Vijnë festat për Teatrin e Kukullave, hapet dhe muzeu (VIDEO)

7 Dhjetor 2025, 08:51Kulturë TEMA
Vijnë festat për Teatrin e Kukullave, hapet dhe muzeu (VIDEO)

Teatri Kombëtar i Kukullave festoi dje 75-vjetorin e krijimit, një jubile që shënon historinë e një institucioni të dashur për breza të shumtë fëmijësh.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momentet nga ndezja e dritave të festave te Teatri i Kukullave i cili sipas tij u kthye në një moment magjik së bashku me vogëlushët e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Rama bëri të ditur se “në 75-vjetorin e teatrit u hapën edhe hapësirat muzeale të trashëgimisë artistike, me personazhet më të dashura e më të njohura të skenës”.

I themeluar më 6 dhjetor 1950, në godinën e ndërtuar në vitin 1925, e cila dikur ka qenë selia e parë e Parlamentit shqiptar, Teatri i Kukullave vijon të mbetet shtëpia më e dashur e artit për të vegjlit.

Artistët që i kanë dhënë jetë këtij institucioni ndër vite kujtojnë me emocion rrugëtimin e gjatë të teatrit.

Për të shënuar këtë 75-vjetor, Teatri i Kukullave ka përgatitur një program të gjerë festiv, ndriçimin e pemës së fundvitit, si dhe hapjen e ambienteve të reja muzeale për fëmijë dhe të rritur.

Deri më 30 dhjetor, fëmijët do të mund të ndjekin shfaqje falas, ndërsa vizitorët do të përfitojnë guida muzeale pa pagesë.

Me këtë rast kujtohen figurat e para që ngritën artin e kukullës në Shqipëri: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Xhavit Sallaku, Lorenc Pepa, Mirketa Çobani, Zef Kurti, Eva Pëllumbi, Melpomeni Çobani, Bakie Baboçi, Shegushe Bebeti e shumë të tjerë.

Janë pikërisht këta artistë që kanë bërë të paharrueshme personazhe ikonike si Pinoku, Borëbardha, Ujku, Gjergj Elez Alia, Bardhoshja dhe Zana, duke lënë gjurmë të thella në kujtesën e publikut të vogël ndër vite.

Teatri fton të gjithë qytetarët të bashkohen në festimet e këtij viti jubilar, duke rikthyer emocionet e fëmijërisë dhe duke përjetuar magjinë që ka shoqëruar prej dekadash publikun më të pastër, fëmijët. A.K./TemA

1 Komente

  1. k
    koki

    Bravo Melsi dhe stafi i këtij teatri që dhe të riturve ju ngjallen emocjonet e vegjëlisë,Melsi është një artiste dhe organizatore e shkëlqyer e cila kudo që ka punuar ka sjellë ndryshim....

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje