Është zbuluar blerësi misterioz i tualetit prej ari 18-karatësh, një vepër arti e njohur me emrin “America”, e krijuar nga artisti italian Maurizio Cattelan dhe e shitur për 12.1 milionë dollarë në ankandin e Sotheby’s në Nju Jork.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Independent dhe një reagim zyrtar të vetë kompanisë, tualetin e ka blerë “Ripley’s Believe It or Not!”, e cila njihet për koleksionet e saj të objekteve të pazakonta dhe historitë e çuditshme.
Instalacioni, i bërë nga 101 kg ar 18 karatësh, është plotësisht funksional. Versioni i parë u vendos në një tualet publik të Muzeut Guggenheim në vitin 2016 dhe u përdor nga mbi 100 mijë vizitorë. Më pas u zhvendos në Blenheim Palace në Angli, ku në vitin 2019 u vodh në një grabitje spektakolare.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, disa prej autorëve u dënuan me burg, ndërsa këtë javë Sotheby’s nxori në ankand versionin e dytë të instalacionit.
“Ripley’s Believe It or Not!” e konfirmoi blerjen përmes një postimi në Instagram, duke shtuar se po shqyrton mundësinë që vizitorët të lejohen ta përdorin këtë “fron të artë”, edhe pse një iniciativë e tillë kërkon rregulla të forta sigurie dhe… shumë guxim.
Burimi: Independent
Lini një Përgjigje