Iluzioni më i madh ku bien njerëzit, në epokën e mediave sociale

1 Janar 2023, 17:35Lifestyle TEMA

 

 

Iluzioni më i madh ku bien njerëzit, në epokën e mediave

Nuk ka asnjë dyshim, se mediat sociale luajnë një rol vendimtar në jetën tonë sot. Jemi mësuar aq shumë të kontrollojmë newsfeed-in në Facebook dhe përditësimet e miqve tanë në Instagram sa nuk mund ta imagjinojmë veten pa këto gjëra.

Megjithatë, nevoja për të qëndruar vazhdimisht të lidhur dhe për të ndarë lajmet tona me botën nuk është thjesht një pjesë e jetës sonë. Ka ndryshuar gjithashtu mënyrën se si mendojmë, duke na bërë të bëhemi viktimë e iluzioneve dhe shtrembërimeve të ndryshme konjitive.

Do të doja të përqendrohesha në një prej tyre – nevojën iluzore për të pasur një mendim për gjithçka.

Ta ilustroj konkretisht, më lejoni t’ju bëj disa pyetje:

Cili është mendimi juaj për paradoksin e Fermit?

Pse gjermanët nuk i shkatërruan trupat britanike në Dunkirk gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Nëse nuk jeni eruditë të jashtëzakonshëm, me shumë mundësi do të përgjigjeni “Nuk e di” për disa ose të gjitha këto pyetje.

E shihni? Nuk ju vjen turp të pranoni se nuk dini diçka. Dhe nuk është aspak turp – nuk mund të dimë gjithçka. Në fund të fundit, jemi këtu për të mësuar dhe për të evoluar.

Mjerisht, ne shpesh e neglizhojmë këtë të vërtetë të thjeshtë dhe biem në iluzionin se duhet të kemi një mendim kur bëhet fjalë për temat që janë tendencë e momentit.

Tani, më lejoni t’ju bëj disa pyetje të tjera:

Cilat ishin arsyet e fillimit të luftës në Ukrainë?

Cili është mendimi juaj për vaksinat kundër COVID-19?

Pse po rriten çmimet e energjisë?

Këtu, me shumë mundësi do të keni një përgjigje për të dhënë për secilën nga këto pyetje.

Por tani pyesni veten, sa dini në të vërtetë mbi këto tema? Nëse nuk keni një njohuri të gjerë të politikës, ekonomisë ose imunologjisë, ndoshta i dini këto gjëra në një nivel shumë sipërfaqësor.

Megjithatë, ju jeni të sigurt për mendimin tuaj.

Pra, pse përgjigjet tuaja ishin kaq të ndryshme? Ju thatë “nuk e di” në grupin e parë të pyetjeve, dhe megjithatë, grupit të dyta të pyetjeve iu përgjigjët me një shkallë të lartë sigurie.

Iluzioni i të paturit një mendim për gjithçka

Këtu arrijmë te thelbi i iluzionit për të cilin po flas. Një lidhje e vazhdueshme me mediat sociale dhe internetin na mashtron duke na bërë të besojmë se duhet të kemi një mendim për gjithçka. Për më tepër, mendimet tona kanë rëndësi.

Ju shkruani një postim dhe miqtë tuaj në Facebook reagojnë ndaj tij. Ju ngarkoni një selfie me një mesazh politik në Instagramin tuaj dhe njerëzit komentojnë. Ndjeheni sikur ajo që thoni është e rëndësishme.

Në realitet, nuk është e vërtetë.

Mendimi juaj ka rëndësi për sa kohë që flisni për jetën tuaj dhe gjërat që dini. Nëse thjesht ndiqni reklamat, por keni një njohuri sipërfaqësore të temës, mendimi juaj nuk ka rëndësi sepse nuk sjell asnjë vlerë. Nëse nuk e keni studiuar dhe analizuar problemin në thellësi, thjesht përsërisni atë që keni dëgjuar nga të tjerët, keni lexuar në internet ose keni parë në TV.

Megjithatë, është e kuptueshme pse shumica e njerëzve besojnë se mendimi i tyre ka rëndësi dhe shprehja e tij është e rëndësishme. Kjo është ajo që bëjnë të gjithë. Kjo temë është kudo në lajme dhe në internet, kështu që edhe ju duhet të kontribuoni dhe të thoni diçka, apo jo?

Nuk është gjë tjetër veçse një iluzion.

