I dënuari me burgim të përjetshëm hedh shtetin në gjyq!

19 Nëntor 2025, 10:22Lifestyle TEMA
I dënuari me burgim të përjetshëm hedh shtetin në gjyq!

Një i dënuar për vrasje në Australi ka hedhur në gjyq autoritetet, duke pretenduar se po i mohohet e drejta për të konsumuar Vegemite, kremin e famshëm australian me shije të fortë dhe të kripur.
Andre McKechnie, 54 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm që prej viteve ’90, kërkon nga gjykata heqjen e ndalimit të Vegemite në burgjet e shtetit të Viktorias, një rregull i vendosur që prej vitit 2006.

Autoritetet e burgjeve e ndaluan produktin duke argumentuar se aroma e tij e fortë mund të përdoret për të fshehur substanca të ndaluara ose për prodhimin e pijeve alkoolike artizanale. Por McKechnie këmbëngul se kjo politikë është e padrejtë dhe se Vegemite përfaqëson një pjesë të rëndësishme të kulturës australiane.

Në padinë e depozituar kundër Departamentit të Drejtësisë dhe Shërbimeve Korrektuese, ai kërkon jo vetëm rikthimin e produktit në listën e ushqimeve të lejuara, por edhe një deklaratë zyrtare se autoritetet nuk kanë siguruar ushqime të mjaftueshme për mirëqenien e tij.

Rasti pritet të shqyrtohet vitin e ardhshëm dhe ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike. Vegemite, i krijuar në Melburn në vitin 1923, është kthyer ndër vite në një simbol kombëtar australian, madje në vitin 2022 aroma e tij u shpall pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit.

Produkti është bërë shpesh pjesë debatesh ndërkombëtare. Kohët e fundit, një kafene australiane në Kanada u detyrua ta hiqte nga raftet për arsye rregullatore, por ndërhyrja e kryeministrit australian detyroi autoritetet kanadeze të tërhiqeshin.

Burimi:AP News

Lini një Përgjigje