
Prej 11 ditësh, qytetarët po protestojnë kundër establishmentit politik, në një lëvizje që nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec, por që shumë shpejt mori formën e një revolte më të gjerë kundër gjithë klasës së vjetër politike.
Një nga sloganet më të forta të protestës, “Rama në burg, Berisha në burg”, e tregon qartë se mesazhi i sheshit nuk është thjesht kundër qeverisë, por edhe kundër opozitës zyrtare, e cila për vite me radhë ka pretenduar të përfaqësojë pakënaqësinë qytetare.
Pikërisht për këtë arsye, sjellja e Partisë Demokratike ditët e fundit duket kontradiktore. Pasi e pa fillimisht me dyshim, madje edhe e sulmoi protestën, PD tani po përpiqet të afrohet me të, në mos ta privatizojë politikisht. Dje përfaqësues të saj u shfaqën në shesh, ndërsa sot deputetët demokratë mbajtën në Kuvend pankarta që, për nga estetika dhe fryma, dukeshin si një përpjekje për të imituar protestuesit.
Ironia është se protesta lindi pikërisht si një refuzim i kësaj logjike. Qytetarët në rrugë nuk po kërkojnë thjesht zëvendësimin e një pale me tjetrën, por po shprehin lodhjen ndaj një sistemi ku qeveria dhe opozita zyrtare shpesh duken si dy anë të së njëjtës monedhë.
Ndaj, përpjekja e PD-së për të përvetësuar estetikën e protestës, pasi thelbin e saj nuk e kap dot, ngjan me një marketing politik dhe jo si solidaritet me protestuesit. Sidomos kur slogani që dëgjohet në shesh nuk lë shumë vend për keqkuptime: protesta nuk po kërkon një pronar të ri politik, por po kundërshton pikërisht idenë se pakënaqësia qytetare duhet të ketë patjetër një pronar.
Çfarë mund të presësh nga këta qelbësirat e PD-së me në krye atë kryeqelbësirën: plakun gërrmuq! Meqë ra llafi ky kufoma sa vjet ka qënë komunist dhe sa vjet demon-krat?!