
Në autobiografinë e tij “Spare”, Princ Harry rikujton atë që ai thotë se ishte sulm fizik nga vëllai i tij, William, tani Princ i Wales, ndërsa marrëdhënia e tyre u shkapërderdh për shkak të martesës së princit të vogël me aktoren Meghan Markle.
Duke përshkruar konfrontimin në shtëpinë e tij në Londër më 2019, Harry ka thënë se Williami e quajti Meghanin “të vështirë”, “të pasjellshme” dhe “të bezdisshme", raportoi The Guardian.
Konfrontimi përshkallëzoi, shkroi Harry, derisa William “më kapi nga jaka, duke më shqyer qaforen, dhe... më rrëzoi përtokë”.
Skena, e cila Harry thotë se rezultoi me lëndime në shpinën e tij, është një nga të shumtat në “Spare”, që do të publikohet javën e ardhshme dhe pritet që të nxisë një skandal në familjen mbretërore britanike.
Titulli i librit vjen nga një shprehje e vjetër mbretërore dhe nga rrethi aristokrat: se djali i parë është trashëgimtar i titujve, fuqisë dhe pasurisë, dhe i dyti është rezervë, nëse diçka i ndodh djalit të parë.
Harry shkruan se Williami donte të fliste për të gjithë katastrofën që po sillej rreth marrëdhënies së tyre dhe shqetësimin me mediat. Por, kur Williami arriti në shtëpinë e tij, thotë Harry, ai ishte i nxehur.
Pasi Williami u ankua për Meghanin, shkroi më tej, Harry i tha se po përsëriste narrativën e mediave dhe se priste më shumë nga ai. Por, Williami nuk po tregohej racional, duke çuar në britmat ndaj njëri-tjetrit.
Harry më pas e akuzoi vëllain e tij se po sillej si trashëgimtar, i paaftë të kuptonte pse vëllai i tij i vogël nuk ishte i kënaqur të ishte rezervë.
Ofendime u shkëmbyen, para se Williami të thoshte se po përpiqej të ndihmonte.
Harry tha: “E ke me të vërtet? Të më ndihmosh? Më fal, këtë e quan ndihmë?”
Ky koment, shkroi Harry, e zemëroi vëllain e tij, i cili iu afrua dhe i frikësuar Harry shkoi në kuzhinë me vëllain që e ndoqi pas.
Harry shkroi se i dha një gotë ujë atij.
Ai shkroi: “E uli gotën, më quajti me një emër tjetër, më pas më erdhi afër. Ndodhi shumë shpejt. Më kapi nga jaka, duke këputur qaforen dhe më rrëzoi në tokë. Rashë mbi enën e qenit tim e cila u thye në shpinën time, copëzat duke më gërvishtur. Qëndrova aty për një moment, më pas u ngrita në këmbë dhe i thash të dilte jashtë”.
Harry shkroi tutje dhe Williami e nxiti që t’ia kthente goditjen dhe të grindeshin sikur kur ishin të vegjël, por se ai refuzoi.
Lini një Përgjigje