Zgjidhe vetë topuzin

9 Prill 2025, 13:18Kulturë Ardian Vehbiu

Një publicist gati shprehte sot një ndjenjë faji, në faqen e vet në Substack, se po merrej me një temë relativisht triviale (eseja universitare), përballë gjërave “me rëndësi” që ndodhin sot në botë; fakti që po e thoshte këtë hapur, më bëri të mendoj se po i përgjigjej një lloj kritike, nga vetja ose të tjerët ose edhe opinioni publik, për gjërat që po vendoste të ndante me lexuesin. E kish fjalën mbase për turbullirat financiare globale dhe tarifat e Trump-it, ose për konfliktin izraelito-palestinez, ose për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës; duke lënë të kuptojë se lexuesi priste prej tij një mendim ekspert për këto çështje, të cilin mendim ky nuk po ia jepte. Dhe meqë në Substack kam edhe unë një faqe, ku herë pas here postoj ese dhe skica të miat, me tema ndonjëherë edhe më triviale se eseja universitare, u ndieva edhe unë pak në faj, teksa dëgjova zërin që më qortoi se pse po merresha me punë arti dhe folklori dhe teknologjie dhe gjuhësie, teksa lexuesi im shqip mbase do të priste të lexonte më shumë për Edin, për Salën, për Lalin, për Lulin, për Lirin, për SPAK-un, për listat e mbyllura dhe listat e hapura, e kështu me radhë, tema që përndryshe pushtojnë kryetitujt e portaleve të lajmeve në Shqipëri dhe që diskutohen me pasion në teatrot televizive të mbrëmjeve.

Natyrisht, unë shkruaj për kënaqësinë time, me shpresë se ashtu do të angazhohem edhe, para së gjithash, me ata pak abonentë të Substack-ut dhe pastaj edhe të lexuesve që gjejnë edhe ata kënaqësi kur më lexojnë, ose të paktën ngacmohen a sfidohen intelektualisht, ose marrin ndonjë përgjigje për çfarë i shqetëson; por dalja në publik, qoftë edhe vetëm në Substack, sjell gjithnjë me vete edhe një pozicionim qytetar ndaj botës; në kuptimin që unë jo vetëm dua të jem qytetar i mirë, kur shkruaj dhe botoj, por shpresoj edhe që tekstet e mia të ndihmojnë, sado pak, në mirëmbajtjen e qytetarisë te lexuesit.

Kam mendimet dhe opinionet e mia, ndonjëherë të forta, për të gjitha çështjet që përmenda më lart – nga tarifat e Trump-it te Edi-Luli-Sala-Lali dhe bajlozi i SPAK-ut – por nuk tundohem që t’i formuloj dhe t’i artikuloj në publik; sepse gjykoj që publiku sot në Shqipëri nuk ka nevojë për një cule tjetër, sado me pretendime “qytetare” që t’i shtohet kakofonisë në mediat. Po të isha ekspert politolog ose komentator i ngjarjeve të ditës, ose të themi edhe hulumtues i rregullt i marrëdhënieve mes politikës dhe krimit të organizuar në Shqipëri, ose i korrupsionit në sisteme që nuk arrijnë të funksionojnë politikisht, si ai i Tiranës, atëherë mbase do të kisha guxuar të flas edhe për së largu; siç do të bëja, po të isha ekonomist me njohuri për financën ndërkombëtare, lidhur me tarifat e Trump-it. Por nuk jam ekspert as ashtu, as kështu.

Dilema me të cilën më duhet të merrem është e shumëfishtë: a duhet të përfshihem edhe unë në tallavanë e ligjërimit politik, ngaqë të paktën arrij ta artikuloj fjalën qartë dhe ngaqë kam një numër lexuesish që i besojnë fjalës dhe integritetit tim; apo duhet të përmbahem, sepse vetëm trysnia reale apo e imagjinuar nga jashtë nuk mjafton për të më bërë të ndërhyj? A ka të drejtë qytetare dikush që të vazhdojë t’i flasë lexuesit në fushat ku ai kujton se ka diçka të re për të thënë, edhe kur këto fusha janë relativisht irrelevante, në krahasim me tema të tjera më të ngutshme, si – të themi – pensionet e ulëta në Shqipëri, niveli i ulët i shëndetësisë publike, korrupsioni në ndërtim, kapja e kulturës nga interesat politike, e kështu me radhë? Nëse dikush kërkon të dalë në agora dhe ta thotë fjalën e vet, a duhet ta bëjë gjithnjë në përgjigje të këtij apo atij shqetësimi publik, apo mjafton që ta bëjë në përgjigje të një shqetësimi intelektual ose moral që ka ai vetë?

Këto dilema nuk kanë aq të bëjnë me lirinë e fjalës si të tillë, sa me përdorimin që i bëhet kësaj lirie; lirinë e fjalës e ushtrojnë edhe heronjtë e debateve televizive të mbrëmjes, kreshnikët e përsëritur të cikleve të “tryezave”, aktorët e sprovuar prej të cilëve publiku pret që të riprodhojnë klishenë e rolit; dhe të gjithë këta, bashkë me drejtuesit e emisioneve dhe financuesit e tyre, janë të bindur se ajo çfarë bëjnë është relevante për momentin dhe i shërben, ç’të them, emancipimit politik të publikut vetë. Dhe të mos harrojmë se, një pjesë e madhe e publikut, që në parim e respekton lirinë e fjalës, ka pritje shumë specifike, ndaj mënyrës si duhet ta ushtrojnë këtë liri ata që flasin; dhe të gjitha këto pritje formësohen dhe ushqehen nga kryetitujt e mediave: Edi, Sala, Lali, Luli, SPAK-u e kështu me radhë.

