Papa Françesku ka shtuar një tjetër risi në udhëtimet e tij, duke marrë “Popemobilin” e parë tërësisht elektrik. Automjeti i ri, një Mercedes G-Class elektrik, u prezantua nga Vatikani të mërkurën dhe do të përdoret për lëvizjet në sheshin e Shën Pjetrit për të përshëndetur pelegrinët.
Me zero emetime karboni, ky automjet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së mjedisit, një çështje për të cilën Papa është shprehur vazhdimisht.
Ola Källenius, CEO i Mercedes-Benz Group, e cilësoi një nder të veçantë t’i dhurojë Papës këtë makinë unike, duke theksuar traditën e gjatë të kompanisë në ndërtimin e Popemobile-ve, që nga viti 1930 kur Mercedes dorëzoi automjetin e parë për Papa Piu XI.
“Për Papa Françeskun, kemi krijuar një automjet të veçantë – Popemobilin e parë tërësisht elektrik, bazuar në G-Class që debutoi këtë vit. Kjo makinë kërkoi qindra orë pune dhe mjeshtëri për t’u ndërtuar,” tha Källenius.
Popemobili elektrik përfshin veçori si një karrige të ngritur dhe të rrotullueshme me ngrohje për Papën, platforma të pasme për rojet zvicerane dhe ngjyrën tradicionale papale të bardhë me dy kreshta me simbolin e Papës.
Källenius shtoi se “Electric G është një automjet i aftë për çdo terren, por në këtë Popemobil të veçantë, Ati i Shenjtë do të lëvizë me qetësi dhe elegancë.”
Popemobili pritet të përdoret gjatë Jubileut të vitit 2025, ku Papa do të përshëndesë besimtarët në sheshin e Shën Pjetrit me këtë automjet të veçantë dhe inovativ.
Lini një Përgjigje