Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve mbajti sot mbledhjen e radhës për qarkun e Durrësit, ku kërkohet pavlefshmëri e rezultatit, por ankimit i është bashkuar edhe kërkesa e kandidatit demokrat Aulon Kalaja, i cili pretendon se i janë vjedhur votat preferenciale.
Sot u dëgjuan në KAS edhe provat e depozituara nga shqyrtimi i filmimeve të pamjeve nga KQZ në qendrat e numërimit të kandidatit Aulon Kalaja, i cili nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor dorëzoi pamjet filmike të marra nga KQZ, ku pretendon devijim votash jo vetëm ndaj tij, por edhe të 13 kandidatëve të tjerë.
Në shumicën e rasteve ai evidentoi se votat i ishin shtuar kandidatit fitues të listës së hapur më 11 maj për PD në Durrës, ish-prokurorin e shkarkuar nga vetingu, Arjan Ndoja.
“Në një rast kemi evidentuar se në ekran shfaqen 31 vota për kandidatin Arjan Ndoja dhe në procesverbal na rezultojnë 37 vota. Ka raste edhe kur u janë hequr e shtuar kandidatëve të tjerë. I kemi me minuta dhe kohë në 69 kuti që kemi verifikuar deri tani.
Në KZAZ nr. 21, qv 1361, tavolina 1, kemi konstatuar nga leximi që i është bërë tabela nuk përputhet me proces-verbalin, ka lëvizuar vota, 4 fletë votimi për Aulon Kalanë, në procesverbal janë pasqyruar 2 vota, për kandidatin Hoxha 3 vota nga leximi në pamje, në proces-verbal 2 vota, për kandidatin Ndoja në ekran 20 vota, në tabelë, proces verbal 25 vota. Kandidatit ndoja i shtohen vota dhe në një qendër tjetër, nga 12 në ekran, në proces-verbal 15 vota”, tha përfaqësuesi.
Por anëtari Ilir Rusmali i kërkoi shpjegime nëse ky trend dhe verifikim çonte në ndryshimin e rezultatit dhe dyshimin e arsyeshëm se Kalasë dhe të tjerëve u ishin hequr vota sa për ndryshimin e rezultatit.
"A keni prova se ka një trend që tregon se çon në ndryshimin e rezultatit?", tha mes të tjerash Rusmali duke iu drejtuar Kalasë dhe përfaqësuesit të tij. Dhe përgjigja ishte se "po, ndaj kërkojmë hapjen e të gjitha kutive".
Kalaja vetë u shpreh se kishte dyshime të forta me provat e deritanishme se ka devijim rezultati, ndaj kërkoi jo vetëm hapjen e 69 kutive për të cilat dorëzuan prova, por për të mbi 500 kutive në qarkun e Durrësit, pra në total.
“Kam qenë i pari kandidat ndërkohe që po numëroheshin votat, kam ardhur dhe kam bërë ankimim, sepse e kam parë çfarë po bëhej në KQZ, pamjet më janë vënë në dispozicion me kaq vonesë, e kam bërë jo për mandat, por për transparencë, e kam bërë për t'u vendosur si gur themeli për kandidatët e tjerë, janë vota që më janë shpallur të pavlefshme, janë rritur në mënyrë artificiale votat për një kandidat, dhe i janë marrë vota edhe kandidatëve të tjerë. Nuk ju bën përshtypje?”, tha Kalaja mes të tjerash.
Përfaqësuesi i Kalasë solli si precedent Tiranën, ku vetëm me disa fakte u vendos hapja e të gjitha kutive. KAS kërkoi më shumë prova konkrete në lidhje me shifrat dhe trendin që konfirmonte ndryshim rezultati.
Përfaqësuesja e PS, Elena Xhinaj u shpreh se provat dhe pretendimet e paraqitura nuk të çojnë te ndryshimi i rezultatit dhe pavlefshmëria e tij që të çon në përsëritje, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të KQZ-së.
Pasi dëgjoi palët KAS e shtyu mbledhjen për më vonë, pasi të shqyrtonte edhe provat e dorëzuara.
Lini një Përgjigje