Kampionia e njohur e atletikës shqiptare, Luiza Gega, dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, kanë folur për herë të parë publikisht për marrëdhënien e tyre personale, duke konfirmuar njëkohësisht se janë të fejuar dhe se në planet e tyre është edhe martesa.
E ftuar së bashku me Stërmasin në emisionin “Rudina”, Gega ndau me publikun detaje nga jeta e saj jashtë pistës, përfshirë edhe raportin që e lidh me trajnerin e saj prej vitesh.
Sipas atleteve, lidhja mes tyre ka nisur pas një bashkëpunimi të gjatë profesional që daton që prej viteve të para të karrierës së Gegës. “Kjo ka ardhur vonë, ndoshta nga viti 2019, nuk është se e di fiks,” u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, Stërmasi tregoi se lidhja e tyre u forcua paralelisht me sukseset në sport. “Ne kemi punuar shumë bashkë, kemi qenë një grup i madh, por që të arrish objektivat e mëdha duhet të jesh shumë afër. Kombinimi i pjesës profesionale me atë personale bëri që Luiza të kishte rezultate shumë të larta në vitet e fundit,” tha ai.
Në intervistë, çifti konfirmoi për herë të parë se tashmë janë të fejuar. “Ne kemi një vit që e kemi bërë familjare, kemi bërë fejesën. Jemi një familje tradicionale dhe mami këmbënguli shumë, ndaj e bëmë edhe për t’iu bërë qejfin prindërve,” u shpreh Gega.
Ndërkohë, për sa i përket dasmës, Stërmasi tha se ajo do të zhvillohet, por jo menjëherë. “Dasmë do të ketë me patjetër, por jo tani afër,” u shpreh ai, duke nënkuptuar se planet për ceremoninë janë ende në fazat e para.
Urime Luizes dhe Taulantit