
Dy grupimet e Partisë Demokratike u bashkuan të mërkurën rreth një tryeze festive me ftesë të deputetit demokrat, Xhelal Mziu.
Ky i fundit, i ftuar mëngjesin e së enjtes në “Ditari” në A2 CNN u shpreh se dreka e djeshme ishte një gjetje për të shfrytëzuar festat si një mënyrë për ta çuar grupin drejt bashkimit.
Të pranishëm në këtë drekë nuk ishin ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj, dhe sipas Mziut, Basha ndodhej jashtë shtetit, kurse Alibeaj kishte pasur agjendë të caktuar paraprakisht.
"Ka pasur tentativa të shumta, por vazhdimisht kanë përfunduar në dy grupime. Ishte një gjetje për të shfrytëzuar një festë për mbylljen e vitit, por edhe një hap drejt bashkimit.
Parimisht, mendoj që është arritur një gjë jo e vogël. Për të parën herë, bashkohen të dyja grupimet.
Ky është fillimi i një rrugëtimi të shpejtë për të bashkuar PD-në apo për të unifikuar kandidatin më 14 maj. Vetëm 3-4 deputetë nuk u përgjigjën. Ishin 35 veta pjesëmarrës. Ata që nuk erdhën ose ishin jashtë shtetit ose kishin agjendë të përgatitur më parë", tha Mziu.
I pyetur për deklaratat e Alibeajt i cili u shpreh se “nuk shkon aty ku i ngrenë kurthe”, Xhalal Mziu tha se festa u organizua me qëllim të mirë.
Ai veçoi edhe prezencën e kreut të Partisë Republikane në drekë, Fatmir Mediu, i cili siç tha dhe Mziu po angazhohet që në pranverë që opozita të dalë me kandidatë të unifikuar për zgjedhjet lokale.
Lini një Përgjigje