Mund të jetë e vështirë ta pranosh këtë të vërtetë, sepse në epokën tonë të lidhjeve të vazhdueshme, është e çuditshme të qëndrosh larg zhurmës dhe të mos thuash asgjë. Mediat sociale janë këtu që të shprehemi, apo jo?

Në realitet, nuk keni nevojë të keni një mendim për gjithçka. Është në rregull të qëndroni larg temave të momentit dhe të mos keni fare mendim. Është në rregull të mos thuash asgjë.

Ju nuk keni nevojë të mbani anë dhe të krijoni këndvështrime për temat për të cilat nuk dini asgjë, veçanërisht nëse ato qëndrojnë jashtë zonës tuaj të interesit. Nuk është turp të thuash “nuk e di” ose “nuk jam i sigurt” kur dikush të pyet për një çështje politike apo sociale.

Në fund të fundit, heshtja është e artë. Ndonjëherë është me të vërtetë më mirë të qëndrosh i heshtur.

Pra, herën tjetër që do të filloni një debat për një temë “të nxehtë” ose do të ndani një postim politik në Facebook, pyesni veten,

A e kam studiuar problemin nga anë të ndryshme?

Mendimi im është në të vërtetë i imi apo thjesht po përsëris diçka që kam dëgjuar nga të tjerët ose në TV?

Ndoshta këto pyetje do t’ju ndihmojnë të shihni të vërtetën. Nevoja për të pasur një mendim për gjithçka është një iluzion.

Në të njëjtën kohë, nëse jeni vërtet të interesuar për një problem në trend dhe dëshironi ta kuptoni më mirë, atëherë sigurohuni që ta studioni atë nga të gjitha këndvështrimet.

Lexoni, shikoni, mësoni. Më pas analizoni informacionin që keni konsumuar. Vetëm atëherë mund të thoni se keni dalë me përfundimet tuaja – jo të dikujt tjetër.

