Në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka ngritur pyetje të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të Partia Demokratike, ndaj të cilëve janë marrë masa ndëshkimore për sjelljen e tyre në seancat plenare.
Balla i pyeti deputetët nëse kanë pasur vërejtje apo paralajmërime nga Partia Popullore Europiane lidhur me veprimet e tyre në Kuvend, duke e cilësuar këtë një çështje serioze për imazhin parlamentar të opozitës.
Gjatë diskutimeve, ai u ndal edhe te seanca e 18 dhjetorit, duke pyetur konkretisht nëse deputetët kanë përdorur lëndë tymuese në sallë dhe nëse janë në dijeni të kuadrit ligjor që ndalon përdorimin e tyre. Balla përmendi Ligjin nr. 9126, datë 29.7.2003, “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse dhe lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton rregullat dhe përgjegjësitë për prodhimin, përdorimin, kontrollin dhe asgjësimin e këtyre lëndëve.
Sipas Ballës, objektivi i këtij ligji është garantimi i sigurisë publike dhe vendosja e procedurave të qarta për administrimin e lëndëve piroteknike, duke theksuar se shkelja e tij përbën një cenim të rëndë të rendit institucional.
Në fjalën e tij, Balla deklaroi se nuk mban mend të ketë marrë pjesë ndonjëherë në mbledhje të Byrosë së Kuvendit “me mendje”, duke nënvizuar se nga opozita pritej reflektim pas masave të marra, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai sqaroi gjithashtu se mbledhjet e Byrosë zhvillohen me dyer të mbyllura, duke shtuar se kush ka eksperiencë parlamentare është i njohur me këtë praktikë.
Lini një Përgjigje