Xhez

13 Maj 2025, 17:16Kulturë Ardian Vehbiu

Në Shqipëri jazz-it i kanë pasë thënë xhez, para se t’i thoshnin xhaz; dhe ky dallim nuk ka pasur të bënte me shqiptimin vetëm, por me perceptimin ndryshe të muzikës. Shqiptimi xhez kishte hyrë, pas gjase, nëpërmjet kulturës të sjellë nga Bashkimi Sovjetik prej studentëve; meqë jazz-i amerikan atje gjithnjë ishte pëlqyer shumë, madje adhuruar prej rinisë. Megjithatë, në kulturën e sterilizuar të viteve 1960-1970, xhaz-i shpesh ngatërrohej me rock-un dhe muzikën perëndimore pop në përgjithësi.

Intuitivisht, “njeriu i ri” e lidhte xhaz-in me ritmin e shpejtë, vallëzimin, tundjen, promiskuitetin seksual dhe shthurjen. Edhe Fjalori i Shqipes së Sotme i vitit 1984 e përkufizon xhaz-in si “muzikë me prejardhje amerikane, që karakterizohet nga shkelja e rregullave të harmonisë e të vijës melodike dhe nga ritmi i shthurur.”

Bashkëlidhja e xhaz-it me ritmin, dhe pikërisht me perkusionin, i ka rrënjët edhe në përdorimin metonimik të fjalës (në shqiptimin xhez), për të shenjuar instrumentin perkusiv (gjithnjë sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme: “Daulle me disa tambure të cilave u bien me shkopinj.”).

Një nga gjërat që donin të bënin fëmijët e moshës sime, ishte t’i binin xhezit; çka ishte krejt e ndryshme nga t’i bije daulles. Daullja mbetej folklorike, pothuajse orientale dhe anadollake në rrumbullakësinë e saj; xhez-it, përkundrazi, i binin djem të shkathët dhe chic (ose kinga, siç u thoshin atëherë), në lokale ku vallëzohej deri vonë.

Ky përdorim është i llojit metonimik; por nuk di të them nëse në shqipe ka hyrë apo jo nga rusishtja. Gjithsesi, edhe në Bashkimin Sovjetik, edhe në Shqipëri, xhez-i lidhej gjithnjë me estradën dhe varietenë; madje fjala përdorej ndonjëherë për të shenjuar orkestrën përkatëse. “Lloj orkestre e përzier, që ka kryesisht vegla frymore e me goditje dhe që luan pjesë të lehta,” thotë Fjalori.

Muzikanti që i binte xhezit (the drummer) quhej, aso kohe, xhezbandist (asnjëherë xhazbandist), në thelb, anëtar i një grupi xhazi – edhe kjo fjalë e marrë nga rusishtja (nga rusishtja джазбандист, me gjasë pseudo-anglicizëm; vëreni temën xhez për xhaz). Edhe këtu, zhanri muzikor reduktohej te instrumenti perkusiv, ose te prominenca e ritmit.

Çfarë luanin orkestrat e jazz-it në Shqipëri? Repertori standard përfshinte pjesë të njohura italiane, spanjolle, kubane ose ruse, shpesh me nën-tone të forta cigane; por edhe ndonjë shqiptare, të viteve 1950. Zakonisht tango, rumba, foxtrote, valse e ndonjë kërcim tjetër më i rrallë. Një muzikë e tillë nuk kishte shumë lidhje me jazz-in amerikan; madje as me atë të big bands të viteve të paraluftës. Orkestrantët nuk improvizonin, por vetëm luanin, me gjallëri të veçantë, pjesë të pikësuara nga ritme të njohura vallëzimi.

Në Bashkimin Sovjetik xhez-in e praktikonin deri edhe kompozitorë të kalibrit të Shostakoviçit. Kush e ka dëgjuar Shostakovich: The Jazz Album do ta ketë vënë re se kjo lloj muzike është larg konceptit perëndimor për jazz-in; duke tingëlluar më shumë si muzikë e lehtë orkestrale, tepër ilustruese ose me ngjyra të ndezura, gati festive, për shkak të timbrit të spikatur; mua më kujton gjithnjë kolonat zanore të filmave italianë të viteve 1950-1960, veçanërisht Nino Rota-n (kompozitori i Fellini-t), që s’e ka klasifikuar kush si autor jazz-i.

Megjithatë, jazz-i amerikan ka qenë gjithnjë popullor në Bashkimin Sovjetik, duke filluar nga vitet 1920. Rrënjët e jazz-it në kulturën afro-amerikane dhe vetë fakti që lidhjet sovjetike-amerikane kanë qenë gjithnjë shumë më intensive nga ç’kujtohet (madje edhe në vitet 1920-1930), do të kenë ndikuar në këtë popullaritet. Pas Luftës II Botërore, “Voice of America” filloi të transmetonte rregullisht programe të jazz-it amerikan, duke i përdorur si një armë propagande soft. Ironikisht, para Luftës II Botërore, jazz-i shihej si një lloj antikulture edhe në Perëndim, edhe në Bashkimin Sovjetik: andej, ngaqë i bashkëlidhej shtresave më të ulëta të hierarkive sociale (afrikano-amerikanëve), këndej, ngaqë elitat politike e shihnin me dyshim, si muzikë licencioze dhe kaotike, që synonte pështjellimin e shijeve dhe të mendjeve.[1]

Ai pak popullaritet që kishte xhez-i në Shqipëri (alla russa) erdhi duke u venitur pas vitit 1960, teksa banorët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të mëdha filluan të ndryshojnë zakonet dhe mënyrën si i kalonin mbrëmjet; dhe lokalet e natës erdhën duke u mbyllur ose varfëruar. Brezi i prindërve të mi shkonte rregullisht në restorante që kishin muzikë live (xhez) dhe pista vallëzimi; për brezin tim, vallëzimi në restorant ishte thjesht një kuriozitet – meqë ishte zëvendësuar tashmë nga mbrëmjet e vallëzimit, ku zakonisht nuk ofrohej ushqim, as pije. Televizioni, në vitet shtatëdhjetë, ia dha goditjen e fundit këtij zakoni të bukur.

