I ftuar në emisionin "Albania Newscast" përballë gazetarit Arbër Hitaj, politikani Fatbardh Kadilli ka bërë një analizë të fortë dhe pa doreza të situatës aktuale politike, duke u ndalur te vala e protestave qytetare dhe gjendja ku ndodhen dy partitë e mëdha, PD dhe PS. Sipas Kadillit, kjo lëvizje e fundit po tregon një përmbysje të madhe të moralit në vend, ku qytetarët e thjeshtë po nxjerrin zbuluar lidershipin e vjetër politik.
"PD humbi moralin përballë qytetarëve, është viktima e parë"
Kadilli ka argumentuar se rritja e frymës qytetare në sheshe ka goditur në radhë të parë vetë Partinë Demokratike. Ai bëri një dallim të qartë mes protestave të organizuara më parë nga opozita dhe asaj që po ndodh aktualisht në vend.
"PD është viktima e parë e kësaj proteste, sepse kemi parë protesta edhe më parë, por nuk dilnin kaq shumë njerëz. Madje, PD i bënte ato me molotov e fishekzjarre, ndërsa sot qytetarët nuk përplasen me policinë dhe protesta është tërësisht qytetare", u shpreh Kadilli, duke shtuar se në shesh po dalin njerëz të moralshëm, ndërsa PD e ka humbur prej kohësh këtë moral.
Sipas tij, kjo humbje morali erdhi si pasojë e pazareve dhe kapërcimit të akuzave të rënda brenda natës për interesa të ngushta. "Shkuan nga akuzat 'Babi i Zenit', te 'vila në Lalëz' apo akuzat për vrasje, e më pas u bashkuan duke hedhur poshtë çdo moral politik", deklaroi prerë ai gjatë intervistës.
Fakti historik: Si e ndryshoi Berisha statutin e PD në vitin 1993
Për të ilustruar krizën e thellë të lidershipit dhe mungesën e demokracisë së brendshme, Kadilli solli në vëmendje edhe një fakt pak të njohur nga historia e Partisë Demokratike dhe vendimet e Sali Berishës në fillesat e saj.
"Per ata që nuk e dinë, PD në 1992 statutin e parë e ka patur që kryetari nuk rri më shumë se 2 mandate në drejtim. Por Berisha në 1993 e ndryshoi atë, duke e bërë mandatin pa limit", kujtoi politikani.
"U rrëzua miti i Ramës, ai dhe Berisha kanë të njëjtën sjellje"
Analiza e Kadillit nuk ka kursyer as Kryeministrin Edi Rama. Ai theksoi se kjo protestë ka shkatërruar përfundimisht njërën prej fasadave më të mëdha të propagandës së qeverisë, atë të mbështetjes nga brezi i ri.
"Kjo protestë rrezoi edhe mitin e Edi Ramës se atë e duan të rinjtë dhe jo vetëm partia. Por ai tani e ka humbur tërësisht mbështetjen e rinisë", tha ai. Në mbyllje të fjalës së tij, Kadilli bëri një paralelizëm mes dy liderëve kryesorë në vend, duke deklaruar se të dy po sillen njësoj përballë humbjes së legjitimitetit qytetar: "Rama po përdor sot PS-në si kështjellën e tij të fundit, njëlloj siç bën edhe Berisha me PD-në".
Lini një Përgjigje