Shqipëria ka shënuar një tjetër përparim në procesin e integrimit europian, pas mbylljes së përkohshme të tre grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Europian gjatë Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të zhvilluar në Bruksel.
Për këtë arritje ka reaguar edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në rrugën europiane të vendit.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Ambasada Gjermane vlerësoi përpjekjet e autoriteteve shqiptare dhe nënvizoi rëndësinë e vijimit të reformave për të garantuar rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.
“Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Sipas përfaqësisë diplomatike gjermane, ky hap tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar më tej në politikat kryesore të Bashkimit Europian, duke forcuar bashkëpunimin në kërkim shkencor, inovacion, arsim, kulturë dhe siguri ekonomike.
Ambasada Gjermane vlerësoi angazhimin e institucioneve shqiptare dhe i inkurajoi ato të vijojnë me të njëjtin ritëm punën për kapitujt e mbetur të negociatave, veçanërisht në fushat themelore të procesit të integrimit.
“Konfirmojmë mbështetjen tonë në perspektivën europiane të Shqipërisë dhe presim përparim të mëtejshëm në procesin e pranimit, bazuar në arritjet e veta dhe përmbushjen e kritereve të dakordësuara”, përfundon reagimi i Ambasadës Gjermane.
Lini një Përgjigje