Statusin e xhez-it në Shqipëri e ndërlikoi edhe marrëdhënia e vështirë e kulturës totalitare me ritmin dhe perkusionin. Sot e kësaj dite, shqipja nuk ka një fjalë të përshtatshme për drum set: natyrisht, xhez nuk përdoret më, por edhe bateri vjen nga italishtja dhe nuk qëndron mirë semantikisht në raport me baterinë e telefonit, ose të topave; daulle mbetet e sferës folklorike, njëlloj si tupan.

Për arsye të njohura, folklori urban dhe gjysmë-urban e lidh perkusionin me festën, kërcimin dhe kremtimin në përgjithësi; ndërkohë që ritmi i shpejtë në vallet popullore gjithnjë ka gëzuar përkrahje zyrtare, madje është interpretuar si shprehje e gjallërisë kombëtare tradicionale.

Përkundrazi, në muzikën e lehtë ritmi ka qenë parë si një nga ato kanale nëpërmjet të cilit do të depërtonin ndikimet e huaja; muzikantët e viteve 1960 dhe sidomos 1970-1980 do ta mbajnë mend që porosia, nga drejtuesit artistikë dhe censorët ishte që seksioni i ritmit të mbahej nën kontroll, të mos lejohej të dilte në krye, të mos e grishte publikun për t’u tundur.

Natyrisht, ritmi nuk kufizohej vetëm me perkusionin; edhe instrumentet e basit, veçanërisht kontrabasi, duheshin bërë zap; më pas, kitarës bas i miratoheshin vetëm linja naive. Kitara bas paguante edhe për mëkatet e simotrës së vet, kitarës elektrike, me të cilën mund të përftoje jo vetëm vijë melodike, por edhe e njëkohësisht ritëm dhe harmoni. Në të vërtetë, tingulli i një kitare shoqëruese e ka gjithnjë një element perkusiv (goditje).

Në orkestrat e improvizuara të mbrëmjeve tona të vallëzimit deri nga mezi i viteve 1980 kur filluan të hyjnë në përdorim pianolat (ose tastierat elektronike), muzikantët vinin me kitara elektrike të bëra vetë (preferohej druri i panjës) dhe bateri të thjeshta, me dy ose tri elemente. Orkestrat me saksofon ose trompë kushtonin më shumë; fizarmonika konsiderohej pak si e demoduar, por gjithnjë e nevojshme; klarinetën nuk e donte kush.

Këto orkestra luanin gjithfarë pjesësh: xhez sovjetik (pjesë spanjolle, italiane dhe latino-amerikane, kryesisht kubane dhe braziliane, të filtruara e të ripërtypura nëpërmjet shijeve ruse-sovjetike dhe të mbijetuara që nga vitet muzikalisht të hareshme 1950-1960); xhez shqiptar, ose pjesë të përshtatura nga këngë të lehta ose kolona zanore; xhez italian dhe anglez, ose muzikë pop të kohës, me elemente të theksuara rock-and-roll-i. Orkestra të mira ishin ato që luanin pjesë të tilla, që t’u pëlqenin çifteve vallëzuese.

Herë pas here, orkestrat nisnin të improvizonin, mbi një bazë ritmike ose harmonike. Kjo ndodhte edhe kur ndonjërit prej muzikantëve i duhej të largohej përkohësisht, për arsye të ndryshme; por më shumë kur muzikantët e vërenin se salla kërkonte të vallëzonte edhe më. Në fakt, jazz-i nuk është aq formë muzikore konvencionale, sa çlirim prej konvencioneve, për të ruajtur dhe përcjellë shpirtin e muzikës.

Më kujtohet një thënie nuk di e kujt: nëse nuk di çfarë muzike po luan, atëherë është jazz.

Kur orkestrat e vogla kishin luajtur për një kohë të gjatë së bashku dhe muzikantët ia njihnin dorën shoku-shokut, improvizimi dilte bukur dhe pëlqehej; variacionet ridhnin natyrshëm; dhe çdo muzikant dinte jo vetëm kur duhej të largohej nga linja, por edhe kur duhej të kthehej atje.

Lindjen e jazz-it shqip nuk e ka kremtuar kush; as në mbrëmjet e dëfrimit të gjimnazit, as në shakatë e orkestrinave popullore dhe të ciganëve të mërzitur nga repertori rutinë.

Gabimi që bëjnë shumë sot, është që ta ngatërrojnë jazz-in me free jazz, ose avant-garde jazz; sikurse shumë të tjerëve fjala u kujton vetëm muzikantë post-bop: John Coltrane, Miles Davis, Bill Evans, Charles Mingus, Herbie Hancock. Ky lloj jazz-i vështirë të hedhë rrënjë e të shijohet nga publiku shqiptar; është ndoshta i dënuar të mbetet i preferuar i pak aficionado-ve, ose i snobëve lokalë.

© 2009-2025 Ardian Vehbiu. Imazhi ilustrues është përpunuar me Adobe Firefly. Botohet me leje te TemA.

[1] Solomon Volkov, The Magical Chorus, A History of Russian Culture from Tolstoy to Solzhenitsyn, Vintage 2009.

1 Komente

  1. O
    O

    Thank you, Ardian!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje