Nga Ylli Pata
Fatos Nano u largua nga kjo botë, fiks 20 vjet pas ikjes së tij politike, por u bë e do të vazhdojë për shumë ditë që të jetë kryelajmi në Shqipëri. Sidomos në një ditë ku kishte aq kryelajme, sa nuk kishe çfarë të përzgjidhje.
Fatos Nano ishte një nga njerëzit më influentë në Shqipëri, i cili nuk ka qenë influencës. Ai nuk kishte një rrjet social, ai nuk komunikonte thuajse fare në publik. Intervistat i ka dhënë shumë rrallë, edhe pse ka qenë një nga politikanët më të sjellshëm me gazetarët kur ishte i gjithëpushtetshmi në këtë vend.
Sot nuk ka mbetur njeri pa shkruar e thënë diçka për Fatos Nanon, ka shumë që e kanë ndjerë, por edhe shumë që e dinin se do të kishin një ndjekje, një popullaritet në këtë interaktivet simpatie për një “funeral ekselent”.
Megjithatë, sot ka shumë që pyesin çfarë ka lënë Nano si trashëgimi, për të cilin sot flasin me simpati të gjithë influencërat dhe politikanët e rëndësishëm të 35 viteve.
Shqipëria e sotme është një produkt i dy fytyrave, i dy ideve, i dy mentaliteteve, që përqëndroheshin në dy fytyra; atë të Sali Berishës dhe Fatos Nanos.
Të dy këta personazhet ishin drejtuesit e dy partive që u zgjuan në ditën kur ra komunizmi në Shqipëri, ishin ata që ndanë llogoret, bënë marrëveshjet, e që kanë drejtuar e projektuar pushtetin politik pas rënies së epokës së Enver Hoxhës.
Këta dy personazhe mbizotëruan jetën politike, duke kontrolluar gjithçka deri në momentin kur në politikën shqiptaret u shfaq Edi Rama dhe ndryshoi gjithçka.
Por Edi Rama, edhe pse mund të jetë shfaqur duke shtyrë me fletët, fjalët e krijimet e tij, në politikën shqiptaret e futi Fatos Nano.
I cili ishte padyshim politikani që hap politikën drejt shoqërisë, natyrisht sipas mënyrës së tij, por duke dhënë një model liberal, gjithëpërfshirës e paqtues.
Fatos Nano nuk është politikani i parë që u arrestua dhe burgos nga “lideri i lirisë” Sali Berisha pasi erdhë në pushtet. Berisha burgosi Ramiz Alinë dhe gjithë udhëheqjen e vjetër komuniste, por edhe shumë personazhet të shumta të enturazhit të udhëhqjes komuniste.
Megjithatë burgosja e Fatos Nanos ishte realisht gabimi më i madh politik i Sali Berishës. Pasi ishte lideri i opozitës shqiptare, i cili e sfidonte kundërshtarin e tij në të gjitha aspektet. Gjashtë muaj pas fitores së Sali Berishës, Nano i mori thuajse gjysmën e bashkive të vendit. i frikësuar nga një largim i shpejtë, Berisha e burgosi për një vepër penale që nuk ekziston as në romanet e George Orwell-it. “Korrupsion indirekt në favor të personave të tretë”.
Një odise e frikshme që e rifuti Shqipërinë në një përplasje civile që shpërtheu në vitin 1997. Fatos Nano, intervistën e parë nga burgu e nisi me një citim të Biblës: “Mjek shëroje veten”, tha Nano, duke ju drejtuar Sali Berishës me një metaforë të shenjtë, me të cilën u tallën shumë.
Por Nano përveç Biblës, siç e thoshte vetë në një intervistë, mbante edhe Kontin e Montekriston të Duma-së, duke planifikuar hakmarrjen e tij të ftohtë dhe komplikuar, Të cilën realisht e zbatoi në mënyrë të potë ndaj të gjithë atyre që e kishin mbyllur në fillim te 313 dhe më pas në Bënçë.
Në fillim duke i mbajtur afër e duke treguar se është i dobët, e në fund, në 2021 me intervistën bombë te Fevziu ku i dha Sali Berishës dhe Ilir Metës verdiktin e fundit. Ja ku jemi sot, Fatos Nano u kthye në kryelajm edhe pse kishte 20 vite që nuk kishte më pushtet. Ka shumë inflacion se cila ishte legacy reale e Fatos Nanos.
Socialistet sot kanë shpërthyer në të qara e statuse të ndjera. Por kjo është brenda politikës, pasi prej vitesh që Fatos Nano ka qenë në gjendje të rëndë, askush nuk është interesuar për shëndetin e tij.
Nano ishte një figurë mjaft komplekse. Sigurish ishte inteligjent dhe liberal në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Në kohën e ndryshimit të sistemit, në fillimet e tij, me apo pa humor, thuhej se do ishte mirë që Ramiz Alija, me që të dy ishin komunistë (anëtarë të PPSH), ta kishte çuar Fatosin tek PD-ja dhe Saliun tek PS-ja. Dhe ata që e kanë artikuluar këtë, me siguri që parasysh do kishin karakteret e secilit dhe në këtë këndvështrim nuk e kishin gabim. Gjithsesi historiografia e tranzicionit kur ajo do të shkruhet nga pena serioze, do të flasë edhe për këta të dy, jo me këndvështrimin emocional të sotëm apo të djeshëm referuar periudhës 1990-2005 kur ishin keta dy protagonistet kryesore, por referuar bëmave të secilit, veç e veç apo në sinkron me njëri-tjetrin, në mënyrë të ftohtë me siguri do te nxjerrë në pah dhe ndryshimin e madh e të thellë midis këtyre të dy aktorëve politikë, të cilet në rrugën e vështirë të kalimit nga diktatura në demokraci, nga 'socializmi' në 'kapitalizëm', u ranë në pjesë shqiptarëve, ku mendoj se pa këta, bashkë e të ndarë, rruga drejt demokratizimit të vendit, prosperitetit ekonomiko-shoqëror dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, do të ishte shumë më e lehtë dhe më e shpejtë. Për Nanon që iku më parë, edhe pse më i ri se i dyti, uroj të prehet në paqe.