Basha takon zyrtarin e lartë të CDU, Krichbaum: PD mbështet punën e SPAK-ut, lufta kundër korrupsionit, prioritet

27 Tetor 2023, 09:35Politika TEMA

Basha takon zyrtarin e lartë të CDU, Krichbaum: PD mbështet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti në selinë e kësaj partie Gunther Krichbaum, Zëdhënës i Çështjeve Europiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane. Në takim morën pjesë edhe nënkryetarët dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Basha ka deklaruar dje se PD mbështet SPAK-un në punën e tij, teksa ky institucion ka marrë nën hetim ish-kryeministrin Berisha dhe Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij detyrim paraqitje. 

''I nderuar të prisja sot në selinë e Partia Demokratike e Shqipërisë një mik të çmuar të Shqipërisë dhe PD, z. Gunther Krichbaum, Zëdhënësin e Çështjeve Europiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane.


Unë dhe Partia Demokratike i jemi mirënjohës për kontributin e CDU-së në rrugëtimin europian të Shqipërisë, në të cilin z. Krichbaum ka patur një rol të veçantë.
Integrimi Europian i Shqipërisë, lufta kundër korrupsionit, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe krijimi i mundësive për të rinjtë që të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri janë prioritete të Partisë Demokratike, dhe për këtë kam kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e miqve nga CDU.


Për mua dhe Partinë Demokratike lufta kundër korrupsionit është jetike për ecjen përpara dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


Për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë ata që kanë abuzuar me paratë dhe besimin e qytetarëve, Partia Demokratike mbështet institucionet e drejtësisë dhe inkurajon SPAK të vijojë me vendosmëri punën e saj.
E njoha z. Krichbaum me iniciativën e Partisë Demokratike për vetting-un e politikanëve, proces i cili synon të pastrojë politikën duke bërë transparencë mbi ligjshmërinë e pasurisë dhe pastërtinë e figurës në raport me lidhjet me krimin e organizuar të politikanëve.

Diskutuam edhe mbi hapat e domosdoshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme si propozimet për t’i dhënë fuqi votës së qytetarëve me listat e hapuara, që do ti mundësojnë zgjedhësve të zgjedhin vetë deputetin që do t’i përfaqësojë, votimin dhe numërimin elektronik, votën e diasporës dhe rritjen e masave ndëshkuese për përdorimin e administratës dhe fondeve publike për qëllime elektorale.


Angazhimi i të rinjve në politikë është prioritet kryesor i PD. Brenda marsit të ardhshëm, Partia Demokratike do të ketë përfunduar përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe do të nisë prezantimin e programit tonë, me propozime dhe objektiva që do ta ndryshojnë Shqipërinë dhe përshpejtojnë futjen e saj në BE'', shkruan Basha.

1 Komente

  1. A
    Aron

    Po ky palluqi, do jete dakort nqs SPAK hap edhe dojset e mbyllura me procedure te tij?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje