8 Dhjetori - Ambasada e SHBA: Studentët formësuan të ardhmen! SHBA krah jush në rrugën drejt BE-së

8 Dhjetor 2024, 10:19Politika TEMA
8 Dhjetori - Ambasada e SHBA: Studentët formësuan të ardhmen!

Ambasada amerikane në Tiranë ka kujtuar sot me një mesazh Ditën Kombëtare të Rinisë.

Ambasada e SHBA shkruan se 34 vjet më parë studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës.

Më tej ambasada thekson se rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe “SHBA-të qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën drejt BE-së”.

“Sot, Shqipëria feston Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shënuar 34 vjet që kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës, duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit. Më 8 dhjetor kujtojmë ata që luftuan për demokraci. Rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, shkruan ambasada amerikane.

Sot shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

 

Lini një Përgjigje