Video/ Dwayne Johnson shpërthen në lot në Venecia pas 15 minutash ovacione, ndizen spekulimet për një nominim në Oscar

3 Shtator 2025, 09:03Lifestyle TEMA
Video/ Dwayne Johnson shpërthen në lot në Venecia pas 15 minutash

Dwayne Johnson ka përjetuar një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij gjatë premierës së filmit “The Smashing Machine” në Festivalin e Filmit të Venecias.

Aktori 53-vjeçar, i cili luan rolin e luftëtarit të viteve ’90 Mark Kerr, shpërtheu në lot teksa publiku në Lido e duartrokiti për 15 minuta rresht. Ky ovacion i gjatë ka nxitur menjëherë spekulime për një nominim të mundshëm në Oscar.

I njohur më parë si “The Rock” në arenën e WWE dhe për rolet në filma komercialë si “The Mummy” apo “Black Adam”, Johnson këtë herë paraqet një anë krejt tjetër, duke sjellë në ekran portretin dramatik të një sportisti të përfshirë nga sfida personale dhe demonë të brendshëm. Në film, përballë tij luan edhe Emily Blunt, në rolin e Dawn Staples, e dashura e Kerr.

Gjatë momentit të fortë emocional, regjisori Benny Safdie u bashkua me aktorët në skenë dhe përqafoi Johnsonin mes lotëve. Ky prezantim është cilësuar nga kritika si një ndër më të ndjerë në Venecia, duke sjellë në mendje rastin e Brendan Fraser në vitin 2021 me filmin “The Whale”.

“The Smashing Machine” është projekti i parë i Safdie si regjisor i vetëm, pas sukseseve të mëparshme me vëllain e tij Josh tek “Good Time” dhe “Uncut Gems”. Kritika ndërkombëtare pret që interpretimi i Johnson të shënojë një pikë kthese në karrierën e tij, duke e larguar nga imazhi i thjeshtë i filmave aksion./E.K

Lini një Përgjigje