Një gjykatë në Korenë e Jugut ka dënuar me 4 vite burg një vajzë në të 20-at, e cila shantazhoi futbollistin e njohur Son Heung-min, duke pretenduar se ishte shtatzënë me fëmijën e tij.
E reja, së bashku me një bashkëpunëtor në të 40-at, arriti t’i merrte yllit të Tottenham-it 200.000 dollarë, duke e kërcënuar se do ta publikonte “lajmin” nëse ai nuk paguante.
Sipas mediave ndërkombëtare, vajza ka shpenzuar shumicën e parave për mallra luksoze. Pavarësisht kësaj, ajo këmbënguli në gjykatë se paratë i kishte marrë “si kompensim”, pretendim që prokurorët e hodhën poshtë duke thënë se nuk përputhej me faktet.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i saj, i cili e kishte kërcënuar Son 15 herë, u dënua me 2 vite burg për tentativë shantazhi. Pasi ata kërkuan edhe më shumë para këtë vit, futbollisti vendosi t’i drejtohej policisë.
Gjykatësi u shpreh se dyshja kishin abuzuar me famën e Son, i cili përjetoi ankth të fortë mendor kur rasti doli në media.
Son Heung-min, i konsideruar si një nga futbollistët më të mirë aziatikë, këtë vit u bë lojtari i dytë më i paguar në Major League Soccer (MLS) pas transferimit rekord në Los Angeles FC, duke mbyllur kështu një dekadë te Tottenham. Ai është gjithashtu aziatiku i parë që ka fituar Këpucën e Artë të Premier League.
Lini një Përgjigje