Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar nevojën për një komunikim më të mirë me publikun lidhur me procesin e integrimit europian, duke pranuar se deri më tani ka pasur mangësi në këtë drejtim.
“Nuk do më dëgjoni të flas për ish ministrat e mi me emra të përveçëm. Nuk mendoj se ka mungesë transparence, por ka pasur mungesë të mirë komunikimi. Procesi shpesh duket i largët dhe i ftohtë”, u shpreh ai.
Hoxha bëri të ditur se tashmë është momenti për një qasje më të hapur, sidomos pas hapjes së kapitujve të negociatave, duke garantuar angazhim për komunikim të vazhdueshëm me publikun.
Ministri sqaroi se Shqipëria ka përgatitur pozicionet negociuese për çdo grup-kapitull, duke theksuar se këto dokumente janë të rezervuara. Ai nënvizoi se vendi është aktualisht në fazën e reformave, me synimin për mbylljen e kapitujve në bazë të dokumenteve të përbashkëta me Bashkimin Europian.
Sipas tij, nga analiza e bërë rezultojnë 92 çështje konkrete që duhen përmbushur, ndërsa Komisioni Europian ka përmbledhur 24 pika kryesore në dokumentin publik. Procesi vijon me shqyrtimin nga Këshilli, ku vendet anëtare parashtrojnë pyetjet e tyre, një procedurë që mund të zgjasë disa javë.
Hoxha theksoi se ky është një ushtrim normal në kuadër të metodologjisë së re të zgjerimit, por më kërkues për Shqipërinë krahasuar me vendet që janë integruar më herët. Ai shtoi se, pavarësisht dimensionit politik të procesit, përmbushja e detyrave mbetet thelbësore.
“Pa bërë detyrat e shtëpisë, nuk do shkojmë askund”, përfundoi ministri, duke theksuar rëndësinë e reformave për avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Lini një Përgjigje