
Qytetarët e Beratit bënë sot homazhe dhe e përcollën në banesën e fundit gazetarin e gazetes Tema dhe krijuesin beratas Namir Lapardhaja. Bashkia e qytetit kishte organizuar me këtë rast një ceremoni homazhi në Pallatin e Kulturës në Berat.
Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kulturës në Berat foli së pari Sherina Lapardhaja, bashkëshortja e Namirit, e cila theksoi se ajo ishte aq pranë jetës së tij dhe sfidave të tij të përditshme sa sot ndjehet sikur i ka ikur një pjesë e madhe e jetës dhe përjetimeve të saj.
Ajo foli për Namirin si një familjar shembullor, për edukatën që u ka dhënë vajzave të tij që të jenë dinjitoze në jetë dhe të lira në vetëbesimin që duhet ta krijojnë me punë të ndershme dhe të përditshme. Ajo vuri në dukje gjithashtu vlerat e tij si bashkëshort dhe si një kujdestar shembullor i familjes dhe prindërve të tij.
Analisti Yzedin Hima e cilësoi Lapardhajën si një busull morale jo vetëm për moshatarët e tij, por edhe për brezat e ardhshëm. “Unë Namirin nuk e kam njohur thjesht si drejtor i Drejtorisë Arsimore, por e kam njohur si koleg mësues, si koleg në media, si dhe në krijimtarinë letrare. Megjithëse ishte në moshë më të vogël krahasuar me mua, ishte një bashkëbisedues i mrekullueshëm, sikur flisje me një bashkëmoshatar. Kishte një karakter të fortë, energjik, me Namirin jo vetëm mund të bisedoje, por edhe të mësoje. Namiri ishte busulla morale jo vetëm e moshatarëve të tij, por edhe brezave që do vijnë”, tha Hima.

Më pas, botuesi i gazetës Tema, Mero Baze, tha se gazetarë dhe krijues si Namir Lapardhaja krijojnë me standardin e tyre moral dhe profesional një standard të ri të lakmueshëm për gjithë shoqërinë shqiptare, duke ngritur më lart skenën e gazetarisë, publicistikës dhe krijimtarisë letrare.
Ai theksoi se Namiri i shërbeu gazetarisë shqiptare për të ndarë mediokritetin nga vlerat dhe se urtësia e tij buronte nga kultura e thellë. Falë këtij ndriçimi kulturor, ai ishte i lirë si gazetar, si besimtar, si politikan dhe si krijues. Ai kurrë nuk i imponoi askujt bindjet e veta politike, besimin e tij fetar apo krijimtarinë e tij, por e detyroi shoqërinë ta pranonte siç ishte.
Në homazhe merrnin pjesë edhe personalitete politike nga Tirana, gazetarë, miq dhe shokë të tij, mes të cilëve deputeti i PD Bujar Leskaj, deputeti socialist Erion Braçe, deputeti Fadil Nasufi, publicisti Preç Zogaj dhe ish-prefekti i Beratit Roland Bejko, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën e tij, duke theksuar kontributin që ai dha në letërsi, në jetën publike dhe në shoqëri.
Publicisti Preç Zogaj u shpreh se “Lapardhaja do mbetet një simbol i shoqërisë, nga i cili kemi çfarë të mësojmë, si ne, ashtu edhe brezat që do të vijnë”.

“Namiri kishte moshën e djalit tim, por unë e kam njohur sikur të ishim moshatarë, unë duke u ‘zvogëluar’, ai duke u rritur. Na ka lidhur libri, dhe këtë gjë e bën vetëm leximi. E kam takuar fillimisht në panairet e librit dhe ishte shumë i interesuar për botimet e reja, sidomos për vëllime me poezi. Ne që shkruajmë poezi, na bën shumë përshtypje kur dikush kërkon të lexojë poezi dhe prej aty forcuam një lidhje të fortë. Ndarja jonë e përbashkët ishin librat”, shtoi ai.
Ish-prefekti i Beratit, Roland Bejko, tha se ikja e papritur e Namirit nga kjo jetë ka lënë një boshllëk të madh në gazetari, duke theksuar gjithashtu se kjo është një humbje e madhe veçanërisht për familjen dhe miqtë.
“Namirin e kam njohur rreth 20 vite më parë, pikërisht këtu në këtë vend ku sot po i japim lamtumirën e fundit. Ishte një djalë i brishtë, i edukuar dhe shumë i sjellshëm. Por, sa i brishtë dukej nga jashtë, aq i fortë ishte përbrenda. Me rritjen e tij, jo vetëm në moshë, por edhe në aspektin profesional, Namiri filloi të na bënte të kuptonim se nga ai djalë kishim çfarë të mësonim.
Ai arriti një zhvillim të madh, u bë një figurë e rëndësishme në botën e gazetarisë dhe në jetën aktive të qytetit të Beratit. U kthye në një personazh të rëndësishëm, aq sa herë më duhej të vija në Berat, telefonata e parë ishte për Namirin. Kjo është një humbje e madhe për familjen, të afërmit dhe miqtë. Ka lënë një boshllëk të madh në gazetari. Namiri zuri një vend të rëndësishëm në analizën politike, duke krijuar profilin e tij të veçantë.
Të zësh një vend të caktuar në realitetin shqiptar është e vështirë. Por Namiri, duke ardhur nga një qytet si Berati, arriti ta bëjë këtë me dinjitet. Sot që ai është larguar, ai vend natyrisht mbetet bosh. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë dhe të besojmë që Zoti ta ketë pranë tij. Ashtu siç e ngacmoja shpesh: ‘Namir bej’… erdhi dhe u largua si i tillë”, tha ai.
Pas homazheve, Lapardhaja u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e Burdulliasit në Berat, mes lotëve, kurorave me lule dhe karafilave të kuq.