Begaj: Marrëveshja e Ohrit, gur themeli për bashkekzistencën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut

27 Shkurt 2026, 18:27Politika TEMA

 

Begaj: Marrëveshja e Ohrit, gur themeli për bashkekzistencën

 

 Presidenti Bajram Begaj mbajti sot një fjalim në një seancë të posaçme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Kreu i Shtetit përcolli mesazhe të rëndësishme për sa i përket marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilën e vlerësoi si shtyllë të rëndësishme të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Marrëdhënia mes dy vendeve tona është ndërtuar mbi zgjedhje të vetëdijshme politike, mbi respekt të ndërsjellë, partneritet dhe mbi bindjen se stabiliteti ynë është i përbashkët. Dy vendet tona ndajnë interesa, sfida dhe një vizion të përbashkët evropian. Ne kemi bashkëpunuar ngushtë duke i sprovuar lidhjet, miqësitë dhe fqinjësinë, por, mbi të gjitha, raportet tona kanë arritur të kenë ndikim pozitiv edhe në rajon. Ato janë dhe mbeten një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe orientimit euroatlantik të rajonit”, u shpreh Begaj.

Begaj theksoi se “Maqedonia e Veriut është edhe një faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndëretnik”.

Në fokus të këtij fjalimi ishin dhe sfidat, siguria dhe stabiliteti në Ballkan, si dhe angazhimi i përbashkët për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Presidenti theksoi se BE nuk është vetëm destinacion, por dhe standard.

Begaj nënvizoi nevojën për të shtuar investimet në ndërlidhjen energjetike dhe infrastrukturore, energjinë e rinovueshme, në teknologji dhe turizmin ndërkufitar.

“Ne duhet të thellojmë bashkëpunimin ekonomik dhe shoqëror midis dhomave të tregtisë, sipërmarrësve, shkëmbimet universitare, akademike dhe kulturore. Ky bashkëpunim ekonomik dhe shoqëror na ndihmon jo vetëm të bëjmë progresin e ekonomive tona, por edhe të forcojmë bashkëveprimin në drejtim të kërcënimeve të përbashkëta të sigurisë. Një treg rajonal funksional nuk është slogan politik, por është domosdoshmëri ekonomike dhe investim në siguri”, u shpreh ai.

Korridori VIII, sipas Presidentit Begaj, “është shembulli më i qartë se si bashkohen siguria dhe zhvillimi”.

“Ai lidh Mesdheun me Detin e Zi, shkurton distanca, ul kosto, rrit konkurrueshmërinë. Për biznesin është arterie tregtie, për qytetarët është mundësi punësimi, për rajonin është mesazh sigurie dhe se bashkëpunimi është më fitimprurës se izolimi. Korridori VIII është më shumë se një rrugë transporti, është projekt strategjik i integrimit rajonal dhe i sigurisë Euroatlantike, si dhe e vendos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në zemër të këtij boshti strategjik”, u shpreh Begaj.

Thelbësor në mesazhin e Presidentit të Republikës është rëndësia e bashkëjetesës ndëretnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kreu i Shtetit riafirmoi përkushtimin ndaj parimeve dhe angazhimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

“Këtë vit shënohet 25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, një gur themeli për rendin kushtetues dhe bashkekzistencës ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ajo marrëveshje dëshmoi se dialogu mund të mposhtë krizën, sado e thellë qoftë ajo, dhe se barazia nuk e dobëson shtetin, por e forcon atë. Shqipëria e vlerëson Marrëveshjen e Ohrit si arritje historike”, u shpreh Begaj.

Begaj theksoi se “përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i plotë dhe efektiv i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ruajtja e funksionimi i mekanizmave të barazisë nuk janë çështje teknike”.

“Ato janë elemente thelbësore për kohezionin social, stabilitetin institucional dhe perspektivën evropiane. Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka qenë, është e do të vijojë të jetë një faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv dhe demokratik. Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten kontribuues kyç për stabilitetin politik, në qeverisje dhe në avancimin Euroatlantik. Por ky realitet është sukses i përbashkët i të gjithë qytetarëve, sepse një shtet multietnik funksionon vetëm kur secili është i përfaqësuar dhe i barabartë para ligjit”, tha Begaj.

Presidenti theksoi se “shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasit në Shqipëri janë një urë e fortë lidhjeje, miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Ky është kapital politik e njerëzor që duhet ruajtur dhe duhet forcuar”.

Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut me ftesë të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.

Zyra e shtypit e Presidencës njoftoi se agjenda e vizitës parashikon takime me personalitetet më të larta të Republikës së Maqedonisë së Veriut: presidenten Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Parlamentit Afrim Gashi, liderë politikë shqiptarë, ndërsa do të zhvillojë vizita edhe në disa komuna të drejtuara nga kryetarë shqiptarë. /Maela Marini-ATSH/

 

1 Komente

  1. L
    Like

    Bajrammmmm, rrofsh Baçi se na kënaqe, je yll për tërë rajonin. Lum gruaja që të ka.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje