Ndërron jetë princesha e Tajlandës, pas më shumë se tre vitesh në koma

12 Qershor 2026, 16:00Lifestyle TEMA
Ndërron jetë princesha e Tajlandës, pas më shumë se tre

Princesha Bajrakitiyabha e Tajlandës ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare, pas më shumë se tre vitesh në gjendje kome, njoftoi Familja Mbretërore tajlandeze.

Ajo u rrëzua në dhjetor të vitit 2022 teksa po stërviste qentë e saj. Mjekët e lidhën kolapsin me një çrregullim të rëndë të ritmit të zemrës, i shkaktuar nga një infeksion mikoplazmatik në zemër.

Në një deklaratë të publikuar të premten, Pallati Mbretëror bëri të ditur se ekipi mjekësor kishte ofruar kujdesin më të avancuar dhe intensiv të mundshëm, por gjendja e saj vazhdoi të përkeqësohej gradualisht. Princesha ndërroi jetë në spitalin Chulalongkorn në Bangkok.

Me vdekjen e saj, familja mbretërore tajlandeze humbet një nga figurat më të spikatura dhe më të respektuara, e konsideruar nga shumë si një personazh kyç në çështjen ende të paqartë të trashëgimisë së fronit.

Bajrakitiyabha ishte fëmija më i madh nga shtatë fëmijët e Mbretit Vajiralongkorn. Ajo lindi më 7 dhjetor 1978 nga martesa e tij e parë me Princeshën Soamsawali.

E diplomuar në drejtësi, ajo përfundoi dy programe pasuniversitare në Cornell University, në Shtetet e Bashkuara. Më pas shërbeu për një periudhë të shkurtër në misionin tajlandez pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, përpara se të kthehej në Tajlandë për të punuar në zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm.

Nga viti 2012 deri në vitin 2014, ajo ishte ambasadore e Tajlandës në Austria, ku krijoi lidhje të ngushta me United Nations Office on Drugs and Crime. Gjatë kësaj periudhe ajo u bë një zë i rëndësishëm për reformimin e sistemit penitenciar, me fokus të veçantë tek gratë vulnerabël që përfundojnë në burgje.

Pas rikthimit në Tajlandë, Bajrakitiyabha u emërua Ambasadore e UNODC-së për Sundimin e Ligjit në Azinë Juglindore dhe vazhdoi të mbështeste reforma në sistemin e drejtësisë penale të vendit.

Në vitin 2021, babai i saj e emëroi shefe të stafit në gardën e tij private, duke i dhënë gradën e gjeneralit. Ajo ishte gjithashtu e njohur për pasionin ndaj sportit dhe pjesëmarrjen në gara të vrapimit në distanca të gjata.

Për shkak të aftësive, përvojës dhe besimit që gëzonte nga mbreti, emri i saj përmendej shpesh si një nga figurat më të mundshme për të luajtur rol në pasardhjen e fronit.

Mbreti Vajiralongkorn, 73 vjeç, ende nuk ka shpallur zyrtarisht një trashëgimtar. Edhe pse tradita tajlandeze parashikon që trashëgimtari të jetë mashkull, një amendament kushtetues i vitit 1974 lejon që edhe një grua të mund të ngjitet në fron.

Vdekja e Princeshës Bajrakitiyabha lë të hapur çështjen e trashëgimisë mbretërore në Tajlandë, një temë për të cilën diskutimi publik mbetet shumë i kufizuar për shkak të ligjeve të rrepta që mbrojnë institucionin monarkik.

Lini një Përgjigje