“Çuditërisht, për të parën herë pas shumë kohësh, u ndie i çliruar, sikur të lirohej nga një peng që kishte kohë, vite që po e hante si një sëmundje e pashërueshme, por pa e vrarë.
Midis asaj turme që vraponte nga të katërta anët, e çakërdisur, e hutuar, e frikësuar, e trembur, e llahtarisur, e trishtuar, ai ishte i vetmi që ishte i qetë”.
Romani “Viti i Elefantit”, një roman që ka ngjallur interesin e lexuesve dhe të kritikëve letrarë flet tanimë edhe në gjuhën bullgare.
Botuesi bullgar, Plamen Totev i shtëpisë botuese Perseus në një intervistë e ka cilësuar librin “Viti i Elefantit”, një roman historik për një periudhë të panjohur për bullgarët nga autori i ri shqiptar, Brajan Sukaj. Ai e ka quajtur atë 'një kryevepër letrare dhe një histori shumë njerëzore për marrëdhënien baba-bir'.
Romani do të jetë edhe pjesë e panairit pranveror në Sofje, i cili ka nisur më 26 maj dhe do të vijojë deri më 1 qershor. “Një festë për botuesit dhe për të apasionuarit e librit dhe kulturës. Një mundësi shumë e mirë komunikimi mes autorëve dhe lexuesve”, kështu e ka cilësuar botuesi këtë panair. “Viti i Elefantit” nga autori shqiptar, Brajan Sukaj, është një roman i pazakontë, në të cilin nuk përcaktohet drejtpërdrejt as koha e as hapësira, e aq më tepër personazhet mbeten të paemërtuar, duke e humbur kështu nevojën e përshfaqjes, por duke i dhënë rëndësi ngjarjeve dhe përmbajtjes së vërtetë. Ngjarjet zhvillohen në Arabinë para-islamike.
Një Arabi shumë ndryshe nga ajo pas-islame. Një Arabi pa shtet, e ndodhur në hapat e para të evoluimit shoqëror, pra në rendin e bashkësisë fisnore, një vend i rrezikshëm për të jetuar ku sundonte principi i “peshku i madh ha peshkun e vogël”.
Quhet ashtu sepse vepra merr shkas nga një ngjarje e ndodhur atëherë, kur një prijës etiopian vendos të sulmojë Mekën me një ushtri e cila kishte edhe elefantë.
Ngjarjet historike janë përdorur si skelet për të ndërtuar një version letrar. Në vepër ngrihet teza e historisë. Çfarë është historia? Si e njohim ne atë? A mund të ketë ndodhur ndryshe? A mund të vërë letërsia në pikëpyetje historinë? A e shkruajnë fitimtarët historinë? Për librin janë shkruar kritika të ndryshme, të cilat autori i ri i cilëson të vlefshme për vijimin e punës së tij.
Dy vjet më parë romani i tij në dorëshkrim “Viti i Elefantit” doli në short-listën e Çmimit Kadare. Brajan Sukaj është një ndër autorët e rinj të letërsisë bashkëkohore shqipe, i cili pati një debutim të suksesshëm me romanin "Ciklopi". Me këtë roman fitoi Çmimin e Vitit në Panairin e Librit Tirana 2018 dhe Çmimin “Romani më i mirë i vitit për vitin 2018 dhënë nga Bukinist.al. Gjithashtu, romani i dytë, “Viti i elefantit” shënoi një tjetër arritje në zhanrin romanor tek ky autor.
/AB/