Nga Ylli Pata
Edhe pse numri i vogël i njerëzve në protestat para bashkisë ka hapur debat edhe brenda demokratëve më të zellshëm, problemi më i madh i Foltores, nuk është fare ky.
Sigurisht që është problem humbja e një detashmenti militantësh të gatshëm për aksione të tilla si: protestat, mitingjet apo kryengritjet.
Por ky problem nuk është i ri, dhe u konsiderua nga “arkitekti” i “revolucionit të vjeshtës 2021”, si problem kolateral i një objektivi që rezultoi më i vështirë se duket.
Nëse në vitin 1997, PD-ja e Sali Berishës u kthye në një “njollë elektorale” margjinale, makineria politike e selisë blu kishte ende “demokratët e Bushatit dhe të Mamurrasit” me të cilët mund të rrëzonte qeveri, siç e provoi më 14 shtator 1998, apo edhe detashmentet e gatshme Laprakë-Kamëz për pikniqe politike të lëvizshme.
Humbja e strukturave reale dhe afatgjata të Partisë Demokratike, u pa që pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022.
Edhe pse Foltorja ka marrë pjesë të atyre strukturave, pjesa më e e rëndësishme e organizatave politike lokale, pavarësisht se nuk duken, sot janë kundër Sali Berishës, përkatësisht mjaft janë të organizuara me PD-në e Lulzim Bashës.
Gjithsesi ky është një diskutim thjesht organizativ, e ku mund të rrahin mendimet të gjithë ata grupe krejt heterogjene dhe të rrëshqitshme në kohë e hapësirë, që kanë frekuentuar PD-në në 33 vjet.
Një parti politike që nuk ishte asnjë herë një organizatë e mbledhur homogjene dhe kompakte, por që në zgjedhje kthehej në një makineri elektorale, e cila bënte në mënyrën perfekte atë që bën çdo strukturë partiake; maksimalizon votat që dihen se mund të marrë.
PD-ja apo PS-ja, ishin dy parti që vetëm me anëtarësinë e saj të kryenin tubime të forta në sheshet e Tiranës, ç’ka mund të ktheheshin më pas në probleme politike për çdo qeveri në fuqi.
Ishte pikërisht ky efekt, që i druhej Sali Berisha i parë kur degdiste socialistët në mitingjet seri pas arrestimit të Fatos Nanos, për 3 vjet-nga 1993 deri në 1996-n, ku nuk i linte të zhvillonin mitingje në sheshet kryesore. Por i çoi në fillim të Stadiumi Dinamo, ku zakonisht mblidheshin në verë “Dëshmitarët e Jehovait”. Kur pa që ishte afër me qendrën, i çoi te fusha e Ali Demit.
E megjithatë, nuk jemi sot në qarjen për humbjen e strukturave lëvizëse për tu përdorur në rrugë e në sheshe.
14 maji 2023 tregoi një zhvillim politik edhe më dramatik për Sali Berishën, e këtë ai që e njeh këtë zanat-pra politikën, më mirë se të gjithë, e konsideron realisht se kemi të bëjmë me një dramë të vërtetë.
Më 14 maj 2023, Sali Berisha, pa me sytë e tij sasi masive e jetike zgjedhësisht besnikë të tij për 33 vjet, u zhvendosën si pa të keq për të votuar Benet Becin në Shkodër, apo kandidatët socialistë në Bajram Curri e Kukës. Për të mos folur këtu për mikrokozmose gjeopolitike të vogla, por të rëndësishme si Bushati e zonat përreth që janë pjesë e bashkisë së Vaut të Dejës, Klosi në Mat apo vetë bashkia e Peshkopisë.
Dalja e Edi Ramës, ditën e shtunë nga një lokal “burrash” në Vorë, me disa ish-militantë të PD-së që kishin kaluar me PS-në, sipas deklaratave të tyre, përbën pikërisht ato lloj imazhesh që e helmojnë Sali Berishën.
Pavarësisht se mund të jetë propagandë politike, dhe është e tillë, personat e dalë në videon me Edi Ramën, janë personazhe që i njeh komuniteti, dhe efektin real politik e kanë bërë.
Pra, me fjalë të thjeshta: Sali Berisha i trembet dhe madje ka marrë sinjale që do të përsëritet 14 maji, ku thatësira elektorale në zonat e tij mund të rritet edhe më shumë.
Ndaj po lufton me të gjitha mënyrat për të mbajtur sistemin zgjedhor aktual, duke bërë pakte të fshehta me mazhorancën. Një sistem zgjedhor proporcional me një zonë, apo një mazhoritar me dy turne, do ta shkatërronte keqasi foltoren. Asaj i vlen vetëm sistemi aktual, ku mund të marrë tepricat e votave anti-Rama që nuk fitojnë dot deputetë, e që sipas gjasave do të jenë goxha.
E pikërisht për tu mbajtur si i mbyturi pas fijes së kashtës, po tenton një “revolucion sezonal” siç është ai kundër kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Një mënyrë për të mobilizuar sa më shumë demokratë të frustruar nga opozita e gjatë. Ku ndjenja më e kapshme njerëzore që kanë është inati e mllefi.