Për mua e gjithë kjo nuk është veçse një manipulim i diskursit publik, nga ana e politikës dhe heronjve të saj, të cilët duan ta ruajnë relevancën edhe në rrethana kur, me arsye, kjo relevancë është edhe ajo triviale. Ndryshe nga temat e debatit politik që dëgjon njeriu në Perëndim – të themi në SHBA, ku zgjedhjet e fundit presidenciale u karakterizuan nga ndarje ndonjëherë tektonike të opinionit, lidhur me çështje si arsimi dhe shëndeti publik, statusi i të drejtave të pakicave, imigracioni, e kështu me radhë – në Shqipëri duket sikur debatet, edhe tani në kohë zgjedhjesh, kanë të bëjnë ose me individët e emëruar nga krerët e Partive si kandidatë në listat, ose me fajësinë kriminale të politikanëve kryesorë të krejt spektrit; në mënyrë të tillë që zgjedhësi nuk më duket se e ka shumë të qartë se çfarë i dallon mes tyre partitë e mëdha dhe programet përkatëse; me përjashtim të pozicioneve të partive më të vogla, si lëvizja “Bashkë”, të cilët i kanë shumë më të qarta qasjet e tyre, të paktën ndaj shqetësimeve ekonomike dhe sociale të qytetarit. Për mua që i ndjek këto gjëra nga jashtë dhe nga larg, varfëria e frikshme e propozimit politik, nga ana e palëve në prag zgjedhjeje, reflektohet pastaj edhe në banalitetin prej estrade të ndërhyrjeve publike të krerëve të partive të mëdha, të cilët sikur duan të bëjnë për të qeshur njëri-tjetrin dhe ndjekësit e tyre, me humor të shpëlarë. Madje ky monopolizim i diskursit publik në mediat nga politika në Shqipëri mund të jetë edhe thjesht efekt anësor i varfërisë, në mos shterimit, të përmbajtjes politike të qasjeve prej secilës palë.

Jam i bindur se ka në Shqipëri, në të gjitha anët e spektrit, edhe politikanë “profesionistë”, edhe ekspertë politologë, edhe njerëz të përgatitur, që të jenë në gjendje ta artikulojnë qartë se çfarë i duhet shoqërisë dhe shtetit dhe qytetarit vetë, në këtë moment, në politikën e brendshme dhe në politikën e jashtme; dhe e gjitha kjo përtej obsesionit me emrat e krerëve dhe bëmat e eposit të tyre shpesh komik, për të mos përmendur marrëdhëniet e tyre me krimin dhe ligjin. Sikurse jam i bindur se këtyre ekspertëve zëri nuk u dëgjohet, ose të paktën nuk u dëgjohet mirë, sepse fjala e tyre nuk është pikante, as bën njeri për të qeshur; dhe se ata ndihen po aq të përjashtuar nga diskursi publik, sa ç’mund të ndihet – ceteris paribus – dikush si unë, që është mësuar të flasë për çështje të tjera, jo-politike. Nuk dua, megjithatë, t’i dorëzohem paranojës dhe të besoj se varfërimi i muhabeteve nuk ka aq të bëjë me përjashtimin e disa temave në favor të disa temave të tjera; sa ç’ka të bëjë drejtpërdrejt me prirjen brutale për ta mbajtur të ulët, shumë të ulët nivelin e diskursit publik, me shpresën se ashtu do të përjashtohet vetvetiu prej andej arsyeja, bonsensi dhe mendimi i pavarur.

Përndryshe, unë mbetem i mendimit se Shqipëria sot, edhe më shumë se për politikanë dhe anëtarë parlamenti dhe gjykata anti-korrupsion, ka nevojë për qytetarë të mirë si titullarë dhe interpretues të arsyes publike; dhe këta qytetarë, që të ruajnë integritetin e tyre, kanë nevojë për një ekosistem diskursiv publik të tillë që të lejojë jo vetëm pluralizmin e mendimit, por edhe pluralizmin e temave dhe të qasjeve dhe të interesave. Dhe nëse është kështu, atëherë imperativi im, si shkrimtar, do të ishte të ruaja pavarësinë e fjalës sime përballë trysnive për t’u konformuar dhe të ndihmoja, me aq sa mundem, të kultivoja pavarësinë e mendimit te lexuesi.

Ai publicisti që përmenda në hyrje të shkrimit është Yascha Mounk, politolog; dhe prej një politologu që del në publik pritet që të flasë për çështje të politikave globale, ose për gjëra “me rëndësi” që ndodhin në botë; shpresa ime, në këtë rast, do të ishte që kontributet e mia, në eseistikë dhe gjetiu, të shërbenin edhe për ta bërë një politolog shqiptar të vetëdijshëm, për relevancën e fjalës së tij brenda sistemit të ligjërimit publik në Shqipëri dhe, në përgjithësi, shqip; duke ndihmuar në ngulitjen e bindjes se moderimi i këtij ligjërimi, kudo që zhvillohet – në rrugë, në studio televizive, në faqe gazetash, në kafene – nuk mund dhe nuk i duhet lënë në dorë interesave politikë të momentit.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është përfytyruar me Midjourney.

1 Komente

  1. d
    dejavu

    Te flasesh eshte argjend, e te heshtesh eshte ar! Apo jo?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje