Analizë: Gjykata e Lartë drejt rishikimit të standardit për paraburgimin. Arsyetimi, proporcionaliteti dhe liria personale

10 Mars 2026, 17:50Politika TEMA
Analizë: Gjykata e Lartë drejt rishikimit të standardit për

Nisma e Kryetarit të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e pjesshëm të praktikës unifikuese të vitit 2011 mbi masat e sigurimit personal synon të rishikojë një nga standardet më të rëndësishme të praktikës penale shqiptare, e që ka të bëjë me mënyrën se si gjykatat vendosin dhe arsyetojnë masën më të rëndë të sigurimit, “arrestin në burg”.

Në thelb, dokumenti propozon që Kolegjet e Bashkuara të rishqyrtojnë disa prej tezave kryesore të vendimit unifikues nr.7 të vitit 2011, i cili për më shumë se një dekadë ka shërbyer si udhërrëfyes për gjykatat në vendimmarrjen mbi kufizimin e lirisë personale.

Çfarë synon të ndryshojë nisma

Sipas analizës së paraqitur në vendimin e ndërmjetëm, disa formulime të vendimit unifikues të vitit 2011 konsiderohen sot problematike, pasi mund të krijojnë një qasje më automatike në caktimin e paraburgimit.

Dokumenti identifikon tre elementë kryesorë të kësaj praktike që kërkojnë rishqyrtim.

Së pari, vendimi unifikues i vitit 2011 kishte pranuar se gjykata, kur vendos masën e “arrestit në burg”, nuk është e detyruar të analizojë në mënyrë të detajuar masat alternative. Mjafton që gjykata të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret.

Nisma e re e vë në diskutim këtë qasje, duke ngritur pyetjen nëse një arsyetim i tillë është në përputhje me standardin e proporcionalitetit dhe me karakterin përjashtimor që duhet të ketë paraburgimi.

Së dyti, vendimi i vitit 2011 kishte pranuar se në rastet e krimeve të rënda rrezikshmëria e autorit mund të nxirret edhe nga vetë natyra e veprës penale dhe nga pasojat e saj.

Dokumenti i ri e problematizon këtë qasje, duke ngritur dilemë nëse rreziku për të justifikuar paraburgimin mund të deduktohet vetëm nga natyra e akuzës apo nga rëndësia e saj abstrakte, pa një analizë konkrete të rrethanave të personit dhe të rastit.

Së treti, vendimi i vitit 2011 kishte vendosur një standard sipas të cilit paraburgimi mund të konsiderohej i papërshtatshëm vetëm nëse i pandehuri paraqiste prova pozitive që tregonin mungesën e rrezikut.

Nisma aktuale vë në diskutim këtë standard dhe pyet nëse barra e justifikimit duhet të qëndrojë te i pandehuri apo te autoritetet që kërkojnë kufizimin e lirisë.

Baza ligjore e rishikimit

Rishqyrtimi i praktikës mbështetet në disa zhvillime të rëndësishme që kanë ndodhur pas vitit 2011.

Një element është ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht pas reformave të viteve 2017 dhe 2021. Këto ndryshime kanë përforcuar kërkesën për vendime më të arsyetuara në caktimin e masave të sigurimit.

Sipas dokumentit, neni 228 i Kodit kërkon që rreziku për prishjen e provave apo për pengimin e hetimit të mbështetet në rrethana konkrete fakti dhe të shpjegohet posaçërisht në vendimin e gjykatës.

Ndërkohë, ndryshimet në nenin 244 dhe 245 kanë forcuar detyrimin që gjykatat të japin një vendim të arsyetuar jo vetëm për masën që vendosin, por edhe për arsyen pse masat alternative konsiderohen të papërshtatshme.

Në këtë mënyrë, legjislacioni procedural kërkon një arsyetim më të individualizuar dhe më të kontrollueshëm për çdo vendim që kufizon lirinë personale.

