Zenit botim i ri:

Vurrata në flatra - antologji engjëjsh
Autori: Krenar Zejno
Dy pjesët e këtij libri i bashkon, si dy brigjet, një det. Diku, deti më i vogël në botë. Det sa një pikël lot. E diku-diku, i ndan një det i tërë. Çka i bashkon është kushtimi i vargjeve atyre që i janë kushtuar poezisë. Poetëve.
Pjesa e parë, si dedikim për poetë të shqipes, ndër ata që nuk janë më mes nesh. Renditja në libër ndjek kronologjinë sipas ndarjes nga jeta. Jetë poetësh, jo pak prej të cilave shenjuar nga dhembje e shembje, pamundësim e ndalime vepre, gjer ndërprerje me vrasje.
Në pjesën e dytë përvijohen profile të sprovës kah poezia e, po aty, dhe dukuri të dështimit të saj. Si e tillë, kjo pjesë, përveçse me të parën, e përmban edhe brenda vetes atë qasje përafrimi dhe largimi si mes brigjeve përkundruall. Diku, sa vau ose vija e rrjedhe të hollë fjollë, dhe më tej sa një lumë i gjerë a det i tërë.
Përfshirja e autorëve në këtë vëllim poetik është, do-s’do, vetëmse pjesore; termi ‘antologji’ në titull nuk synon assesi emërtimin si kategori.
Përtej dëshirës, poetë të admiruar edhe nga autori këtu, do t’i mungojnë këtij libri për të vetmin shkak se mungoi fati i mbrujtjes vargje të denja blatimi. Pra, thjesht, ngase poezia nuk ka mundur të ndodhë.
Më poshtë, prologu dhe epilogu i librit:
prolog
POEZIA
POETËT
Dorezë të thikës në do i hasni shpinës
As mos ktheni kokën se kush e lëndoi!
I tejdukshmi ajër, s’mund të pasqyrojë
Pasqyrimi në teh s’do dojë të çeli gojë
E lini anë ujane e bëni plagës mënjanë
Drita t’i mbrujë frushkull e ta tejshkojë
E në plaga i rreh e gjallë, shkuljani vrik
Aman, jo ngadalë e çikë e nga një çikë
Dhe mos e varrosni tharmin e vragave
Mbilleni nën fik edhe ujiteni herë-herë
Mos ia rroposni farën e dhembjes pikë
Se mbin e selitet vetë nën ujë plagësh
E do shihni si kjo farë nuk çel vetëvete
Por një shpinë e qafë bukurie për thikë
epilog
Ju çoj falëmeshëndet prej qiparisave
(poetëve që do doja një ditë t’i takoj)
S’lë rast pa u përshëndetur me qiparis
Që frushkulli u shpon vrimat në gjethe
Ka të gjarë më njeh nga vurrata njëlloj
E krye përkul të farëzojë lutjen e faljes
Kur majëgishtash zgjatem në dëgjesë
Më shtin në vesh liturgjinë e mbjelljes
Në dorë atë farë të rrallë ar të heshtjes
Fëshfërimën e uratës Ynëzot Ju pastë!
S’lë rast pa ia kthyer një tumirë nga Ju
Pemës ku drita çel brimat nëpër gjethe
Lini një Përgjigje