2 Komente

  1. V
    Vjosa.al

    Kjo qe kerkohet ne kete shkrim pa autor, nuk eshte edhe aq e thjeshte sa duket ose aq e thjeshte sa shtrohet ketu. Krahas edukimit dhe shkollimit sistematik, informimi nga publicistka, nga rrjetet sociale e interneti, nga media audio-vizive dhe debati shoqeror e ai familjar, zene nje pjese shume te rendesishme te formimit individual social, politik, kulturor, shkencor dhe artistik te individit. Pa kete burim dhe faktor informimi qe mund te mblidhet a perftohet ne menyre aktive apo pasive thjesht duke qene pjese e universit te mjesisit informativ dhe formues, nuk mund te imagjinohet dhe te realizohet sot individi, si nje shumatore dhe perzjereje (melting pot) e gjithckaje ne te cilen perfshihet individi, proces ne te cilin, bashkuar me vecorite individuale dhe te trashegimise familjare, klanore a krahinore, supozohet se krijohet edhe "qytetari" i nje shoqerie apo komuniteti. Nese nuk do te ishte ky aspekt qe ka egzistuar ne forma edhe nivele te ndryshme qe ne shoqerite e hershme, te lashta do te thoshim, athere nuk do te kishim njeriun si qenje sociale dhe as individin si qelize e nje komuniteti apo shoqerie. Apriori do te thoshim nuk do te kishte "opinion", nje pikepamje apo kendveshtrim per nje objekt apo dukuri sociale, morale e politike, nuk do te kishim nje debat e lufte per menyrat dhe mjetet si do te ecte shoqeria, ne cfare drejtimi do te zhvillohej ekonomia, arti, shkenca, kultura dhe se si nje shoqeri-komb do t'ju pergjigjej sfidave te egzistences se saj. Ky informim e debat eshte menyra se si plazmohen faktet dhe dukurite objektive, per ti xhvoshkur nga pjeset e rreme dhe iluzive, nga retorikat apo demagogjite, per tju afruar hap pas hapi, te vertetes qe duam, e cila nuk eshte absolute po persoset e pastrohet me tej dhe qe eshte e vlefshme per shoqerine dhe per individin per nje momente te caktuar. Pa kete proces nuk do kishim nje formim qytetar dhe per pasoje, vete baza e shoqerive demokratike, VOTIMI dhe REFERENDUMI si procese perzgjedhjeje obsionesh dhe alternativash, nuk do te kishin kuptim dhe vlere nese nuk do te pranohej si nje e drejte dhe nje detyrim kushtetues per CDO qytetar, pavaresisht nga edukimi, arsimimi, prejardhja dhe pa paragjykuar nese zgjedhja e tij eshte pasoje e influencave te rrjeteve sociale e mediave audio-vizive apo e studimeve te thelluara te pavarura mbi ceshtjet apo preferencat ne votim. Pra kerkesa dhe apeli i ketij shkrimi per lexuesin apo publikun qe vetem nese ke studime te thelluara vetijake ke tager dhe je ne te drejten tende per te dhene nje opinion eshte nonsens, pa vlere dhe pa asnje mundesi praktike per tu imponuar. Nje menyre qe zgjedhja dhe opinioni personal te jete sa me prane te "vertetes" dhe sa me i drejte per shoqerine eshte qe individi duhet te edukohet te kerkoje njohuri nga burime te ndryshme informacioni, te jete ne kontakt te vazhdueshem mbi debatin dhe faktet pro dhe kunder nje teze apo zgjedhjeje dhe sidomos, te kete nje nivel formimi shumeplanesh qe zjhedhja dhe opinioni i tij ne perputhje me interesat reale te tij dhe te shoqerise ku jeton. Por ky nuk eshte nje detyrim dhe ti je qytetar me te drejte vote dhe ionioni pavaresisht sa e varfer eshte CV-ja jote intelektuale dhe arsimore. Dhe kurre nuk duhet harruar se cdo opinion apo zgjedhje eshte nje kompleks njohurish, preferencash dhe interesash qe ndryshojne vazhdimisht ne kohe dhe ne vende te ndryshme. Dhe historia dhe vete shoqeria, do te levizin ne kahun qe e percakton shumica, nje entropi e cuditeshme disnivelesh, me drejte apo ne menyre te gabuar qofte kjo zgjedhje. Gjithmone me ka impresionuar fakti qe, edhe ne nje vend me demokraci te konsoliduar ose ndofta pikerisht nga ky fakt, Suprime Court i USA (Gjykata Supreme amerikane) zakonisht voton 5 vs 4 ose 6 vs 3 per ceshtje kruciale te shoqerise amerikane, madje edhe per ceshtje te tilla kruciale qe ka votuar me pare, pas 20, 30 apo 50 vjetesh, kur ndryshojne rrethanat dhe kushtet socio-politike, kthehet dhe voton te kunderten e asaj qe ka votuar vete me pare, sic eshte e drejta e abortit per shembull, i famshmi vendim i US Suprime Court Roe vs Wade (1973) qe ligjeroi te drejten e abortit per grate dhe qe u permbys po nga US Suprime Court ne 2022, pas afer 50 vjetesh, duke i dhene te drejten shteteve te ndryshme ne Amerike qe te mund te ndalonin pjeserisht ose deri teresisht abortet. E pra, edhe 9 antaret e US Suprime Court, te perjeteshmit, nga me te shquarit dhe te thelluarit ne jurisprudencen dhe praktiken gjyqesore te USA, kane opninione te ndryshme dhe vendosin ne menyra te ndryshme per te njejten ceshtje qe gjykojne dhe mund ti thone "e zeze" asaj qe 50 vite me pare i kane thene ''e bardhe''. Pra, i dashur publik shqiptar, nuk ka rendesi se cfare je, bujk a bari apo anetar akademije e profesor universiteti, debatues ne kafenene e lagjes apo opinionist ne studiot televizive te Fevziut , Zhejit apo Cim Pekes, gojetar ne odat e miqve a tek rrapi i fshatit apo deputet orator i Foltores berishiane ne Parlament, ti ke te drejten te kesh nje opinion dhe te bertasesh e cirresh, te grindesh e te vritesh, ta votosh, ose ta kundershtosh ate me fakte e argumenta apo me dhune, ose mundesh qe te mbyllesh gojen fare, te fusesh bishtin nen shale dhe te shkosh ne shtepi te besh tifo ne televizion.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Asd

      Komentuesit e dine qe nuk jane shkencetare dhe je lodhur kot ti bindesh. Gjithashtu e dine qe opinionet e tyre nuk do te ndryshojne boten. Ata (komentuesit) shprehin emocionet e tyre dhe mbajne nje qendrim personal njelloj sikur bisedojne ne bar per nje ndeshje futbolli. E ku qendron problemi qe keta marrkan pjese ne komente dhe pse qenka me mire mos flasin!? Atehere me te njejten llogjike edhe ti mund te mos e shkruaje kete "artikull" per mungese kompetence.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje