 dhe 21 dhjetor. A.K./TemA
Lini një Përgjigje