Nga Klevis Hoxhaj
Partia Demokratike po përjeton një fazë të paqartë orientimi politik, ku anëtarësia kërkon drejtim, frymë dhe qartësi, ndërsa figura të ndryshme të strukturave lokale po rikthejnë takimet me bazën – këtë herë nën logon e PD-së, por pa praninë dhe pa përmendur drejtpërdrejt kreun e saj, Sali Berishën.
Takimi i së mërkurës në Durrës, i organizuar me pjesëmarrjen e Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit dhe eksponentëve të tjerë të PD-së, solli një foltore të ngjashme me ato tradicionale të demokratëve: dy gishtat lart, flamuri i PD-së në sfond dhe retorikë për “rizgjim” dhe “bashkim”.
Por ndryshimi thelbësor ishte se, ndonëse simbolika ishte berishiste, Berisha mungoi si figurë reference në fjalimet kryesore.
Ndrec Pjetri, kandidati më i votuar nga lista e hapur në qarkun e Durrësit, e nisi takimin me një mesazh të qartë: demokratët, sipas tij, kanë mbetur të shpërndarë që nga humbja e 11 majit.
“Jemi bërë si zogjtë e korbit, as ku jemi, as ku do shkojmë”, tha Pjetri, i cili theksoi se ky rrugëtim nuk ka të bëjë me interesa personale apo kauza individuale.
Në të njëjtën linjë, Artion Bajramaj riktheu kritikat për mënyrën si u menaxhuan primaret brenda PD-së, duke i cilësuar si proces të nisur me energji, por të deformuar në zbatim, ku “fituesi zëvendësohej nga dikush që vendoste nga lart”.
Në këtë atmosferë pakënaqësie të artikuluar hapur ndaj mënyrës së vendimmarrjes në parti, Ilir Alimehmeti u përpoq të krijonte një narrative bashkuese, duke folur për domosdoshmërinë e përmirësimit të strukturave, transparencën me votuesit dhe betejën ndaj qeverisë Rama.
Ai theksoi se PD-ja është “parti e lirë”, duke nënkuptuar nevojën e shmangies së centralizimit.
Por ishte Ervin Salianji ai që doli me mesazhin më direkt politik, duke e çuar takimin drejt një qasjeje që shumëkush e lexoi si tentativë për të ridimensionuar hapësirat e tij brenda PD-së.
Ai nuk përmendi asnjëherë Sali Berishën, ndërsa foli për një PD që duhet “të hapet”, “të përgatitet për rotacion” dhe “të bashkohet” për të mundur Ramën.
Thirrja e tij “bashkohuni me ne” krijoi paqartësi se cilës PD i referohej konkretisht – asaj zyrtare, asaj që ai përfaqëson politikisht, apo një formule të re brenda së njëjtës parti.
Takimi në Durrës shfaqi një kontrast të fortë: nga njëra anë baza demokratike që vijon të identifikohet me simbolikën e dy gishtave – simbolikë e lidhur ngushtësisht me Berishën – dhe nga ana tjetër drejtues e figura lokale që shmangin lidhjen direkte me të në diskurs, duke sinjalizuar një fazë të re tensioni të heshtur brenda PD-së.
Sepse, pa Berishën në sallë, simbolet thonë më shumë se fjalimet.
Ky eshte burgaxhi , s'ka lidhje me PD...... Ka plot kandidat PD nuk ngeli te djali Sheges me burrin e peste
Loje kukullash qe ben perseri z. Berisha, sic beri me KOP dhe ato metodat e zakoneshme te tij per tu ricikluar. Nuk ka asnje shanc qe keta zoterinj te jene duke guxur te levizin, ose as edhe te endojne, pa lejen e z. Berisha.
Forca bir . Vazhdojne te na mashtrojne ne pensionistave . Bonusin po na e japin te ndare gjate muajve dhe nuk do ta quajnë rritje ne pension . Do të thote qe indeksimin me ate vlere mashtruese ne 2026, do ta bêjne mbi atë baze pensioni qe kemi pasur . Ne 2026 do te marrim me pak se i gjithe bonusi i 2025. Na marrin per budallenj , po mbase budallenj jemi .
Kete pune e zgjidh politikani i partise demokratike dhe me i votuari ne Europe,me asnje vote,Balliu Jr.Ky ta mush menien.Balliu Jr duhet te behet kryetar i Pd-ës.
Sigurisht që Sa-lehu është problemi i madh i PD, por ky një ditë do ikë, ose nga zoti, ose nga drejtësia (me shpresë), atëhere si i bëhet, shpëtuam?! Jo, sepse ngelet berishizmi qoftë për PD, qoftë në trupin e demokracisë shqiptare, është sëmundje e rëndë. Duhet gjetur kura e saj dhe kjo nuk ka shanse të gjëndet kur kërkohet të kryhet nga berishistët e infektuar sindromin "berishizëm", tepër i rrezikshëm, në raport me atë që kërkohet për rinovimin e saj, dhe në pamundësi për ndërtimin e një formacioni krejtësisht nga e para, të shëruar nga kjo sëmundje. Se si bëhet kjo, këtë do na e tregojë e ardhmja, do jetë një proces i gjatë, jo i lehtë por i domosdoshëm. Përveç Sa-lehut, me nëpërkëmbë alias 'demokratët' që e mbështesin dhe e rrethojnë atë, të vjetër e të rinj, sigurisht që asgjë nuk do të ndodhë. Ajo që do të ndodhë mëpastaj, do jetë ajo që ndodh me çdo të sëmurë që ose nuk i gjëndet dot diagnoza, ose nuk i gjëndet ilaçi. Me 'doktorët' si Sa-lehu, Nulmoka, Tan Shehu, e ndonjë doktor tjetër aty, zor se e sëmura PD do të shpëtojë nga vdekja biologjike, se në vdekje klinike ka kohë që ka rënë. Ende me dy gishtat lart, simboli berishist 35 vjeçar, siç na thotë autori i shkrimit u panë dhe në Durrës, do ndodhë ajo që thotë populli: "Siç duken bathët të vona janë pashkët!".