Roli i jurisprudencës së Strasburgut

Një pjesë e rëndësishme e argumentimit mbështetet edhe në standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Dokumenti i referohet disa vendimeve kundër Shqipërisë, ku Gjykata e Strasburgut ka kritikuar përdorimin e arsyetimeve të përgjithshme për paraburgimin dhe mungesën e analizës konkrete të rrethanave të rastit.

Në këto vendime theksohet se dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale nuk mjafton për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit. Kufizimi i lirisë duhet të mbështetet në arsye konkrete, të individualizuara dhe të verifikueshme.

Po ashtu, jurisprudenca e Strasburgut kërkon që gjykatat të shqyrtojnë realisht masat alternative dhe jo të kufizohen në deklarime formale se ato janë të papërshtatshme.

Çfarë rezultati synon nisma

Në thelb, nisma synon të rishikojë standardin e vendosur nga vendimi unifikues i vitit 2011 dhe ta përshtasë atë me zhvillimet e reja ligjore dhe me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Qëllimi është që vendimmarrja për paraburgimin të bëhet më e kontrollueshme, më e individualizuar dhe më e përputhshme me parimin se kufizimi i lirisë personale duhet të mbetet një masë përjashtimore.

Nëse Kolegjet e Bashkuara do të pranojnë këtë rishqyrtim, praktika gjyqësore shqiptare mund të kalojë drejt një standardi më të rreptë për përdorimin e “arrestit në burg”, duke kërkuar nga gjykatat një analizë më të thelluar të rrezikut dhe një vlerësim real të alternativave ndaj paraburgimit.

Në këtë kuptim, nisma nuk synon thjesht ndryshimin e një vendimi të vjetër unifikues, por vendosjen e një qasjeje të re në interpretimin e masave të sigurimit personal – një qasje që e vendos në qendër parimin e proporcionalitetit dhe mbrojtjen e lirisë personale./TemA

9 Komente

  1. M
    Mateus

    Ne gjithe boten paraburgimi eshte per krimet e renda, vrasje, prostitucion, drog. Ne ahqiperi per cdo gje eshte burg burg burg

    Përgjigjjuni
    1. S
      Servili

      Pse të vjedhësh milionë euro nga paratë e qytetarëve nuk qenka si droga dhe prostitucioni?

      Përgjigjjuni
      1. K
        Katjushka

        Njelloj si belindi ne opozite

        Përgjigjjuni
    2. Q
      Qyretari.

      Shkrimtari i madh Shefqet Musaraj në romanin e tij EPOPEJA E BALLIT KOMBËTAR midis të tjerash ka shkruar...u turën t'i marrin patkonjtë, por kujt...?Kjo puna e kësaj të lartës më duket si puna e asaj të SHEFQETIT.AFA janë si trimat pas lufte. Ku ishe deri më tani o Kryetar Sadushi

      Përgjigjjuni
      1. j
        juristi

        Nje nisme e drejte qe do kufizoje kerkesat idjote te SPAK-ut dhe vendimet akoma me idjote te gjykatave per kufizimin e lirive te qytetareve te dyshuar per krime. Deri me sot keto institucione kane bere si kane dashur duke thyer ligjin fondamental te nje vendi demokratik qe eshte liria e individit.

        Përgjigjjuni
        1. L
          Lol

          Deri tani ishin me pushime ne Dubai. Po u kthyen se filloi lufta dhe thane jemi qe jemi bojme ndonje lek pune se s’ka lezet.

          Përgjigjjuni
          1. K
            Kolegu i SPAK -ut

            Atëherë duhet t'a bëjnë edhe për ata çunat e "Sky" ecc Jo vetëm për politikën e korruptuar deri në palcë

            Përgjigjjuni
            1. V
              Vlora 97

              Pupupu Cfare turpi

              Përgjigjjuni
              1. K
                Kujtimi

                Shyqyr u zgjua gjykata lart, nisem e drejte se ska asnje llogjike juridike kjo qe ndodh ne shqiperi. Akuzohesh, mbahesh ne paraburgim, ben 2 vjet burg dhe pastaj del i pafajshem ose te denojn aq kohe sa ke ber paraburgim. E per cfare ? Per nje kod penal absurd komunist

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje