Jo, nuk është një personazh nga një film fantastiko-shkencor. Është një krijesë reale, që ka jetuar shumë më përpara se dinosaurët dhe tani po mahnit shkencëtarët… dhe internetin!
Studiuesit nga Muzeu i Manitobës dhe Muzeu Mbretëror i Ontarios kanë zbuluar një specie të rrallë dhe jashtëzakonisht interesante në depozitën e famshme Burgess Shale në Kanada. Emri i saj? Mosura fentoni – një krijesë sa gishti i madh i dorës, me tre sy, gojë rrethore të mbushur me dhëmbë të mprehtë, kthetra me gjemba, dhe një trup të pajisur me pendë anësore për t’u lëvizur bukur nëpër ujërat prehistorike.
Mosura ka jetuar rreth 506 milionë vjet më parë, në një epokë ku jeta sapo po merrte formë të organizuar. E veçanta? Përveç pamjes së saj jashtë kësaj bote, trupi i saj ka një bark të gjatë me 16 segmente të forta dhe organe që mund të kenë funksionuar si mushkëri – diçka që e lidh atë me gaforret dhe insektet e sotme.
Shkencëtarët thonë se kjo krijesë, pavarësisht pamjes së saj “alien”, në fakt na tregon shumë për mënyrën sesi kanë evoluar organizmat e sotëm. Imazhet e zbuluara nën dritën e polarizuar tregojnë detaje të pabesueshme të pjesëve të saj anatomike, përfshirë edhe disa zona që mund të kenë përmbajtur gjak – megjithëse kjo ende mbetet një mister i vogël.
Ky zbulim u bë në një nga vendet më të rëndësishme për fosilet në botë, të njohur për ruajtjen perfekte të krijesave të lashta – Burgess Shale, që është edhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Lini një Përgjigje