Sali Berisha e provoi ditët e para pas arrestit në shtëpi që të ngjallte një frymë melankolie të demokratëve, duke u viktimizuar. Dhe vendosja e bluzave “Free Berisha” është një operacion pikërisht për të ngjallur simpatinë dhe ndjenjën e keqardhjes për doktorin e katit të tetë.
Por duket një operacion i pamundur, sepse vetë Sali Berisha në 33 vjet, ka vizatuar imazhin e tij jo si njeri, por si një “kreshnik” që lufton me balozë e katallanë. Që edhe kur ka 9 plagë në trup, rri në shtëpinë e vet të “shenjtë”, ku kujdeset vetëm e motra-në këtë rast gruaja e tij, kultin e të cilës e ka ngritur pikërisht për këtë imazh. Pra doktori nuk u ka treguar asnjëherë popullit të vet anën e tij njerëzore, por fuqinë dhe pushtetin e tij që bën diellin dhe shiun, tërmetin e cunamin.
Ndryshe nga Fatos Nano, që socialistëve ju dhembi më shumë edhe ana njerëzore e tij pas arrestimit.
Bashkëshortja e parë e Fatos Nanos, Rexhina, u kthye menjëherë në një figurë super e dashur për militancën socialiste, sa u fol edhe për të kandiduar si deputete. Socialistët merreshin edhe me problemet e djalit e vajzës së liderit të tyre, atëherë të mitur që rriteshin me babanë në burg.
Ndërkaq, funerali i nënës së Fatos Nanos, u kthye në një manifestim politik, nga më të mëdhenjtë që kanë ndodhur historikisht në Shqipëri. Njerëzit preknin Mercedesin e liderit të tyre të liruar vetëm për pak orë, si të ishte një rock star.
Pikërisht kjo anë njerëzore e liderit dhe familjes së tij, bëri që më pas, mjaft socialistë, edhe ta kritikonin kur nuk ja pëlqyen sjelljet bixarre, apo edhe të mos e votonin, siç ndodhi në 2005-n. Kur votuan për një socialist tjetër që kujtuan se është si Mehmet Shehu. Po flasim për Ilir Metën.
Sali Berisha pra, pasi e ka të pamundur që t’i bëjë me vete demokratët me keqardhjen ndaj tij, pasi e ka gjithashtu jo të mundur që tu ofrojë një qasje në pushtet, pasi doli huq me “revolucionin e vjeshtës”, po tenton e do të tentojë, të provokojë inatin e akumuluar ndaj politikanëve të rëndësishëm të mazhorancës.
E natyrisht, që do të tentojë me “krahëmarrje” jo ndaj Edi Ramës këtë herë, por ndaj të tjerëve më poshtë, ku edhe mundësia për të goditur është ndoshta më rezultative. Por këtu si gjithmonë është edhe efekti boomerang, ku një sulm mund të të kthehet në fytyrë.
Por tani nuk ka kohë për këto, ngaqë situata në terren është në erozion të vazhdueshëm, ndaj dhe duhen aksione të vogla “guerilje” që të shmangin sa më shumë gërryerjen e madhe në vitin 2025.
Sa energji e harxhuar kot që në të ashtuquajturin “revolucion të armëve kimike”, “revolucionin e çadrës”, “revolucionin e djegies së mandateve”, “revolucionin e bojkotimit të zgjedhjeve lokale”, apo “revolucionin e 2 marsit” që ju dha borxh Ilir Metës, pikërisht për ta përdorur Presidencën si armë për të rrëzuar Edi Ramën. Një tentativë natyrisht e dështuar në mënyrë të sukseshme. Ndaj tani halli të bën që kur s’ke pulën, ha sorrën. E rrugës adaptohen revolucionet sezonale, për të kapur ç’mund të kapet.
E gjitha kjo, vetëm për të mos zbatuar formulën klasike të pagëzimit të një opozite pushteti: Hapjen e krahut, lejimit të debatit e zgjedhjeve, për të dalë një lider e skuadër që të shikohet si alternativë më e mirë ndaj kësaj mazhorance.
Pse akoma punoka Saliu, kujtova se ishte ne pension!
Artikull shume i bukur, exelent. Po imam haxhi dede sali dumbaba nuk ka mesuar asgje nga vaterloja e 14 majit 2023 ku bashke me spiunin Agush 50 lekesh humben ne 56 bashki duke marre me shpirt neper dhembe 5-6 bashki te dores 2t apo 3t dhe keto pa keshillin bashkiak. Humbja apokaliptike ne 92 % te teritorit , rasti i pare ne historine planetare elektorale duhej te shoqerohej me shperndarjen e foltores se vicidolit dhe partickes se spiuneve dhe hajduteve te leshelise , ashtu sic do kishte vepruar cdo parti demokratike ne bote. Tani ne maje te minares degjon kujen e juristes se plepave shpifarakes me te madhe ne planet , Adriana nockederrja dhe sheh endrra se mund te ndodhe e paimagjinueshmja te vije perbindeshi i vicidolit me 17 kulla tek kompleski i grabitur i partizanit dhe lideri i vetshpallur president digital, cakordomental, qe bredh mal me mali, jarebi rafte ne kanal se eshte bere si budalle.
Politikanet e post diktatures "vrane "diktatorin per tu bere vete diktatore.